fbpx
3.3 C
Pristina
E shtunë, 4 Shkurt, 2023

SkandaIoze: Dyshime se korrupsioni në Ministrinë e Liburn Aliut, hëngri afro 2 milionë euro te ‘Kroni i Mbretit’

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Te vendi i njohur ‘Kroni i Mbretit”, që shtrihet buzë magjistrales Prishtinë -Pejë, asfalti në gjysmën e poshtme të rrugës është shtruar rishtazi. Lart ka mbetur i gërryer që rreth tre vjet. Në fakt, asfaltimi, por edhe gërryerja e kanë një histori që çon në korrupsion. Në këtë vepër të keqpërdorimit dyshohet se ka gisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu…

Në vitin 2020, rruga ishte gërryer disa kilometra në të dy anët e magjistrales, prej Komoranit deri në afërsi të Parkut të Biznesit. E në vitin që lamë pas, u vendos që të asfaltohet vetëm një pjesë e saj në të dyja anët. Kjo për shkak se kompanisë nuk i doli fitimi, madje do të shkonte në humbje afro 2 milionë euro, pasi kur e kishte fituar tenderin, pozicionin për asfalt e kishte vendosur në ofertë vetëm 5 cent m2 dhe kishte fryrë dukshëm pozicionet tjera të cilat do të kryheshin pashmangshëm.

- Advertisement -

MMPHI si kontraktor nuk e obligoi të shtronte shtresën e asfaltit prej 4 cm. Nëpërmjet një komisioni ia pranoi krejt punën dhe ia pagoi paratë edhe për 20 për qind më shumë se vlera e kontratës.

Ajo hapësira e vogël që është asfaltuar në vitin e kaluar është jashtë standardeve për të garantuar jetëgjatësinë dhe efikasitetin e shpenzimeve të fondeve publike për këtë qëllim. Këtë e ka vërtetuar zyrtarisht vet Ministria e Infrastrukturës.

Laboratori i ministrisë vërteton se asfalti i shtruar është jashtë standardeve

- Advertisement -

MMPHI e ka të kontraktuar një laborator i cili bën ekzaminimin e materialeve ndërtimore dhe konstruksioneve, që quhet IMK “Ballkan Projekt” shpk.

Në çdo projekt, zyrtarët e ministrisë dalin në vendpunishte bashkë me laboratorin dhe shohin nëse materiali i vendosur ndërtimor është konform standardeve dhe kontratës. Kështu kanë vepruar edhe me asfaltin që është shtruar vjet në verë.

Periskopi ka kërkuar qasje për të parë rezultatin e raporteve dhe ministria na ka dërguar katër sosh.

- Advertisement -

Raportet që janë hartuar në korrik 2022, flasin për punime skandaloze që janë jashtë standardeve të rrugës.

Aty shihet se në asfalt mungojnë fraksionet e agregatit (grupi i zhavorit).

Asfalti nuk është i punuar me gurë eruptiv, por gurë gëlqeror.

Edhe përqindja e bitumit është e ulët. (Për prodhim të asfalt-betonit si material lidhës përdoret bitumi për sipërfaqe qarkulluese).

Jashtë parametrave është edhe filleri (mielli guror ose filleri është material guror me madhësi të kokërrave më të vogla se 0.71mm. Pjesa e miellit guror kokrrat e të cilit janë më të vogla se 0.09mm, quhet mbushës. Përmbajtja e grimcave të imëta ndikon në indeks të ngurtësimit të bitumit, sepse prej cilësisë së mastiks bitumit (bitumi + fileri) varet karakteristika kohezive e përzierjeve të asfaltit. Roli i mastiksit është që jo vetëm të lidh kokrrat e agregatit po edhe të mbush zbrazëtirat në skeletin guror).

Më thjesht, asfalti duhet të përbëhet nga shumë komponentë për të qenë i lidhur ndër vete për rezistencë, dhe disa nga thërrimet e komponentës mungojnë, e disa kanë vlera shumë të ulëta të qëndrueshmërisë. Si rezultat, mungesa e këtyre komponentëve e bënë koston shumë të ulët të prodhimit të asfaltit.

Pra, asfalti është një përzierje e komponentëve përbërëse të vendosura e të ngjeshura në shtresë të caktuar. Përzërja e asfaltit është përzierje e agregatit të granuluar dhe bitumit të caktuar, më ç’rast të gjitha kokrrat e agregatit janë mbështjellur me bitum, dhe agregati është çdo material me prejardhje nga guri, i garantuar i cili përdorët në projektimin e përzierjes të asfaltit.

Çka identifikoi laboratori i ministrisë në këtë projekt?

Raportet janë të ndara me metrazh. Psh, tek profili P-180 m Parku i Biznesit në Korroticë, përqindja e bitunimit të kërkuar është mbi 6, ndërsa ka rezultuar të jetë 4. 87.

Përqindja e fillerit është dashur të jetë mbi 10, dhe ka rezultuar 4.77.

Laboratori ka vërejtur se trashësia e kërkuar prej 4 cm e asfaltit, në shumë pjesë është nën këtë kuotë, duke shkuar deri në 2.99 cm,

Laboratori nuk ka mundur të identifikojë llojin e bitunimit, pasi nuk i është ofruar mostra për ekzaminimet paraprake.

Ndonëse, nuk ka qenë kontraktor i këtij, pjesa e asfaltit në Korroticë është shtruar nga kompania “Bageri”. Kompani kjo për pronarin e të cilës, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Dumrishi ka thënë se e ka shok. Asfalti i identifikuar, i prodhuar për aty është bërë nga “Kosova Asfalt”, kompani kjo që është në emrin e djalit të pronarit të “Bagerit”.

Pse nuk u asfaltua pjesa e gërryer?

Në fillim të korrikut të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar një kontratë kornizë për tre vjet që quhej “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”.

Kontrata ka qenë e ndarë në 2 lot (pjesë).

Pjesën e dytë e kishte fituar grupi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban” në vlerë prej 3,500,654,70 euro. Lot 2 ka të bëjë me mirëmbajtjen: Segmenti Besi -Gjurgjicë, udhëkryqit të autoudhës A7/A6 – deri në Konjuh dhe kyçja me rrugën nacionale N2.

Kontrata ka pasur validitet deri në fund të muajit korrik 2022. Pra, rruga ishte gërryer nga kompanitë “Damstation Project & Via Engantia& Urban” .

Mëshohet se aty janë gërryer 220 mijë m2 asfalt, që aktualisht në treg kushton mbi 7 euro m2 i asfaltit me fibra, e që kompanisë do t’i kushtonte rreth 1.5 milion euro, po ta asfaltonte. Por, kompania, sipas kontratës e cila është e publikuar në KRPP, te lista e çmimeve të kontratës, kapitulli 5 që ka të bëjë me “Mirëmbajtja e shtresave të asfaltit”, pika 5.5 ka paraparë pozicionin “Shtesa e re qarkulluese SMA, 11 me trashësi mesatare prej 4 cm me gërryerje”. Në këtë kontratë, për tre vjet, për këtë pozicion kanë qenë të parapara të asfaltohen sasia prej 210, 600. 00 m2, në një vlerë prej 0,5 cent për m2. Totali i saj i bie vetëm 10 mijë e 530 euro.

Pra, siç shihet, kompania kishte ofertuar me çmime të ulëta te ky pozicion vetëm që ta fitonte kontratën, duke mos llogaritur që do të kërkohej asfaltimi i rrugës, ndërkohë në pozicionet tjera kishte vendosur çmime tejet të larta. P.sh, duke e ditur se në terren mund të shfaqet nevoja vetëm për riparim të ndonjë pjese të rrugës, kishte vendosur çmim prej 12 euro për m2 për pozicionin 5.2 “Riparimi i gropëzimeve, gjurmëve, plasaritjeve të shtresës qarkulluese deri në 4 cm trashësi”. Për këtë pozicion ishin paraparë intervenimi në 1200 m2 në një çmim prej 14,400 euro. 99 mijë euro ishte paraparë vetëm pastrimi dhe larja se paku 2 herë në vit e sipërfaqes qarkulluese për 165 km, që i bije 600 euro për 1km. Shumica e pozicioneve kanë pasur çmim prej 10 centëve.

Periskopi ka kërkuar qasje në pagesat e kryera në secilin pozicion, por MMPH ka ofruar shifra blanko të paguara, pa u ditur se për cilin pozicion janë kryer.

Bazuar në këto pagesa të bëra, shihet se janë paguar rreth 700 mijë euro më shumë se sa vlera totale e kontratës.

Më 2019 janë paguar 741, 378 euro.

Më 2020: 959, 508 euro

Më 2021:1, 972, 846 euro

Më 2022: 525, 692 euro

Derisa vlera e kontratës së nënshkruar ka qenë 3.5 milionë euro, ministria ka paguar rreth 4.2 milionë euro, ose kontrata është rritur për rreth 20 për qind.

Megjithëkëtë, bazuar në kontratën të cilën e ka parë Periskopi, MMPHI ishte kujdesur me kohë që ajo të mund të rritet deri në maksimumi 30 për qind. Por kontrata parashihte se ajo mund të ekzekutohet dhe ndër 30 për qind të vlerës totale.

