12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Tri kushërirat e Enver Hoxhës: Për Enverin kishim një urrejtje të jashtëzakonshme

- Advertisement -

Tani, po e kuptojë se përse e urrenin më shumë nga ne të internuarit, tri motrat – kushërirat e Enver Hoxhës, atë. Paskan pasur të drejt!

- Advertisement -

Duke lexuar librin e Neriman Hoxhës: ”Duke kujtuar më dridhet Zemra – (Nëpër kampet e internimit komunist), them sa të drejt kan pasë Vehipi, Aneja dhe tre vajzat: Ish-drejtori i Bankës së Shtetit në Tiranë. I shkolluar në Stamboll dhe njohës i 4 gjuhëve të huaja. Djali i xhaxhait të Enver Hoxhës. U internua në Savër të Lushnjës, me bashkëshorten Anenë dhe tri vajzat, Handanin, Suzanën dhe Nerimanin. Ndërroi jetë në internim.

Në pas thënie të këtij libri Fatos Beja, shkruan : Historia e një familje qytetare të kultivuar që thërmohet në nofullat e përbindëshit totalitar, na sjell një dëshmi të Shqipërisë, pak të njohur të kampeve të internimit. Ka pa dyshim një vlerë publike : për ne që jetuam në diktaturë, na ndihmon të shikojmë në skutat enveriste që ishin larg syve tona ; për ata që ndjenë padrejtësinë t’u brente pa mëshirë jetën çdo ditë është një nxitje për të rrëfyer atë që vuajtën; për të rinjtë e sotëm është një burim urrejtje për diktaturat dhe përkushtimi për të drejtat njerëzore. Ikja e një 20 vjeçari nga Shqipëria e vuajtjeve, bëhet krim i pakryer i tri motrave të tij, mësuese të reja në gjimnazet e Tiranës dhe prindërve pleq, për të cilin u ndëshkuan mbi 30 vjet interním në kampet e punës. Autorja na sjell një tufë kujtimesh të idhëta të motrave Hoxha dhe bashkëvuajtësve të tyre, që e fusin lexuesin në rrethet e pambarimtë të ferrit enverist.

- Advertisement -

Në një nga barkat afër nesh, në kampin e internimit, në mesin e shumë të internuarve, shkonin e vinin shumë familje. Pranë barakës ku jetoja unë, jetonte edhe një familje e cila vinte nga Gjirokastra, por kishin banuar në Tiranë. Ishin tri motrat dhe babai e nëna e tyre, Vehip Hoxha dhe Ane Hoxha. Mbasi mbarova shkollën tetëvjeçare, unë fillova dhe punën. Në fillesën e saj, më ra rasti dhe fati, siç do ta quaja, të punoja me njërën nga tri motrat Hoxha, me Suzani Hoxhën. Dhe një ditë, një nga ditët e zakonshme të punës, ku punonim për blegtori kryesisht, ku përgatisnim barin e lopëve gjatë pushimit të drekës, më kujtohet si sot, njëra prej historive që më tregon Suzani, duke besuar se unë isha një fëmijë i dëgjueshëm dhe jo një fëmijë që do t’i shkonte fjala kot, pra që do t’i zinte vend dhe më tregon historinë se si kishte ndodhur ardhja e tyre, pasi ne qanim hallet vazhdimisht dhe rrëfenim se si kishin ardhur në kampin e internimit në Savër. Më ka bërë përshtypje atëherë, por edhe sot e kësaj dite, se si kishte mundësi që kushërirat e Enver Hoxhës të ishin internuar dhe të jetonin me ne në kampin në Savër.

– A jeni kushërirat e Enver Hoxhës?

-Po.

- Advertisement -

Kushërira e parë?

-Jo, ishte kushërira e dytë.

Vehipi ishte kushëriri i parë i Enverit, ndërsa tri motrat (vajzat e tij) janë kushërira të dyta. Ishte rasti që të mësoja një gjë të çuditshme për atë kohë, që kushërirat e dyta të Enver Hoxhës të ishin në kampin e internimit. Kur i pyesja, ndonjeher dukej qartë se çliroheshin kur flisnin me mua. Më “kuvendonin” historinë si dhe pse ishin internuar. Përball barakës time, dhe në krah të barakës së tri motrave, ishte një fushë e gjelbër gjithmonë. Në, pranverë, verë dhe vjeshtë, në mbrëmje kur ktheheshin nga puna, të internuarit, sipas afrimitetit që kishin me njeri tjetrin, shoqërisë, sidomos simbas krahinave , dhe lidhjeve të tyre familjare prej nga vinin, dilnin e shteisin çdo mbrëmje. Ndërsa në fëmijët luanim futboll – ose “bixhoz” të rriturit me letra kumari.

