30.3 C
Pristina
Wednesday, June 12, 2024

Vetura e Ibrahim Rugovës mund të shihet përsëri në rrugë

- Advertisement -

Kjo veturë me të cilën dikur lëvizte ish-presidenti Ibrahim Rugova, mund të funksionalizohet pas 19 vjetëve.

- Advertisement -

“Chevrolet”-in e ish-presidentit historik, qytetarët mund ta shohin sërish në rrugë, pasi Presidenca që udhëhiqet nga Vjosa Osmani, vendosi ta riparojë atë.

Për veturën që ia shpëtoi jetën Rugovës nga atentati i vitit 2005, foli ai që dikur kujdesej për sigurinë e ish-presidentit.

- Advertisement -

“Vetura ka qenë e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, e cila është bërë në Hamburg të Gjermanisë, prej aty edhe ka ardhë në Prishtinë. Më pastaj ka ndodhë çka ka ndodhë dhe është dëmtuar në masë të konsiderueshme nga atentati”, tha Elez Nikçi, ish-truprojë i Ibrahim Rugovës.

Dhënien e tenderit për ta riparuar veturën, e cila ka motor 8.5 benzinë, po mirëpritet nga Nikqi, por me një brengë.

“Në qoftë se ajo veturë përdoret për siguri, është absurde të mendohet të çohet në tenderim, sepse fjala tenderim nuk ka fare të bëjë me siguri. Ndërkohë nëse përdoret për ndonjë aktivitet ceremonial, atëherë mirë kanë bërë”, tha Nikçi.

- Advertisement -

Megjithatë, për një ish-bashkëpunëtore të Rugovës, këto simbolika nuk mjaftojnë për ta nderuar presidentin historik.

“Këto janë disa simbolika që e kanë një domethënie, por për presidentin Rugova duhet të aktivizohet ligji për statusin e tij dhe të krejt veprimtarisë së tij, një ligj që do të mbronte krejt veprën e tij dhe do ta institucionalizonte presidentin Rugova”, tha Melihate Tërmkolli, ish-bashkëpunëtore e Ibrahim Rugovës.

Sipas Melihate Tërmkollit, figura e presidentit të parë të Kosovës vazhdon të përdoret politikisht.

“Jemi në një periudhë ku edhe ajri nga këto subjekte politike po përdoret për interesa individuale e interesa të tjerë, mos të them edhe materiale”, tha Tërmkolli.

Për ta riparuar veturën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Zyra e Presidencës do t’i shpenzojë mbi 16 mijë euro, teksa ka nënshkruar tenderin edhe për botimin e fjalimeve të ish-presidentit.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -