Ka vdekur sot Imri Ilazi, ushtaraku i i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe gjenerali i FSK-së, i njohur si Komandant Ferri.
Lajmin për vdekjen e tij e ka njoftuar kryetari i Ferizaj, Agim Aliu, i cili tha se Komandat Ferri la mwrgimin për t’iu bashkuar UÇK-së dhe pas luftës kontributin e tij e dha edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Me dhembje e pikëllim të thellë, morëm lajmin se sot, pikërisht në Ditën e Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt, u nda nga jeta Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjenerali i FSK-së, veprimtari politik, bashkëqytetari ynë i çmuar, Imri Ilazi – Komandant Ferri. Sa i rëndë ky lajm, sa i thellë ky pikëllim, kur Gjeneralit po i japim lamtumirën e fundit. Gjeneral Imri Ilazi – Komandant Ferri gjithë jetën e tij ishte shëmbëlltyrë e atdhedashurisë, dalzotës i atdheut, prijës i shquar e luftëtar sypatrembur”.
“Komandant Ferri barti mbi supe luftën çlirimtare për të cilën erdhi nga mërgimi duke iu bashkuar radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Neredimes. Kontributi i tij i pashlyeshëm mbetet vlerë dalluese edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë Gjeneral i saj, ku përgatiti gjeneratat e ushtarëve të Kosovës. Shembulli i tij atdhetar, mbetet i veçantë në universin gjithëkombëtar, duke e përjetësuar me veprën e tij të jashtëzakonshme, luftën për çlirim , lirinë e Kosovës. Lamtumirë Gjeneral!”, shkroi Aliu, duke ngushëlluar familjen e tij e bashkëluftëtarët.
Për vdekjen e tij shkroi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Paska ndërruar jetë një patriot i shquar, që la mërgimin për t’i dalë zot atdheut në kohët më të vështira. Gjeneral Imri Ilazin do ta kujtojmë si patriot e intelektual, që nuk kurseu asgjë në shërbim të vendit – para, gjatë dhe pas luftës. Ngushëllimet më të thella familjes, bashkëluftëtarëve dhe miqve të Komandant Ferrit!”.