8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Shkencëtarët ringjallin virusin “zombi”, qëndronte i “ngrirë” prej 48 mijë vitesh në permafrost

- Advertisement -

Temperaturat e ngrohta në Arktik po shkrijnë shtresat e ngricës atje, duke u bërë kështu shkak për çlirimin e mundshëm të viruseve të ndryshëm që kanë qëndruar të fjetur për dhjetëra mijëra vite, të cilët mund të rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve në Tokë.

- Advertisement -

Edhe pse shpërthimi i një pandemie të tillë duket si skenar filmi fantastiko-shkencor, studiuesit thonë që rreziku mbetet, edhe pse i ulët. Mbetjet kimike dhe radioaktive që janë groposur aty prej kohës së Luftës së Ftohtë, gjithashtu përbëjnë rrezik.

“Aty poshtë ndodhin shumë gjëra, prandaj është e rëndësishme t’i mbajmë këto shtresa të ngrira sa më shumë të jetë e mundur”, thotë Kimberley Miner, shkencëtare e klimës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni.

- Advertisement -

Shtresa e ngricës, e quajtur permafrost, mbulon 20% të hemisferës veriore dhe shtrihet nga pyjet boreale në Alaskë, deri në Kanada dhe Rusi. E ruajtur e pandryshuar prej mijëra vitesh, ajo shërben si një “makinë e udhëtimit në kohë”, duke ruajtur viruse të lashtë dhe mumiet e kafshëve tashmë të zhdukura.

Arsyeja pse në këtë shtresë gjërat ruhen kaq mirë nuk është vetëm i ftohti, por edhe fakti që aty nuk ka oksigjen dhe drita nuk depërton. Por me ngrohjen e temperaturave në Arktik, shtresa po dobësohet.

Jean-Michel Claverie, profesor i mjekësisë dhe gjenomeve në Universitetin “Aix-Marseille” të Francës, ka testuar kampionë toke nga permafrosti dhe ka gjetur aty viruse “zombi”. Më të veçantët janë disa viruse të zbuluar fillimisht në vitin 2003. Të njohur si viruse gjigante, ato janë shumë më të mëdha se viruset e zakonshme dhe shihen me mikroskopë të zakonshëm.

- Advertisement -

Në vitin 2014, profesori arriti të ringjallë një virus që qëndronte i ngrirë prej 30 mijë vitesh. Për arsye sigurie, ky virus u zgjodh nga ato që infektonin vetëm amebat njëqelizore, jo kafshët apo njerëzit. “Ringjallja” e fundit ishte ai i një virusi 48500-vjeçar, shifër kjo e konfirmuar nga analiza e tokës prej nga u nxor. Ai u nxor nga një thellësi prej 16 metrash.

Edhe pse kanë kaluar mijëvjeçarë nën akull, vetia e tyre për të qenë sërish infektues, hap një problem edhe më të madh, sipas Claverie. “Këto viruse mund të jenë bartës të të gjithë viruseve të tjerë që mund të ndodhen në permafrost”, thotë ai për CNN. “Kemi parë gjurmët e shumë viruseve të tjerë. E dimë që janë aty, edhe pse nuk jemi 100% të sigurt që janë ende gjallë. Por nëse viruset që infektojnë ameba janë gjallë, nuk ka arsye pse të tjerët të mos jenë”.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -