13.8 C
Pristina
E diel, 13 Tetor, 2024

VETËM SHQIP ME ZOTIN – FAKTE DHE DËSHMI

- Advertisement -

Nga Sami Shatri

- Advertisement -

Transformimi i njeriut nga fëmijëria përgjatë fazave jetësore të tij, varet nga shumë faktorë, sidomos nga ambienti ku jeton, shkalla e edukimit, shoqëria ku zhvillohet individi dhe si e kupton njeriu evoluimin e zhvillimit global, gjatë fazave jetësore.

Unë rrjedh nga një familje fshatare, babai ishte i pa arsimuar, nëna kishte të kryer dy klasë fillore. Kuptohet, në atë kohë ishin nën ndikimin e fesë islame të trashëguar prej prindërve, diku prej vitit 1800 e këndej!

- Advertisement -

Ata kryenin me devotshmëri të gjitha ritet fetare, këtë e bënin me kënaqësin më të madhe shpirtërore dhe ishin të bindur se ky besim është më i miri dhe u ndihmon shumë, në këtë botë e sidomos në botën tjetër.
Pra, mundoheshin që këto bindje t’i transmetonin edhe te ne fëmijët, sidomos nëna merrej më shumë me këtë problematikë. Ajo dinte shumë “dovë”– citate fetare të cilat i kishte mësuar nga një imam, në vendin e lindjes në Istog, në kohën kur ishte vetëm 8 vjeçe.

Filloi që edhe neve fëmijëve të na i mësonte me përkushtim:

… Bismilahi rrahmani rrahim
Elhamdyrylahi, la i la, i la-lla
Hak Muhamed resulu llah …

- Advertisement -

لآ اِلَـهَ اِلاَّ لله محمد رسول الله )

Si fëmijë, isha shumë kurioz të di se çka do të thonin këto fjalë të huaja. I thosha nënës: Nënë, çka nënkuptojnë këto fjalë, ishin si të zorshme për ne si fëmijë.
Përgjigja e saj ishte: diçka mirë djali jem, kur e pyesja: po hoxha që u ka mësuar, ju tregonte domëthënjën e tyre, më thoshte “këto janë fjalë të Zotit, duhet thënë kështu”.

Duke kujtuar sot ato fjalë dhe duke dëgjuar imamët se si arsyetohen (kur i zëmë ngushtë, se pse nuk bën të lutemi shqip), marrim të njëjtën përgjigje “ato janë fjalë të zbritura nga Allahu, duhet thënë kështu”.

Pra i njëjti refren, prej nga natyrshëm del se, shumica e imamëve paskan qenë të porositur brez pas brezi që lutjet mos të bëhen në gjuhën e ëmbël shqipe, ndër më të vjetrat e globit.

Nga ana tjetër, kur nëna i këndonte ninulla vëllaut Merimanit, tetë vite më i ri se unë, e dëgjoja me vëmendje:

Citoi:
“Nina nëna, djal i mbarë
Ty t’ka nëna, bajraktarë …
Nina nëna, n’djep të drunit
T’i mu bafsh, plak i katunit
I katunit e i qytetit
Mu bafsh trim, si Skenderbegu” …

Nëna këndonte bukur, dinte shumë ninulla të cilat i kombinonte vetë me plot rimë.

Kur sot analizoi e kujtoi atë kohë, them:
Ndoshta sunduesve, nuk u ka ra ndërmend të ndërhyjnë në ninulla, po tu kishte ra ndërmend do kishin bërë ndonjë kombinim me fjalë të huaja dhe do thonin:
“Këto duhet mësuar fëmijëve, se janë fjalë të Allahit-Bog”
Nga e gjithë kjo, del se:
ninullat kanë ndihmuar që mos të asimilohemi, d.m.th kemi përfituar nga to si Komb, sepse janë kënduar SHQIP!

Në lidhje me këtë, do e tregoi edhe një tregim të shkurtër që e kam dëgjuar këtu në Prishtinë, nga disa shokë pune!

Citoi:
“Shkuam në një të pame para lufte, ishim diku 10 veta nga Distribucioni, kur hymë në odë, në murin e odës, vërehej i varur një “goblen” me një citat arab, në atë moment hynë edhe disa imam. Në odë ishin present edhe imam të tjerë. Gjatë muhabetit njëri nga imamët që kishte studiuar në Arabi po i pyet kolegët e vet:
çka po shkruan në atë shkresë, disa u përgjigjen: është citat i Pejgamerit… imami i shkolluar qeshi fort dhe u tha: aty shkruan “Ndalohet pirja e duhanit”, sigurisht e keni blerë diku në treg, ka ardhë nga tregtarët këtu në Kosovë.

Pa dyshim, kjo tregon gjithçka, me vite të tëra shqiptarët kanë mbajtë varur në shtëpitë e tyre, diçka çka nuk e kanë ditë domëthënjën e saj … e dhimbshme, vajtuese dhe dëshpëruese!

Më vonë, kur fillova klasën e pestë fillore, kishim si lëndë obligative gjuhën serbe dhe alfabetin çirilik. Nuk dinim asnjë fjalë para se të fillonim mësimin sërbçe. Arsimtari i quajtur Gollub, na ngarkonte bukur shumë, sidomos me vjersha.
Më kujtohet, na dha për detyrë shtëpie vjershën: “Krvava bajka”, e shkruar në alfabetin çirilik.

Крвава бајка (origjinali)
Било је то у некој земљи сељака
на брдовитом Балкану,
умрла је мученичком смрћу
чета ђака
у једном дану …

(Billo je to u nekoj zemli seljaka
Na brdovitom Ballkanu
Umrlla je muçeniçkom smrxhu
Çeta xhaka
U jednom danu ….)

Ishte e gjatë, diku 52 vargje, e vështirë dhe e neveritshme.
E mësuam (e bëmë “hatme”) të gjithë, por shumica e klasës nuk e kuptonim fare se çka po themi.
Sidoqoftë, Gollubi ishte i kënaqur me rezultatin …
Kur i analizoi sot, “dovët” e pakuptimta dhe “pesmen-Krvava bajka”, them me vehte, krejt njësoi, si njëra ashtu edhe tjetra, të vështira, pa asnjë kuptim, torturim për trurin dhe punë koti.
(mos të harrojmë, për popujt që flasin këto gjuhë, sigurisht e kanë kuptimin, porosinë dhe rëndësinë e tyre)

Duke peshuar me logjikë të shëndoshë të gjitha detalet e “për-dreqnimit” brutal të fesë mbi popullin tonë, lindën natyrshëm dhe krejt papritur këto vargje, të cilat i kam postuar dhe janë botuar e pëlqyer shumë!

VEÇ SHQIP BESOI

Mos më thoni s’je besimtar
Mos mendoni që jam pa fe
Zoti i Madh që më ka falë
Më la emrin shqipëtar!

Andaj unë, veç shqip besoi
Shqip falem e shqip ëndërroi
Asnjë m’kat unë nuk bëj
Ligjet e Zotit, shqip i zbatoi!

ÇKA ARRITËM SI KOMB ME FENË QË E PATËM!!!

Me plot gojën e them dhe me përgjegjësi të plotë “ASGJË”, përkundrazi, Kosova mbeti e pushtuar edhe pse baballarët tanë ishin lutur arabisht, dikush një shekull e ca të tjerë pak ma shumë.
Mbetëm më të pazhvilluarit në Ballkan, më të varfërit (edhe pse toka dhe nëntoka jonë ishte më e pasura), më të përbuzurit në Europë (sepse na akuzonin si mbetje islame), të ndarë në pesë shtete, të shpërndarë në vende të huaja, bash si zogjët e qyqes.

Shpërblimi ishte katastrofal e humbja-kostoja ishte marramendëse!
Nën këtë mallkim, humbëm: Çamërinë, Toplicën, Ulqinin, Plavën e Gucinë, Hot e Grudë e Kelmend, pjesë të bukura që sot i sundon shteti Maqedon dhe pjesë tjera që gjenden ende nën pushtetin okupues Serb, Preshevë e Bujanovc, por rrezik permanent është edhe veriu i Dardanisë..

PSE SHTETI SERB KURRË NUK E NDALOI FENË TE SHQIPTARËT …

Do mundohem të sqaroi edhe këtë me shembuj konkret!
Nga fëmijëria më kujtohet kur flitej në oda:
Disa pleq pa shkollë e të padijshëm thonin:

Citoi:
“Në kohën e krajlevinës ka qenë shumë mirë, e kishim të ndarë kazanin, të veçantë për musliman, kur ishim në ushtri”.
Të mjerët, nuk i kujtonin krimet makabre që ishin bërë në kohën e krajlit, ka pasë shumë raste kur shqiptarët ishin lidhë rreth sanës-mullarit dhe ishin djegë për së gjalli me pleq e fëmijë, vetëm se ishin shqiptar, mjerisht, kujtonin kazanat e mishit!

Gjithashtu kujtoi:
Në vitin 1981, Serbia filloi diferencimin ideo-politik kudo në fakultete, filloi me Institutin e Historisë, duke vazhduar në çdo pore të jetës, deri edhe në fakultetet teknike, të mjekësisë e Kulturës Fizike, që fare nuk lidheshin me politikën.

Shtrohet pyetja:
A u shtri diferencimi ndonjëherë në BIK, nëse po, kam dëshirë të më shpjegoi dikush se kur është kryer dhe kush është përjashtuar politikisht nga imamët ???

Në Preshevë e Bujanovc, Serbia futi lëndën fetare dhe e financoi mirë, por nuk lejonte librat e historisë, gjuhës dhe gjeografisë, nga Tirana ose Prishtina!
Më thotë dikush, pse !!!

Nga e gjithë kjo, dua të kujtoi edhe diçka:
Kosova ka bërë kërkesë për antarësim në BE dhe NATO, nuk duhet lejuar që të na akuzojnë përsëri si mbetje lindore islamike, sepse kjo është taksa-tarifa më e rëndë, të cilën Serbia mundohet të na varë në qafë.

Duhet të kthjellemi si Komb dhe mos të harrojmë kurrë, këtë copë shtet e kemi dhuratë lirie, prej gjakut të dëshmorëve, sakrificës së popullit dhe të mbështetur fuqishëm e pa rezervë nga Shqipëria Nënë, USA dhe Europa, në përgjithësi nga 95% të shteteve me besim katolik (deshtëm e nuk deshtëm ta pranojmë) dhe të mbështetur unanimisht nga figurat më me ndikim me origjinë Izraelite.

Kjo është e vërteta e madhe dhe e vetmja, që ne sot frymojmë e jemi të lirë, jo nga lutjet shekullore në kultet fetare të huaja, por nga 721 aeroplanë amerikanë dhe shtetet tjera përendimore.

Matematikisht, aktualisht kështu qëndron kombinimi i forcave (nëse eventualisht ndodhë ndonjë konflikt i gjerë)

Islam + Serbi = Rusi
Shqiptari + BE = Amerikë ( merr e zgjidh, por më parë kujto ku ishe dje e ku je sot)

Në lidhje me këtë, nuk mund pa e përmend edhe një kujtim nga vogëlia, dëgjuar shumë herë nga njerëz të mençur, në odat Dukagjinase!

Citoi:
“Ataturku, njeriu më me ndikim i shekullit të kaluar, që nxori Turqinë nga hiri perandorak dhe e shpëtoi nga copëtimi, kur erdhi në pushtet, thirri në një takim myftitë më të njohur të Turqisë, rrethoi xhaminë me ushtri dhe shkoi vetë në xhami. Mori një llampë të ndezur dhe u tha, keni kohë deri nesër ta fikni llampën me duva-lutje. U luten ulemaja tërë natën, pa sukses.
Erdhi në mëngjes, me kobure në brez dhe po i pyet: keni fikur llampën, krymyftiu i përgjigjet me gjysmë zëri: jo Z.President, është e pamundur, atëherë, Ataturku (babai i Turqisë), nxori koburen dhe me të parën e cpirroi llampën … Kështu fiket llampa, jo me lutje koti.
Të gjithë i dërgoi te berberi, u hoqi mjekrrat dhe i nisi në frontet e luftës me grekun.
Ai e kishte kuptuar mirë, ku e kishte katandisur feja Turqinë.

Duke u lidhur me këtë edhe një fakt:
Në vitin 1999, ishte ditë Bajrami kur Serbia kishte urdhëruar pastrimin e komunës së Istogut nga banorët shqiptar. Shqiptarët kishin falë Bajramin, ishin duke e prerë kurbanin, kishte ardhë lajmi për ofenzivën serbe, mishi i kurbanit u mbeti në sofra, me shpejtësi kishin lëshuar shtëpitë për të shpëtuar. Pra nuk bënë punë lutjet e duvatë te Allahu, duhej diçka tjetër për ndaljen e armikut, që neve fatkeqësisht na mungonte.

Zoti nuk u ndihmon atyre që luten, lutja është servilizëm dhe ndjenjë faji…
Zoti u ndihmon atyre që janë të vendosur, stoik, të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha, atyre që punojnë për një qëllim dhe sakrifikojnë për ta realizuar.

Shqiptar e shqiptare, besoni shqip, se SHQIPE na ka falë i Madhi ZOT. Kurrë mos lejoni të përcilleni nga kjo botë me një gjuhë që nuk e kuptoni, cila do qoftë ajo, sepse nuk do ju kuptoi krijuesi, ai me ju komunikon vetëm në gjuhën që ai vetë ju ka dhuruar, pra mos e hidhëroni Zotin që ditën e parë të takimit me të!
Mos harroni kurrë:
kemi gjuhën më të vjetër në planet, jemi më të lashtët e globit, gjak i Kastriotit, andaj, jemi të adhuruarit e Zotit!
Vetëm shqip me Zotin!

Prishtinë, 31.08.2024
Samy

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -