Të enjten do të mbahet takimi i radhës i përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova me presidentin serb dhe të gjithë ministrat në Qeverinë e Serbisë, ka konfirmuar sot për TV Prva, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq.
Ai shtoi se në takim do të marrë pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq. Ata do të diskutojnë “konkluzionet politike që duhet të arrihen”.
“Të shohim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë në periudhën e ardhshme”.
Petkoviq ka thënë se këto “konkluzione” Vuçiq i kishte edhe pas takimit paraprak me Listën Srpska, por se nuk u pajtua me to.
“Kur pa se çfarë kërkonin dhe se ishin shumë më të rreptë në disa kërkesa, presidenti Vuçiq i braktisi propozimet e tij”, ka thënë Petkoviq.
Për këtë arsye do të duhet një takim i ri, sipas tij.
“Të shohim se çfarë mund të bëjmë kur bëhet fjalë për projektet e reja, programin investues të Qeverisë së Serbisë”.
Vuçiq ka thënë se takimi i radhës do të mbahet në Rashkë.