fbpx
-3.6 C
Pristina
E mërkurë, 8 Shkurt, 2023

Si funksionon nënkryetari i vetëm shqiptar mes serbëve në Graçanicë

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Kur nuk përzihet politika e nivelit të lartë, serbët dhe shqiptarët në Kosovë mund të bashkëjetojnë e bashkëveprojnë pa asnjë problem.

Këtë deri më tani e dëshmon komuna e vogël e Graçanicës e cila ndodhet pak kilometra larg kryeqytetit e që dominohet kryesisht nga komuniteti serb.

Në një hapësirë të vogël, në katin e tretë të objektit të komunës së Graçanicës gjendet zyra e Leutrim Ajetit, nënkryetar i komunës. Ai është i vetmi shqiptar në kabinetin e kryetares së Graçanicës, i cili është i mbushur me serbë.

- Advertisement -

Kryetarja Ljiljana Subaric vendosi që për herë të parë të marrë në kabinet një shqiptar që prej themelimit të kësaj komune në vitin 2010. Partitë shqiptare ishin bërë bashkë para një viti dhe Ajeti ishte emëruar në atë pozitë nga komunitetet, pasi ishte plotësuar edhe kushti ligjor për këtë.

Në cilën gjuhët flet ai me drejtorët dhe stafin e kryetares, A i delegohen kompetencat atij kur mungon kryetarja, cila është marrëdhënia e tij me drejtorët, a po përfshihen në buxhet kërkesat e shqiptareve… për të gjitha këto, e kemi në një intervistë ekskluzive të fundvitit për Periskopin.

Intervista e plotë:

Periskopi: Sa shqiptarë janë në ekzekutivin e Graçanicës?

- Advertisement -

Ajeti: Të gjithë drejtorët janë të komunitetit serb. Prej ekzekutivit komunal shqiptar jam veç unë dhe ky është obligim ligjor, gjë që më herët nuk është zbatuar. Pra për herë të parë një shqiptar është në ekzekutiv, unë jam në pozitën e nënkryetarit. Në zgjedhje jemi bërë të gjitha partitë shqiptare bashkë, fillimisht jam zgjedhur në asamble komunale, pastaj jam emëruar si nënkryetar për komunitete.

Periskopi: Pos jush, a ka shqiptarë tjerë në komunë, për shembull në pozita tjera, sikurse në administratë?

Ajeti: Admistrata ka diku rreth 70 të punësuar, me sa di diku janë 4 ose 5 shqiptarë. Po ashtu, asambleja komunale përfaqësohet me një asambleist komunal, meqë unë isha zgjedhur, pas emërimit tim nënkryetar, ka ardhur një asambleist.

- Advertisement -

Periskopi: A jeni pjesëmarrës në mbledhjet e kabinetit që i mban kryetarja Ljiljana Subaric me drejtorët?

Ajeti: Zakonisht marr pjesë, por kur nuk mund të takohem me kryetaren, kam takime në baza ditore informuese dhe për planet e punës ditore apo javore e më afatgjate.

Periskopi: Në çfarë gjuhe komunikoni me kryetaren dhe drejtorët?

Ajeti: Komunikimin e bëjmë në gjuhën serbo-kroate. Kam punuar edhe më herët si zyrtar në komunën e Graçanicës. Rreth 10 vite kam qenë në zyrën për komunitete dhe kthim dhe kjo ma ka bërë më të lehtë që të njohë të gjitha problemet dhe të kem qasje më bashkëpunuese me të gjithë në komunë.

Periskopi: Çfarë marrëdhënie keni me drejtorët?

Ajeti: Me të gjithë kam marrëdhënie të shkëlqyeshme. I shikojmë problemet e nivelit lokal dhe mundohemi që çdo ditë të jemi krahas kërkesave të qytetarëve.

Periskopi: Konkretisht cili është roli juaj në komunë, me çka merreni gjatë orarit prej 8 orëve punë?

Ajeti: Zakonisht njëherë takohem me kryetaren, pastaj edhe me ndonjë zyrtar tjetër për të shikuar se si e kemi agjendën ditore. Për shembull kemi punë në terren, ku inspektojmë punimet në infrastrukturë, pastaj gjatë ditës mund të kemi takime të ndryshme me zyrtarë të qeverisë, komunave tjera. Por shpesh dita na zë edhe më shumë se ora 16, p.sh dje e pata një takim me qytetarët e Kishnices që është me shumicë shqiptare. Diskutova për shqetësimet tyre dhe kërkesat që i kanë për vitin e ardhshëm.

Periskopi: Kur mungon kryetarja në komunë, a ua delegon punët juve, apo dikujt tjetër nga kabineti?

Ajeti: Nga fillimi jemi marr vesh se kur mungon ajo, dokumentet i nënshkruaj unë. Pra është njëfarë zëvendësimi i saj. Nënshkrimet i bëj edhe kur ajo është shumë e zënë.

Periskopi: Meqenëse jeni nënkryetar për komunitete, kush nga ta është më aktiv dhe ju vjen më shpesh në komunë?

Ajeti: Çdo dy javë kam takime me komunitetin rom. Ata vijnë në komunë dhe i paraqesin kërkesat e tyre, apo ato se çka kanë për të diskutuar. Janë një komunitet shumë aktiv dhe i kanë kërkesat bukur të qarta, mund të them.

Periskopi: Sa keni pasur mundësi t’i përfshini edhe kërkesat e shqiptarëve në buxhetin e vitit të ardhshëm?

Ajeti: Në fakt kemi edhe kërkesa të mëhershme që nuk kemi mundur t’i përfshijmë sivjet. E kemi bërë dëgjimin publik dhe kërkesat kanë ardhur nga këshillat e fshatrave Kishnices e Shushicës, Suadollit dhe disa vendbanimeve tjera. Kemi mundur t’i përfshimë vetëm kërkesat më të domosdoshme. Për ndryshe kemi nënshkruar një memorandum më Ministrinë e Infrastrukturës për asfaltim dhe trotuare në disa zona ku ka edhe vendbanime më shqiptarë.

Periskopi: Cilat janë kërkesat më të mëdha të komunitetit shqiptar?

Ajeti: Po kanë kërkesa për problemet e shëndetësisë. Jemi duke bërë hapa që ta zgjidhim këtë probleme, për objekte shëndetësore dhe për staf të shtuar. Pastaj transporti publik është një problem në vete, kryesisht në vendbanimin e Kishnicës. Për këtë e kemi nënshkruar një memorandum me komunën e Prishtinës që Trafiku urban të shkojë deri atje.

Periskopi: Cilat janë kërkesat më të mëdha që i adreson komuniteti serb?

Ajeti: Po çështjet infrastrukturore janë kërkesa të vazhdueshme. Pastaj ka një kërkesë shumë të madhe për punësim, ndoshta që është edhe problemi më i madhe që ata e paraqesin. Kemi kërkesa shumë edhe për çështjet e zgjidhjes së banimit që është shumë e theksuar tek komuniteti serb dhe rom. Kjo mbetet sfid e adresimit edhe për ne, por komuna është e angazhuar në këtë pikë. E kemi diskutuar që të gjendet një zgjidhje për banimin social edhe për komunitetin shqiptarë, jemi duke bërë përpjekje që të gjejmë një hapësirë që të bëhet një banim sociale edhe për ta.

Periskopi: Përveç ikjes së shqiptarëve, a keni vërejtur ikje të komunitetit serb në Graçanicë?

Ajeti: Aq sa kam vërejtur unë, edhe tek komuniteti serb, por edhe te ai shqiptar, ka të rinjë që po e lëshojnë vendin për një jetë më të mirë. Tek komuniteti serb ka të rinjë që vazhdojnë studimet në Serbi dhe ndalen krejt aty pasi e gjejnë një punë.

Periskopi: Cilat janë projektet më të mëdha që synoni t’i realizoni në Graçanicë gjatë këtij mandati ?

Ajeti: Në këtë mandat e kemi synim që të ndërtojmë një bajpas, po mendojmë ta lidhim me Hajvali -Prishtinë, në mënyrë që ta zmbrapsim këtë pjesën këtu që është jashtëzakonisht e frekuentuar, sidomos nga mjetet e rënda motorike. Është një kosto shumë e lartë, pasi do të paraqitet nevoja për shumë shpronësime, por do të bisedojmë edhe me qeverinë. Me realizmin e atij bajbasi do të shkarkohej shumë komunikacioni i cili është shumë i rënduar gjatë ditës. Situata bëhet edhe më e rënduar pasi nuk ka asnjë shesh ku qytetarët do të mund të dilnin e të ecnin./Periskopi

- Advertisement -

Të fundit

Lufta në Ukrainë, eleminohet mercenari famëkeq rus

Igor Mangusev, një nga mercenarët rusë më brutalë në frontin ukrainas, vdiq në një spital ku po trajtohej pasi...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -