0.8C
Pristina
8 Mars, 2021 - 01:55

Shkollat shqipe në Medvegjë po mbyllen, Kosova e Shqipëria “mbyllin” sytë

Gani Krasniqi nuk po arrin të shpërngulet krejtësisht nga vendlindja e tij.

Pavarësisht se është vendosur në Fushë Kosovë me familje, ai nuk e lë Medvegjën.

Për rreth 40 vite nuk ju nda nxënësve të paktë shqiptar që kanë mbetë në atë pjesë të Serbisë.

Rrëfimi i tij është i dhimbshëm.

Me keqardhje tregon për largimin e shqiptarëve nga tokat e tyre.

Krasniqi tregon se si po bëhet pasivizimi i tyre në Medvegjë, duke mbetur pa identitet edhe në Kosovë.

“Probleme ka të shumta, problemi më i madh është pasivizimi i vendbanimeve atje të shqiptarëve, pastaj njerëzit që janë pasivizua atje nuk janë të pajisur këtu në Kosovë me dokumente. Vërtetë nuk di si është e mundur kjo, pasi këta njerëz janë juridikisht të pa dukshëm. Është neglizhencë e organeve të Kosovës. Pasi ka njerëz që jetojnë këtu dhe e meritojnë shtetësinë e Kosovës, por nuk munden me marrë dokumente. Të gjitha qeveritë t’njejtin premtim na e japin, por nuk i realizojnë. Pamundësia në qasje të dokumenteve personale atje paraqet probleme pasi s’mund ta merr as pensionin e as shërbime shëndetësore”.

E si mos të mjaftonte kjo, problem tjetër është që edhe ata pak nxënës që kanë mbetë në shkollat shqipe kanë vështirësi për sigurimin e literaturës shqiptare.

“Në shkollën e mesme në Medvegjë janë vetëm 20 nxënës. Kemi problem më tekste shkollore. Pas përfundimit vinë në Kosovë, pasi që në Bujanoc është më problem me u shkollu. Atje ka kompani publike pa asnjë shqiptarë të punësuar”.

E kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në Kosovë, Krasniqi është skeptik se qeveria e re do t’i ndihmojë që të zgjidhin çështjen e shqiptarëve të Medvegjës, dhe jo vetëm.

“Është e ditur se qeveritë e deritashme të Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë për Medvegjën. Nga Qeveria e re presim angazhim maksimal”.

E ndonëse janë pjesë e Luginës, Krasniqi thotë se dy vendet e tjera Presheva e Bujanoci nuk ju kanë ndihmuar aspak.

Ai shprehet i indinjuar edhe me Shqipërinë që sipas tij është shteti që do të duhej të ndihmonte.

“Kemi pritur që edhe nga shqiptarët e Preshevës e Bujanocit të kemi ndonjë ndihmë. Ata na kanë lënë anash. Ne i kemi vetëm tre këshilltar shqiptarë në Komunë, ndonëse jemi komunë e madhe me sipërfaqe. Shkaku i shlyerjes nga regjistrat, ne kemi mbetur shumë pak. Dorën në zemër jemi të neglizhuar edhe nga Shqipëria”.

Tashmë një pjesë e familjes së tij gjendet në Kosovës.

Përkundër vështirësive, Krasniqi vazhdon të përshkoj rrugën Kosovë-Medvegjë në mënyrë që t’i ndihmojë 20 nxënësit shqiptarë në atë pjesë.

“Vendlindja duhet të duhet. Unë pas lufte jam angazhu aq sa kom mundur, atje edhe vazhdoj të punoj si profesor. Problem po kemi në kufi”.

E si një mësimdhënës për 40 vite, Gani Krasniqi do të përmbyllë ciklin e mësimdhënësit në qershor me drojën se shkolla shqipe në Medvegjë do të mbyllet.

Apeli i tij është që Kosova e Shqipëria të interesohen në këto momente të fundit për atë pjesë.

Të fundit

Të tjera nga rubrika