Rrugës iu bë pranimi teknik

Periskopi ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës ka lëshuar referenca për punët e kryera, për kompaninë “Damastion Project” më datë 03.03.2022 , për kryerje të punimeve, pa përfunduar kontrata dhe pa u përfunduar disa pozicione të kontratës. Pra bëhet fjalë për referencat e projektit “Mirëmbajtja e Autostradës A7 Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, pos që është lëshuar referencë për kontratën që nuk ka përfunduar, Periskopi posedon edhe dy procesverbalet për pranimin teknik të punimeve në këtë rrugë.

Siç shihet nga dokumentet e lëshuara të ministrisë, pranimi teknik i punimeve për vitin 2019/2020 , ku pozicioni 5.5 nuk është realizuar asnjë sasi, është 0.

Po ashtu, pranimi teknik i punimeve për vitin 2020/2021, për të njëjtin projekt, ku për pozicionin 5.5 është realizuar vetëm sasia prej 8840m² , nga 210,600.00 m² sa kanë qenë të parapara në Paramasë dhe Parallogari.

Referuar Ligjit të Prokurimit Publik -LPP mbi të cilin edhe realizohen kontratat publike, ministria ka vendosur kriter fiktiv, në kundërshtim me LPP-në, kur ka përmendur termin ‘Referencat’.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e kishte sqaruar këtë para pak ditëve te rubrika Pyetje dhe Përgjigje, ku palët e ndryshme kërkojnë interpretim të LPP-së, ky institucion u përgjigjet:

“Në asnjë nga dispozitat 65-70 të LPP-së nuk përmendet termi ”Referencë” në kuptim të dëshmisë që një operatorë ka kryer në mënyrë të kënaqshme një kontratë. Kjo mund të dëshmohet me Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim të kënaqshëm të projekteve, e cila dëshmi përmendet në nenin 69- te LPP-së. Megjithatë , nëse Autoriteti Kontraktues kërkon referenca për realizim të kënaqshëm të kontratave, duke specifikuar minimumin e numrit të referencave në Dosjen e tenderit , dhe në Njoftimin për Kontratë, referencat duhet të jenë për kontratat e specifikuara në Listën e kontratave dhe duhet të sillen nga anëtari i grupit , nëse i njëjti ka qenë ekzekutues i kontratave përkatëse, në mënyrë që të konsiderohet se kërkesa është përmbushur nga grupi si tërësi”, thuhet në interpretimin e KRPP-së.

Pra, shprehimisht KRPP-ja ka thënë se autoritetet kontraktuese nuk mund të vendosin si kritere, kërkesën ‘Referenca për punët e kryera’, por Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim të kënaqshëm të projekteve.

Tek dokumenti i lëshuar për ‘Referenca’, nënshkrimin e kanë hedhur ish-Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi dhe Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Qypeva.

Durmishi kërkonte hetime

Zëvendësministri, Hysen Durmishi ka lëshuar një deklaratë tejet kundërthënëse, kundruall vendimit që ka marrë ministria që ai drejton për t’i lëshuar referencë për punët që si ka kryer. Deklarata e tij sikur ishte në cilësinë e personit që operon si i pavarur nga ministria, dhe jo si autoriteti kryesor aty.

Pas të gjitha këtyre veprimeve, zotëri Drumishi në vitin e kaluar në një intervistë televizive ka thënë se me kontratën e cila ishte akoma valide edhe pak ditë, e cila po realizohej nga “Damastion”, duhet të merret prokuroria.

“Kemi situata kur çmimi i asfaltit ka qenë 1 cent e 5 cent. Në çmimet e tregut për atë pozicion ka qenë 10 euro, tash është edhe më shumë. Pra, ka pasur pozicion 200 mijë m2, çmimin në kontratë e ka pasur 5 cent, që për krejt bëjnë 10 mijë euro, kurse çmimi i tregut është 2 milionë euro, dhe më pastaj nuk i ka realizuar punimet, sepse janë marr veshë paraprakisht që ne po e qesim këtë pozicion dhe ti me këtë pozicion e fiton kontratën, po ti s’ki me punë këtë punë. E me këtë duhet të merren gjykatat dhe prokuroria”, ka thënë Durmishi në një intervistë për ATV-në.

Pas kësaj interviste, kompania “Bageri” në kuadër të kontratës, ishte autorizuar që të asfaltojë një pjesë të vogël të asaj rruge, dhe siç shihet nga raportet, asfalti është jashtë standardeve të kërkuara. Rruga që ka mbetur e grryer, do të asfaltohet me një kontratë të re, ku punët që do të kryhen aty, do të kushtojnë afro 2 milionë euro. /PERISKOPI/

Raporti 1 (Këtu)

Raporti 2 (Këtu)

Raporti 3 (Këtu)

Raporti 4 (Këtu)

- Advertisement -

Të fundit

Kurti thotë se politikanët që morën vendime në dëm të popullit, duhet të dënohen me burgim të përjetshëm

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka thënë se politikanët e Kosovës, që morën vendime në dëm të...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -