Studenti kosovar e ka bërë për pesë pare ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiqin teksa po merrnin pjesë në Universitetin e Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar, teksa ky i fundit ishte i ftuar të flasë në Dhomën e Debatit të Cambridge Union.
Leart Ajvazaj, ia rreshtoi faktet Jeremiqit, duke nënvizuar faktin se Serbia asnjëherë ska kërkuar falje për krimet e kryera.
Studenti kosovar foli për kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin duke e cilësuar atë si një “diktator i çmendur” që kishte pasë Serbia.
Ai e ceki se Serbia e sotme nuk dallon nga ajo që udhëhiqej nga Millosheviqit. Madje, thotë se po vazhdon e njëjta narrativë, nga ish-ministri i Propagandës tani president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Studenti kosovar përmendi faktin se si 744 shqiptarët u vranë në Kosovë e që u varrosën në një varr masiv në Batajnicë dhe pyeti Jeremiqin se si i përgjigjet këtyre fakteve.
“Në këtë muaj [janar] shënohet 25 vjetori që kur 45 shqiptarë janë marrë nga shtëpitë e tyre në fshatin e vogël të Reçakut dhe janë vrarë nga trupat serbe. Në Serbi kjo sot konsiderohet teori konspirative dhe ky është qëndrimi i shtetit serb – i njëjti shtet në të cilin keni shërbyer. I njëjti shtet që ka vrarë 13 mijë civilë në vitet 98/99, përdhunoi mijëra gra dhe me forcë zhvendosi një milion shqiptarë jashtë shtëpive të tyre, përfshirë edhe familjen time. Unë s’kam dëgjuar asnjë falje nga shteti serb, ju s’e keni përmendur këtë gjatë kohës sa keni shërbyer si ministër i jashtëm dhe ju flisni për Millosheviqin, si një përvijues i madh, oh ai ishte diktator i çmendur, ai ishte Sadami ynë. Tani nuk kemi diçka të tillë. Epo, kjo qartësisht s’është e vërtetë. Nëse shikoni Serbinë më parë Millosheviqit për aq sa Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia, këto plane të shfarosjes së shqiptarëve kanë ekzistuar. Lexo Çubriloviq, lexo Andriqin dhe nëse e shikon Serbinë që nga Millosheviqi, që kur ai vrau veten e tij… ju keni pasur lloj-lloj nacionalistësh në modë që thonë se ‘ne nuk e duam Millosheviqin’, por nxjerrin budallallëqe për Kosovën dhe më pas keni njerëz si ai që ka drejtuar qeverinë në 10 vitet e fundit, i cili fjalë për fjalë është dishepull i Millosheviqit, ai që ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit. Më falni, por kjo është thjesht qesharake”, tha ai kur mori fjalën.
Ai e pyeti Jeremiqin se si përballet me këto fakte.
Në përgjigje Jeremiq iu shmang pyetjes direkte duke tentuar që të shprehë pikëpamjen e tij për “paqen” dhe “të vërtetën”. Ai përmendi edhe “shitjen e organeve” si e “vërteta tjetër”, por edhe këtu i ndërhyri Ajvazaj, duke i kujtuar se nuk ka prova për këtë.
“Unë personalisht mendoj që krimet e kryera në Ballkan në të 90-at janë të tmerrshme dhe s’duhen të mbrohen në asnjë mënyrë. Por, ato nuk janë kryer ekskluzivisht nga njëra palë dhe e vërteta është shumë ndryshe kur shikohet konteksti i dikujt që ka pasë familjen të rrëmbyer, të vrarë, të dërguar në varrin masiv në Batajnicë ose familja e dikujt e cila është rrëmbyer dhe më pas i janë nxjerrë organet dhe janë shitur në tregun e zi e që ka ndodhur te një numër…”.
“Më fal, s’ka prova…është bërë një raport që ka çuar në një gjykatë speciale dhe kjo gjykatë nuk ka prova që ka ndodhur diçka e tillë, prandaj kjo është vetëm propagandë”, tha Ajvazaj.
“Më lejoni që të mos pajtohem me ty sepse mënyra se si e kuptoj të vërtetën nuk është ky rasti. Na duhet ta kuptojmë versionin e të vërtetës së njerëzve të tjerë nëse ne duam vërtet paqe”.
Jeremiq vazhdoi duke thënë se Kosova për serbët është “vend i shenjtë” dhe “vendlindje” e serbëve.
“Shumë prej nesh në Serbi, përfshirë edhe veten, e konsiderojmë Kosovën vendin më të shenjtë të eksiztencës serbe, vendlindja e shtetit serb, vendlindja e kishës serbe, vendlindja e gjithçkaje që ne ndiejmë për veten tonë si një identitet etnik”, tha ish-ministri serb.
Videoja nga debati: