15.7 C
Pristina
Wednesday, September 28, 2022
- Advertisement -

Serbia dhe Kosova: Çfarë po ndryshon, çfarë është e njëjtë dhe për çfarë nuk është rënë dakord ende në vendkalime

Në vendkalimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka filluar të zbatohet marrëveshja që delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës e arritën pas negociatave disaorëshe në Bruksel dhe më pas diplomacisë disaditore udhëtuese të ndërmjetësuesve evropianë dhe amerikanë në dialog.

Pas më shumë se një dekade, tani asnjëra palë nuk do të lëshojë ndonjë dokument shtesë për asnjë nga udhëtarët – gjë që Serbia e ka bërë për njëmbëdhjetë vjet, dhe Kosova pat treguar se do të fillojë më 1 shtator.

- Advertisement -

Megjithatë, përderisa problemi me kartat e identitetit qëndron pas Beogradit dhe Prishtinës, pyetjet e ndryshme rreth targave mbeten të hapura.

BBC në gjuhën serbe ofron një pasqyrë të asaj që po ndryshon në komunikacionin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe çfarë do të mbetet e njëjtë, transmeton Klan Kosova.

Çfarë ndryshon në vendkalime kufitare?

- Advertisement -

Ndryshimin më të madh do ta ndjejnë ata që duan të kalojnë në Serbi me letërnjoftim të Kosovës.

Që nga viti 2011, zyrtarët e policisë serbe u kanë lëshuar atyre pasagjerëve një dokument të posaçëm hyrje-dalje, i cili ishte i vlefshëm në territorin e Serbisë në vend të letërnjoftimit të lëshuar nga autoritetet në Prishtinë.

Dokumenti u lëshua në letër të formatit A4 dhe pasagjerëve iu desh të prisnin disa dhjetëra minuta për kontrollin, përgatitjen dhe printimin e tij, gjë që krijoi bllokime shtesë në vendkalime.

- Advertisement -

Me marrëveshjen përfundimtare mes dy palëve, Serbia hoqi dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, ndërsa Kosova hoqi dorë nga vendosja e masave të njëjta.

Në vend të dokumentit që u dorëzohet udhëtarëve me dokumente të Kosovës, Serbia shfaqi në vendkalime një njoftim që presidenti serb Aleksandar Vuçiç e quajti “disclaimer” (fjala angleze për mohim, mohim përgjegjësie).

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e individëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në Dialogun e vitit 2011 nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara“.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se këtë propozim tashmë ia ka paraqitur presidentit serb gjatë takimit të organizuar në kuadër të iniciativës për bashkëpunim të liderëve rajonalë Brdo Brioni.

“Ia thashë – njihni dokumentet e Kosovës dhe ai më tha se është e papranueshme sepse kështu do të njihej pavarësia”.

“Edhe pse kjo do të ishte mirë, i thashë se nuk është e vërtetë – Sllovakia, Greqia, Rumania nuk e njohin pavarësinë, por i njohin dokumentet e Kosovës”.

“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, së pari është e rëndësishme t’u bashkohet atyre anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për BBC në gjuhën serbe para negociatave në Bruksel më 18 gusht.

Çfarë mbetet e njëjtë në vendkalime?

Për udhëtarët që duan të kalojnë nga Serbia në Kosovë, e të cilëve letërnjoftimi është lëshuar nga policia serbe, nuk do të ketë ndryshim në regjimin e kalimit.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 1 gusht vendosjen e masës për ata që tentojnë të hyjnë në Kosovë me letërnjoftime serbe, duke iu referuar Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 – e njëjta me të cilën Serbia kishte zbatuar lëshimin e dokumenteve të hyrje-daljeve.

“Në mesnatën e 1 gushtit kam filluar lëshimin e atyre dokumenteve dhe janë lëshuar 2 mijë e 679 në pikat kufitare – e dija që nuk do të mund të hiqnin barrikadat në mesnatë dhe kalova 19 orë duke lëshuar dokumente, me një kohë pritjeje prej vetëm 20 sekonda, që është pakrahasueshëm më shpejtë se Serbia”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.

Pas protestave, tensioneve dhe barrikadave në veriun e Kosovës, kryesisht të banuar nga komuniteti serb, si dhe iniciativës së diplomatëve evropianë dhe amerikanë, Prishtina zyrtare fillimisht e shtyu zbatimin e kësaj mase deri më 1 shtator, për ta anuluar plotësisht atë pas marrëveshjes mes dy palëve.

Sipas deklaratave të zyrtarëve serbë, nga Bashkimi Evropian janë marrë garanci se këto rregulla do të vlejnë edhe për ata që jetojnë në Kosovë dhe kanë letërnjoftime serbe.

Shumica e banorëve të tillë janë në komunat e veriut të Kosovës, ndonëse në mesin e tyre ka edhe një numër të madh të atyre që në ndërkohë kanë nxjerrë dokumentet e Kosovës – nëse dikush ka letërnjoftim serb, mund ta ketë edhe të Kosovës, dhe e kundërta.

Çfarë tjetër duhet të negociohet?

Pasagjerët mund ta kenë më të lehtë në vendkalim, por rregullat e veçanta ende zbatohen për veturat.

Ngjitja e afisheve mbi simbolet e Serbisë apo Kosovës në targa vazhdon edhe pas 1 shtatorit.

Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje të përkohshme për targat vjeshtën e kaluar, kohëzgjatja e së cilës u zgjat për gjashtë muaj në prill.

Kjo pjesërisht zgjidhi praktikën e kahershme të ndërrimit të targave, të cilën shoferët nga Kosova detyroheshin ta bënin kur hynin në Serbi, dhe që Kosova synonte ta adoptonte për shoferët me targa serbe.

Sipas asaj marrëveshjeje, pronarët e targave të lëshuara në Serbi i mbulojnë me afishe shenjat e nacionalitetit kur hyjnë në Kosovë, ndërsa të njëjtën gjë bëjnë edhe me targat e veturave kosovare kur hynin në shtetin serb.

Megjithatë, një çështje në lidhje me targat ka një afat të shkurtër për t’u zgjidhur.

Pronarëve të veturave me targa të qyteteve të Kosovës, por të lëshuara nga Serbia, u është lënë një afat prej dy muajsh për t’i regjistruar ato me targa që mbajnë simbolin e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës fillimisht kishte planifikuar që atë punë ta fillonte më 1 gusht dhe të përfundonte deri në fund të shtatorit.

Serbët nga veriu i Kosovës u kundërpërgjigjën me barrikada dhe Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e masave deri më 1 shtator – dhe tani koha deri në fund të tetorit po mbaron me shpejtësi.

Në ndërkohë, çështjet e hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë shumë më të mëdha se çështjet që kanë të bëjnë me regjimin në vendkalime.

Për një dekadë të tërë, negociatorët nuk kanë gjetur zgjidhje ose nuk i kanë zbatuar çështjet e dakorduara si formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, për çështjen e të pagjeturve në konfliktet e viteve 1990 dhe pas luftës, dhe deri te ngarkimi në dukje i thjeshtë i energjisë elektrike në veri të Kosovës apo kontrolli kompleks mbi burimet energjetike.

Përkundër kësaj, ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak kohët e fundit i tha BBC-së në serbisht se kishte arsye për të parë pozitivisht takimin e fundit në Bruksel më 18 gusht, pasi të dy palët diskutuan për herë të parë qëllimin përfundimtar: një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhëniet.

Katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u njoh nga rreth 100 shtete. Megjithatë, numri i saktë nuk dihet.

Prishtina citon një shifër prej 117 shtetesh, ndërsa në Beograd thonë se janë shumë më pak.

Ndër vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania, e kur bëhet fjalë për fuqitë botërore, ato janë Rusia, Kina, Brazili dhe India.

Që nga viti 2008, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe FIFA, por jo edhe në Kombet e Bashkuara.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -