Gjuha e turpshme ndaj gazetarëve pas rrahjes që përjetoi mbrëmë Valon Syla nuk ka të ndalur. Së fundi, një koment me gjuhë kërcënuese i erdhi në një grup edhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqit.
Krasniqi – ashtu si shumë gazetarë tjerë – abuzohen online përmes gjuhës vazhdimisht nga shumë qytetarë të vendit. Fatkeqësisht, Policia e Kosovës deri tash nuk është marrë me këtë promovim alarmant të gjuhës së urrejtjes.
Një qytetar në një grup social të quajtur “Dosja” ka thënë këto fjalë për të:
“Visar Duriqi po, Valon Syla po, shef shtypma Vullnetin me 100 euro”
Visar Duriqi dhe Valon Syla janë dy prej gazetarëve në Kosovë që kanë përjetuar dhunë fizike. Aludimi i qytetarit në fjalë është i qartë se është pikërisht dhuna që do të duhej të përjetonte edhe z. Krasniqi.
Kujtojmë se dhunën e mbrëmshme ndaj z. Syla e ka dënuar edhe kryeministri i vendit Albin Kurti por edhe kryekuvendari Glauk Konjufca. Në anën tjetër, dënime të ashpra ka pasur edhe nga opozita, shoqata e gazetarëve, aktivistë të shoqërisë civile etj./Nacionale