Xha Veipi, i thërrisnim ne, shoqërohej më shumë me familjen e Zina Dukagjinit, e motra e Pashk Gjeçit, përkthyesit të paarritshëm i kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, si kryevepra e Dantes “Komedia Hyjnore”, një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthime, po dhe shkrime të tij bashkëkohore, i cili edhe bëri burg në Burrel, dhe, internim në Savër. Kur rrëfente, babai i vajzave, Vehip Hoxha, një burrë me një paraqitje pedante, aristokrate dhe dukej që ishte një familje “e qenë”, shkollën e lartë e kishte kryer në Ankara për llogaritar dhe me një shkollim të lartë pas çlirimit, Enveri e kishte zgjedhur si drejtor të Bankës së Shtetit Shqiptar. Ka qenë një nga drejtorët e parë të Bankës, pas ‘44. Sipas tij, nga rrëfimet që kisha dëgjuar me vdekjen e babait të Enverit, kishte ndodhur një “incident familjar” në familjen e Hoxhës, në Tiranë, në shtëpinë ku ka ndenjur Enveri.

Atëherë kur babai i tij, në mesin e familjarëve, kishin shkuar edhe anëtarët e Byrosë Politike me anëtarët e tyre për të ngushëlluar Enverin për vdekjen e babait. Vehipi, që ishte me një kulturë të gjerë por orientale, i rritur në Turqi, e njihte mirë dhe fenë e ishte njëfarë besimtari i moderuar, jo fanatik nga këta të devotshmit. Dhe i thotë Enverit: “babai juaj ka qenë një njeri i kënduar (“i kënduar” i thonë njeriut me shkollë dhe që e njeh fenë) prandaj, meqenëse je i pari i këtij vendi dhe nuk e merr asnjëherë vesh se çfarë mund të ndodhë, gjejini një hoxhë dhe të vijë ta këndojë përpara se ta çojnë në banesën e fundit.” Këtë gjë nuk e priti mirë Enveri, nuk e kapërdiu, pasi dihet se komunistët ishin të gjithë ateistë dhe nuk besonin në fe, ishte propagandë e tij dhe për Enverin, ishte pakëz ofenduese kjo dhe kur ia tha në mesin e familjarëve dhe shokëve të rrethit të ngushtë të Enverit, ai nuk e kapërdiu këtë thënie të Vehipit, e konvertoi në një ftohtësi të marrëdhënieve të tij me të.

-Pra, marrëdhëniet me xha Vehipin u ftohën?

-Po, u ftohën këtë moment. Një ose dy vjet mbasi ndodhi kjo, në vitet ‘50, arratiset djali i Vehipit, Asaf Hoxha. Ai arratiset nga Shkodra, kalon kufirin dhe del në Mal të Zi, së bashku me djalin e Zina Dugagjinit, vëllain e Lek dhe Irena Dugagjinit. Nga Mali i Zi ata shkuan në Amerikë, në Boston. Ende edhe sot është këtu me profesionin meek. Ministria e Punëve të Brendshme e lajmëroi Enverin, se ishte një anëtar i familjes, djali i Vehipit që është arratisur. Enveri nuk ka shfaqur ndonjë reagim, siç tregonin më parë njerëzit e shtetit, që e ruanin, ndonjë acarim ose shenjë që të vepronte. Të internuarit, thonin se Enveri kishte mundësi që t’i mbante këta në Tiranë. Unë njoh një familje në Shkodër që dajën e vet e ka pasur të arratisur dhe aty vazhdoi të jetonte.
E kam fjalën që mund të bënte diçka që t’i mbante. Por ndodhi e kundërta; nga ftohja që kishin kaluar këta 1 ose 2 vjet nga arratisja, të nesërmen, me urdhër të kujt, nuk dihej atëherë, makina skonde me rimorkio shkoi përpara shtëpisë së Veip Hoxhës, shtëpia që ishte te Blloku, nuk ishte shumë larg shtëpisë së Enverit, mund të ishin një ose dy blloqe, ishin rrethi i dytë ose i tretë i familjarëve të tij. Në qendër, ishte Byroja Politike ndërkohë qe ato ishin pak më larg. Dhe, siç tregojnë ato tani edhe në librin e Neriman Hoxhës ”Duke kujtuar më dridhet Zemra” – (Nëpër kampet e internimit komunist), ato i ngarkuan me plaçka dhe na çuan në Savër të Lushnjës. Aty, kur erdhëm këta në kamp, ku unë e njoha xha Vehipin, por edhe tërë kampi, si njeri me kulturë të madhe, një i moshuar pedant, i veshur mirë, që rrinte gjithmonë me rroba të kushtueshme dhe mbante kollare.

