17.8 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022

SBASHK-u dërgon 450 anëtarë për pushime në bregdetin shqiptar

Këtë verë 450 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) do të pushojnë në bregdetin shqiptar.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë për medie nga SBASHK-u, me ç’rast u shprehen se po e vazhdojnë traditën e dërgimit për pushim punëtorët e arsimit.

273 prej tyre janë nisur gjatë ditës së sotme, ndërsa 172 të tjerë do të shkojnë më 26 qershor.

“Duke respektuar angazhimin e përkushtimin e të punësuarve në arsim që nga çerdhet e deri në universitet dhe të atyre në shumë nga institucionet e kulturës, SBASHK bazuar në mjetet e akumuluara në fondin për pushim e rekreacion edhe këtë vit po vazhdon me traditën e dërgimit në pushime meritore në bregdetin shqiptar të një numri të konsideruar të anëtarëve. Ky aktivitet ka nisur të hënën e 20 qershorit me 273 pushues nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe nga Universitetet e Kosovës e për të vazhduar me 172 pushues të tjerë më 26 qershor”.

SBASHK-u ka bërë të ditur se këta pushues janë përzgjedhur nga institucionet arsimore e të kulturës në bazë të kritereve të përcaktuara nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut.

“Grupi i parë i pushuesve është vendosur në Kompleksin Hotelier e Turistik “Bonita” dhe kanë filluar shoqërimin me valët e qeta të detit shqiptar. Koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri tregon se bazuar në buxhetin për pushim e rekreacion është përcaktuar që në çdo 60 anëtarë të përzgjidhet një pushues dhe këtë e kanë bërë shoqatat sindikale që këtë vit e kanë pasur radhën të bëjnë këtë përzgjedhje”.

“Ai shprehet i bindur se falë angazhimit të përgjegjësve, qëndrimit të dinjitetshëm të pushuesve dhe mikpritjes së pronarit dhe stafit të “Bonita” të 450 pushuesit e përzgjedhur do të kalojnë momente të paharruara në bregdetin shqiptar. Momente të bukura gjatë gjithë këtij aktiviteti u ka dëshiruar kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, i cili ka ardhur të ndaj momente të bukura me anëtarët e përzgjedhur për pushime duke deklaruar se krahas pushimit e rekreacionit do të organizohen edhe tryeza e debate për çështje arsimore e sindikale”, thuhet në komunikatë.

Të fundit
Lajme të lidhura