28.3 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

Sunny Hill në Tiranë, bëhet i ditur lokacioni ku do të mbahet

Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Ky festival që organizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Tiranë. Hapësira ku do të mbahet festivali është parku buzë liqenit artificial të Tiranës.

Dukagjin Lipa, një prej organizatorëve të festivalit “Sunny Hill” njoftoi dje se festivali s’do të mbahet sivjet në Prishtinë.

Ai tha se shkaku i zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për tokën që komuna u ndau, kanë marrë vendim që ta mbajnë festivalin në Tiranë.

Të menjëhershme ishin reagimet e Kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Veliaj publikoi në InstaStory njoftimin e festivalit, derisa Rama reagoi i ekzaltuar për këtë lajm.

“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkroi Rama.

Tashmë është zbuluar edhe lokacioni ku do të mbahet festivali.

- Advertisement -

Shpat Begolli, anëtar i ekipit organizativ ka zbuluar se festivali do të mbahet në parkun buzë liqenit artificial të Tiranës.

Ai tha se Bashkia e Tiranës është zotuar se do t’i bëjë të gjitha adaptimet që festivali të mbahet aty.

“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.

- Advertisement -

Begolli ka thënë thënë se gjithmonë kanë pasur ftesë nga Tirana që festivali të mbahej atje, por që ka thënë se zgjedhje e tyre ishte Prishtina.

Ndër të tjera, Begolli ka treguar se ata që kanë blerë biletat mund t’i kthejnë ato dhe t’i tërheqin paratë por që ata që vendosin të shkojnë në Tiranë nga Prishtina do të kenë lehtësira si, mbulimi i transportit.

Ndryshe, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka dalë me një komunikatë lidhur me zhvendosjen e Festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë. Vonesat nga kjo ministri u konsideruan si arsyeja kryesore e largimit të festivalit këtë vit, teksa komuna ka thënë se e ka bërë të pamundurën që të mos e humbasë organizimin.

MAPL në reagim thotë se ka kërkuar dokumente shtesë dhe sqarime për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim.

“Sqarim lidhur me procesin e vlerësimit të vendimit lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale “The Sunny Hill”. Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhet në reagim.

Tutje MAPL tregon pse ka kërkuar sqarime shtesë nga komuna:

“Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022.

Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:

a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;

b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces. Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.

Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë.”

Të fundit
Lajme të lidhura