30.9 C
Pristina
23 Qershor, 2021 - 22:08

Vetëm 800 metra larg forcave serbe, zbulohet çka u kishte kërkuar Komandant Drini ushtarëve të tij në Pashtrik

Faqja “Ekrem Rexha – Komandant Drini” në Facebook, ka publikuar një fjalim të tij, të mbajtur para ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 13 dhjetor 1998.

Komandant Drini u kishte kërkuar ushtarëve në Pashtrik, që të mos flisnin në mes vete, pasi forcat serbe ndodheshin vetëm 800 metra larg tyre, përcjell Bota sot.

Ai kishte kërkuar që të eliminohej prita armike, duke u thënë ushtarëve të tij se “kthim prapa nuk kishte”.

Kthim prapa nuk ka.

Ata zakonisht patrullojnë me shtatë-tetë ushtarë nga karakolli në karakoll, por nuk mund të jenë më shumë se ne, prandaj duhet ta eliminojmë pritën armike”, kishte thënë komandanti.

Postimi i plotë në faqen “Ekrem Rexha – Komandant Drini”:

Fjalimi i komandant “Drinit” para ushtarëve të UÇK-së më 13 dhjetor 1998

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik

Duke ditur mungesat e mëdha për armatim në Kosovë, ushtarët e UÇK-së kanë ngarkuar me municion edhe gomarët të cilët, në gjysmë të rrugës nga Shqipëria për në Kosovë, nuk arrijnë ta vazhdojnë rrugën nga bora e madhe. Gomarët kthehen mbrapsht, ndërkaq armatimin e shpërndajnë te secili ushtar për bartje të mëtejme. Në zonën neutrale të kufirit, gjegjësisht te Stanet, rreth orës 16:00 kolona e luftëtarëve ka mbërritur aty dhe është ndalur për 10 minuta pushim. Gjatë kësaj kohe profesionisti i mirëfilltë ushtarak, Ekrem Rexha – “Drini”, e mban një fjalim të shkurtër para ushtarëve, meqë vinte nga fshati Lubizhdë dhe e njihte shumë mirë terrenin se nga bëhej lëvizja e forcave jugosllave në këtë zonë dhe në cilat vende është e përqendruar. Luftëtarët me vëmendje dëgjojnë: “Po pushojmë pak dhe kush keni ushqim me vete, shfrytëzojeni kohën të hani. Nuk po ju them kush është duke u frikësuar, por ai që nuk e ndien veten mirë, le të kthehet tash sa jemi këtu. Kërkoj nga ju që disiplina të jetë në nivel sa më të lartë sepse tash do të lëshohemi teposhtë për në Kosovë, ku distanca në mes të dy karakolleve (“Liken” dhe “Planej”) të forcave serbe është vetëm 800 metra dhe shtegu nga do të kalojmë është në mes tyre. Vetëm shushurima e këmbëve mund të dëgjohet larg e lëre më të flasim ndërmjet vete.

Pra, mund të biem në pritë në çdo çast, por duhet çarë rrethimin. Kthim mbrapa nuk ka. Ata zakonisht patrullojnë me shtatë-tetë ushtarë nga karakolli në karakoll, por nuk mund të jenë më shumë se ne, prandaj duhet ta eliminojmë pritën armike”, ka thënë, ndër të tjera, komandanti me karrierë të bujshme ushtarake, “Drini”. Përndryshe, ai në ish-Ushtrinë Jugosllave ka qenë kapiten i klasës së parë. Pas këtij fjalimi është lajmëruar ushtari Valbon Çallaku nga Krajku i Hasit, i cili ka kërkuar leje për t’u kthyer mbrapsht në bazën e UÇK-së në Shqipëri ngaqë gjatë rrugëtimit në një guri kishte krisur ashtin e këmbës. Kërkesa e Çallakut është plotësuar dhe ai kishte vazhduar rrugën e kthimit për në bazën e tij, në Cahan. Gjatë këtyre minutave, gjatë të cilave kushtet atmosferike ishin shumë të këqija, disa ushtarë kanë arritur të hanë pak bukë. Ata me vete kishin marrë nga një çerek buke, të shoqëruar me peshk tuna të konservuar. Po ashtu, posedonin në qese të vogla hallvë të bardhë të konservuar për përdorim në raste emergjente. Meqë qëndrimi më i gjatë ishte i pamundur në këtë vend, vazhdojnë të ecin drejt vijës kufitare.

Atë mbrëmje, gjysmë ore para mesnate, forcat armike kanë dëgjuar zërin dhe shushurimën e drurëve që vinte nga drejtimi i kufirit. Dikur zërat u dëgjuan më afër dhe u bënë të qartë. Forcat kriminale serbe vetëm pritnin çastin. Pra, kanë pritur që ushtarët e UÇK-së të afrohen sa më pranë tyre. Pjesëtarët e UÇK-së, të lodhur e të rraskapitur nga pesha e rëndë e rruga e gjatë dhe e mundimshme, me plot të papritura kalojnë kufirin e Shqipërisë duke hyrë të relaksuar në territorin shtetëror të ish-RFJ-së, gjegjësisht të Kosovës. Rreth dy kilometra kalojnë me sukses brenda territorit të Kosovës.

Forcat armike të pritës së parë të fshehur në të djathtë, pas gurëve të mbuluar me një sfond të bardhë të dëborës, heshtin duke lënë formacionin e UÇK-së të futej në rreth. Distanca në mes të kolonës së ushtarëve të UÇK-së që shkonte teposhtë luginës dhe forcave serbe ishte vetëm 30 metra. Gjithnjë nën vëzhgimin e tyre, kolona vazhdon rrugëtimin tutje nëpër luginë, sipër së cilës në të djathtë përsëri ishte prita e dytë serbe e strukur prapa gurëve të rrethuar me drurë, e cila priste çastin e përshtatshëm për goditje.

Prita e dytë armike e cila ka qenë më vdekjeprurëse për forcat çlirimtare të UÇK-së

Prita e parë me të dytën kishte një distancë prej 65 metrash. Përsëri forcat armike heshtin dhe tolerojnë kolonën e gjatë të shkojë tutje deri te prita e tretë, rreth një mijë metra më poshtë. Atje në mes orës 3:00 dhe 4:00 të pasmesnatës ekipi vëzhgues i UÇK-së, duke ecur luginës, befasisht ndeshet në anën e djathtë me pjesëtarët e Brigadës së 549 të Motorizuar të UJ-së, të cilët ishin të pozicionuar në breg dhe hapin zjarr tinëzisht, ku plagosët rëndë në të dyja këmbët udhërrëfyesi trim, Qenë Qenaj nga Romaja e Prizrenit. Ndërkaq, në të njëjtën kohë plagë të rënda merr në dorën e djathtë edhe ushtari tjetër, Bislim Muçaj nga Lubizhda e Prizrenit. Dora e tij gati ishte këputur. Pas kësaj, lufta u ndez e ashpër ndërmjet forcave armike dhe luftëtarëve të lirisë. Udhëheqësi i pararojës, që përndryshe ishte nëntoger i ish-ushtrisë jugosllave, Mahir Hasani nga Kuqishta e Pejës, ka përdorur topin e vogël amerikan që kishte në dispozicion me gjashtë predha. Me dy predha gjuan në drejtim të forcave armike të pritës. Për shkaqe sigurie ndërron pozicion prapa një lisi ahu dhe një cungu që kishte afër vetes. Ky sërish tenton t’i godasë forcat armike por, pa sukses, ngaqë predha nuk shkrep nga bora që e kishte lagur. Këtë defekt forcat serbe e identifikojnë dhe e qëllojnë luftëtarin trim, Mahir Hasani, në këmbën e majtë. Në luftë e sipër, Nexhmedin Berisha nga Rogova plagoset në shpinë, ndërsa Qenë Avdyl Qenaj (41-vjeçar) pas njëzet minutave nga afërsia sërish qëllohet me një plumb vdekjeprurës të armikut duke rënë heroikisht për lirinë e Kosovës.

Ekrem Rexha “Drini” (1961 – 2000)

Meqë ishte në afërsi të vëzhguesve, në ndihmë për ta çarë rrethimin shkon me bashkëluftëtarë, komandanti i operacionit, Ekrem Rexha, i cili ka futur në funksion raketahedhësin e dorës “Zola”, të shoqëruar me të shtëna të armëve të këmbësorisë nga Selim Krasniqi nga Prizreni, Burim Krasniqi nga Prizreni. Musa Aliu nga Peja, Astrit Grabovci nga Peja, Sahit Berisha nga Leskoveci, Hysen Rexhepi nga Celina e Rahovecit, Bashkim Morina nga Drenoci i Zatriqit dhe Ryshen Shala nga Nasheci i Prizrenit. Gjatë luftimeve të ashpra me forcat armike, që kanë zgjatur rreth dyzetë minuta, komandant Drinit, në borë i humb radiolidhja “Motorola”, mirëpo arrijnë ta shpërthejnë rrethimin. Kështu me sakrificë të madhe depërtojnë dymbëdhjetë luftëtarë në fshatin Kushnin të Prizrenit, ku vendosen përkohësisht në shtëpinë e Ibrahim Morinës, Xhemajl Morinës dhe të disa banorëve të tjerë lokalë. Pas këtij aksioni forca të shumta armike kanë vërshuar fshatrat e Hasit pranë brezit kufitar

