Gazetari Valon Syla i është kundërpërgjigjur opinionistit Nexhmetin Spahiu, i cili tha se edhe ai do të duhej të dënohej për “nxitje të urrejtjes fetare dhe mosdurimit”, kjo pasi sulmuesit e tij u dërguan në paraburgim për 30 ditë.
Spahiu, fillimisht shkroi se “urrejtjen dhe mosdurimin e ka nxitur Valon Syla, më pas sulmuesit e kanë shprehur mosdurimin e tyre në mënyrë të palejueshme”.
Ai madje, i ka quajtur prokurorin dhe gjykatësin “idiotë”.
Ndërkaq, Syla përmes një reagimi të tij, ka pyetur se çfarë po i pengon humori dhe barcoleta opinionistit Spahiu.
“’Humori dhe e keshmja e mbyt frikën dhe pa frikë nuk mundet me pasë fe’. Kështu shkruan Umberto Eco, te romani Emri i Trëndafilit.” – ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, dje Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 3 të dyshuarëve L.D, K.H, dhe O.H, për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Masa e paraburgimit është caktuar për 30 ditë. Të dyshuarit po akuzohen për veprën “nxitje e përqarjes dhe mos durimit.
Valon Syla është sulmuar mbrëmjen e së martes nga tre persona pak minuta pasi ai kishte dalë nga studioja e T7, dhe pësoi lëndime të lehta në kokë. Sulmi ndaj tij, me shumë gjasë ka ndodhur për shkak të disa postimeve të gazetarit në rrjetin social Facebook.