Por xha Vehipi kishte diçka të veçantë: ai ishte koleksionist i pullave postare.

Mund të kishte një koleksion të tijin me mbi 150 shtete ose ora dhe nuk dihej nga i kishte gjetur. Madje, nëse kishte pulla ti ose ndonjë fëmijë që i kishte, i jepte 10 ose 20 lekë, vetëm për t’ia blerë. Më kujtohet, dikush aty, sikur vjet, kishte disa pulla të Sierra Leones, bashkë me zarfe. Xha Vehipi i jep atij djalit, një shokut tim, 20 lekë, për t’i marrë dy pulla që t’i bënte pjesë të koleksionit të tij. Këta kishin një familje që tregonte kulturë. Të shkoje dhe të rrije në familjen e tyre, vinte era qytet, në një barakë, në një dhomë 4 x 4, dhe një para dhomë, 3×3 , ku tregonin kulturën dhe qytetërimin. Mbaj mend që sa herë shtronim bukën, drekën ose darkën, në tavolinë s’kishte pjatë pa pasur lugën e vet, pirunin dhe pecetën. Katër a pesë veta sa ishin ata, linin pesë pjata, me njërin krah lugët e pirunjtë, me një krah pecetën dhe vinte me atë tasin me atë çka kishin gatuar dhe e shpërndante nëna e tyre; nëna e tyre ishte shumë e pastër, karakteristikë e këtyre Aneve gjirokastritëve. Por ajo kishte një gjë tjetër përveç papastërtisë: ndoshta e kishte të lidhur me shëndetin: ajo merrte një tenxhere të madhe, e lante me sapun, dhe më pas sa herë blinte fruta, domate, dardha, mollë, i fuste aty, i shpëlante dy – tri herë dhe pasandaj do t’i hante e do të gatuante për fëmijët se kjo ishte dhe kultura e tyre.

Mirëpo, ajo që më ka ngelur ndërmend që nuk e harroj nga familja Hoxha dhe tri motrave, është se në librin e saj biografik, Suzani, njëra prej tyre vajzave që kemi punuar bashkë, (si dhe Nerimani dhe Andani), përmendet Andani, e cila ka qenë tenistja e parë shqiptare dhe mbante disa fotografi që na tregonte në burg, me fustanin e shkurtër e të bardhë të tenisit dhe një bluzë të kuqe me ngjyrën e Shqipërisë që përfaqësonte kombëtaren shqiptare të tenisit. Andani dinte anglisht, Suzani dinte italisht ndërsa Nerimani dinte rusisht. Ndërsa Vehipi i dinte të tre këto gjuhë, si dhe turqisht, se e kishte gjuhë të vetën që e kishte mësuar në shkollë. Para se ata të vinin në internim, kur ishte Vehipi drejtor banke, këto ishin që të gjitha mësuese: mësuese anglishteje, mësuese italishtje dhe rusishteje. I kanë marrë nga shkolla dhe i kanë sjellë atje. Në kujtimet e saj, në librin e fundit që ka bërë, Suzani në një faqe prej tyre, nuk ka harruar një pjesë të jetës sime që unë kam përjetuar atje, të fiksuar në mendjen e saj deri pas ardhjes së demokracisë dhe largimit, kur nuk u pamë më, prej vitit 1990.
Një gjë që e kishte vërejtur ajo dhe jo unë, ishte se në Qendrën e Emulacionit ku vendoseshin gazetat, unë shkoja të lexoja vetëm faqen e fundit të gazetës, “nekrologjinë” dhe faqen e informacioneve ndërkombëtare. Këtë, duket se ma ka vërejtur ngase faqja e gazetës ishte e madhe, ku unë përqendrohesha. Dhe kur më pyeste rrugës, kur diskutoja për ndonjë gjë, unë i tregoja çka ka ndodhur në Paris, Romë, të gjithë lajmet, demonstratat e sotme si p.sh : “Roma është përfshirë në demonstrata të mëdha kundër qeverisë” për luftën e Vietnamit: “Në Amerikë kishin filluar protesta të mëdha kundër luftës së Vietnamit”. Këto gjëra i lexoja dhe kur ecja me të, unë ia komentoja. Kjo më ka parë më vëmendje. Unë, prandaj, i lexoja me vëmendje. Ajo më thotë në një takim të fundit në 2005, kur shkova për herë të pare në Shqipëri, mbas 15 vjetëve : “Te Beqiri, si fëmijë 15 vjeçar, prej atëherë, pashë se ishe njeri i zgjuar dhe shumë interes për të ditur. Tani vonë, që mësova se Beqiri shkoi në Amerikë, fati e solli dhe e bëri gazetar, si i babai i tij. Aty e kuptova se Beqiri, ishte njeri i zgjuar, kishte qejf të dëgjonte dhe të mësonte shumë nga bota, sidomos nga ato çka ndodhnin në lajmet ndërkombëtare.

-Pra, i takove ato!

– I takova pasi erdha në Shqipëri, në 2005. Edhe nëna ishte gjallë atëherë, s’kishte vdekur andej. Xha Vehipi vdiq në 1961, më duket. Aneja, kur më pa, me atë tonin gjirokastrit, tha: – “Ua, kush më ka ardhur! Beqir djali! Hajde, bre Beqir djali, të të përqafoj unë njëherë! Po ti je bërë burrë e me fëmijë! Po sa jam gëzuar që jeni rregulluar! Më përqafonte sikur të përqafonte Asafin, djalin e saj, sikur Asafi të kishte ardhur nga Amerika e jo unë.

-Po me Asafin, a je parë ?

– Jeton në Boston, është doktor, ka klinikën e vet.

-Po thanë, I kemi vënë kontaktet , tani sepse nuk kemi më mbi “kokë” atë që na e mori jetën, ty, ne dhe sa e sa familje tona!

-Më pyetën për Asafin, u ulëm të bisedonim, filluam të kujtonim kujtimet e asaj ane. Nënë Aneja e mbante mend nënën time, kur vinte nga puna e lante rrobat te çezmja jonë. I pastronte rrobat deri vonë në darkë, derisa të lirohej nga çezma; çfarë njeriu ishte, – thoshte, – sa e dashur e fjalëmbël ishte! Dhe këto kujtime na mbajtën thuajse një orë ose më shumë. Më lutën të rrija për drekë atë dite, unë i kisha qejf drekat e tyre sepse kisha ngrënë me ta disa herë, ato gatimet e tyre të veçanta. Dhe më lutën atë ditë, të uleshim, dhe më thoshin: “siç të kemi dhënë në tavolinë, kur ishe fëmijë, kur ishe 15 – 16 vjeçar.” Me atë kënaqësi të nostalgjisë që kisha që në vogëli, u ulëm aty me to. Nënë Aneja vet bëri një sallatë me domate. Dhe, na bëri makarona me mish të grirë; u dendëm e u kënaqëm duke më pyetur, dhe më pyetën në kisha takuar Asafin në Boston. Unë u thashë se isha larg, se jetoja në Neë York, dhe se “t’ju them të drejtën, nuk më ka rënë ndërmend, por kur të shkoj atje, do ta takoj Asafin.”

Kur shkova në Boston, për here të parë në një takim me Antoni Athanas, dhe së dyti kur isha 100 vjetorin e Meshës së parë shqip, nga Noli, rasti më ra të kërkoja Asafin, por më thanë që ai nuk ishte aty. Kishte shkuar me pushime në Kaliforni dhe nuk e kam takuar ende.

-Po me Enverin, çfarë u bë? U thashë me të qeshur!

Beqir,-Për Enverin kishim një urrejtje të jashtëzakonshme, por kistim frikë se na e bënte edhe më keq gjëmën ashtu si na e bëri. Ai ishte i ligë jo vetëm me shqiptarët por edhe me njerëzit e tij, nuk kishte aspak mëshirë. Dhe për të mendonim se kështu ka qenë gjithmonë ai. Ishte një shprehje e tyre e zakonshme te ne të internuarit që ishim bashkë : Si ka mundësi që ju pruri këtu, nuk ju la atje? – Ishte një njeri i tillë, “shpirtligë” dhe dinak : “Ndodhi një ftohje, iku dhe Asafi, dhe ai mori hak. Ai ndoshta, nuk mund të internonte një familje për një anëtar pa u dhënë më parë firma”; domethënë, kjo ishte e vetëkuptueshme.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -