2.6C
Pristina
2 Mars, 2021 - 23:53

Studimi amerikan: Njerëzit më të sigurt nga Covidi kur fëmijët janë në shkolla

Sipas një hulumtimi të hollësishëm të kryer në dy shkolla amerikane, përkrahet qëndrimi se fëmijët nuk e përhapin koronavirusin në shkollë, nëse merren masat e duhura.

Nga 3.500 nxënës, vetëm 235 raste të koronavirusit u dokumentuan gjatë semestrit vjeshtor, raportuan hulumtuesit në një studim të publikuar në internet.

Në bazë të të dhënave të këtij hulumtimi, vetëm 9 për qind e nxënësve që sollën infeksione të reja në shkollë i infektuan të tjerët, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Nuk pati dëshmi të transmetimit të virusit nga nxënësi te mësuesi ose nga mësuesi te nxënësi”, thuhet në studim.

“Sipas njohurive tona, ky është studimi i vetëm gjithpërfshirës dhe afatgjatë që i ka testuar të gjithë nxënësit e grupmoshës K-12 dhe stafin nga gushti deri në dhjetor, duke e bërë studimin e vetëm ku vërtet shohim gjasat për përhapjen e sëmundjes në këtë grupmoshë dhe përhapjen e vërtetë në shkolla”, tha Dr. Darria Long nga Universiteti i Tennessee-s, që punoi në këtë hulumtim.

Ekipi i hulumtuesve nuk i tregoi emrat e shkollave, për u tha se njëra ishte në pjesën juglindore të ShBA-së, ndërsa tjetra në pjesën lindore. Shkollat ishin duke i zbatuar masat e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, përfshirë përdorimin e maskave dhe distancën sociale.

“72 për qind e përhapjes së rasteve në shkollën A ishin të lidhura me mosrespektimin e rregullave për vendosjen e maskës”, thuhet në hulumtim.

“Fëmijët mund ta marrin dhe ta përhapin Covid-in, por shkalla e sëmundjes kur ata janë në shkollë është më e ulët sesa shkalla e sëmundjes kur ata janë jashtë saj, duke lënë të kuptohet se komunitetet janë në rrezik më të ulët kur fëmijët janë në shkolla”, thuhet më tej në studimin amerikan.

Të fundit

Të tjera nga rubrika