Menjëherë pas Drinit, në fshatin Kushnin kanë arritur të hyjnë edhe Florim Qelaj nga Peja, që ishte kapiten në ish-armatën jugosllave, Shkelzen Pepshi nga Peja, Nysret Krasniqi “Hansi” nga Peja, po ashtu ishte rreshter në ish-ushtrinë jugosllave, Hysni Kuçi nga Suhareka, Ylli Elshani nga Suhareka dhe një ushtar tjetër emrin e të cilit nuk kemi arritur ta identifikojmë. Luftëtarët e UÇK-së qëndrojnë në Kushnin deri rreth orës 22:00. Atë natë Nexhmedin Berisha ka vënë kontakt me Njësitin e UÇK-së në Rogovë të Hasit, me ç’rast udhëheqësi i skuadrës së UÇK-së, Kapllan Hoti, së bashku me Ibrahim Shalën, Xhavit Berishën, Osman Berishën e të tjerë, vijnë nga Rogova për ta ndihmuar tërheqjen e tre ushtarëve të plagosur dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë. Të plagosurit janë bartur me një qerre me kalë. Gjatë udhëtimit kanë hasur edhe në ushtarë të tjerë të cilët kishin humbur rrugën dhe iu bashkuan grupit të tyre. Ky udhëtim ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm për arsye se në një pjesë të rrugës, komandant Mahiri është dashur të bartet edhe në shpinë. I gjithë udhëtimi është kryer jo në rrugë ekzistuese, por nëpër ara, thera e shkurre, vetëm që t’i shmangen ballafaqimit me forcat serbe. Rreth orës 4:00 të mëngjesit mbërrijnë në Rogovë. Ata vendosen në dy shtëpi, njëri grup i ushtarëve me komandant Drinin vendosen te shtëpia e Asllan Berishës, ndërsa grupi tjetër me Mahir Hasanin vendosen në kullën dykatëshe të Halil Osmanit-Berishës.

Gjatë ditës, Nuriu, Iliri dhe Bajrami shkojnë në Reti, ku takohen edhe me komandant Drinin dhe diskutojnë me te rreth ngjarjeve të djeshme.

Ndërsa, pas rënies së katër bashkëluftëtarëve, ushtari Naser Leku, i vetmuar ka vazhduar rrugën kuturu drejt një fshati duke menduar gjithnjë se po shkon në Shqipëri. Në bazë të mureve të oborreve, e vëren se ka hyrë në Kosovë. Në një derë troket, ku është përgjigjur një grua e cila i tregon se ishte në fshatin Kushnin të Hasit. Ajo i rekomandon të vazhdojë tutje te një shtëpi tjetër ku aty mund të bënë zgjidhje. Sërish troket në derë të një ode hasjane. Një person ka hapur derën i frikësuar. Naseri hynë brenda dhe kërkon bukë për të shuar urinë. Mikpritësi shkon në shtëpi për të sjellë ushqim ushtarit të paftuar, mirëpo kishte hetuar që komandant Drini me disa ushtarë kishte ardhur aty pranë dhe e njofton.

Pasi ka ngrënë një copë bukë, Naseri shkon në vendin ku ishin strehuar luftëtarët tjerë së bashku me komandant Drinin. Aty kishin qenë duke ia lidhur plagën në këmbë, Mahir Hasanit. Pas pak kohe, vjen i plagosur në gishtin e madh të dorës së djathtë, Nazmi Istogu nga Polluzha (Drenas) së bashku me ushtarët: Driton Rexhepi nga Strubullova, Emin Gashi nga Klina, Sali Raci nga Jelloci Klina, Naser Morina nga Gllareva, Sylë Halilaj nga Llapçeva dhe Nexhat Haxhiu nga Kostërci (Skënderaj).

Meqë ishte rrezik qëndrimi në këtë vend, pas darke janë tërhequr me të plagosur nga Kushnini dhe kanë shkuar në Rogovë të Hasit, ku janë vendosur në një kullë. Të nesërmen në mëngjes, komandant Drini, kishte dëgjuar nga Naseri rrëfimin lidhur me luftimet e përgjakshme të zhvilluara në luginën e Pashtrikut. Tregohet se gjatë gjithë kohës sa e kishte dëgjuar atë, Drini kishte quajtur. Ndërkohë kishte ardhur ushtaraku i karrierës, komandant Nehat Basha, i cili kishte siguruar rrugën për tërheqje deri në Reti

Disa pjesë nga Fejtoni i Lulzim Sahiti

Të fundit

Të tjera nga rubrika

Hapësirë reklamuese