13.6 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

Sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, vetëm një familje mori 170 milionë euro tenderë në KEK, nuk u arrestua e nuk dha përgjegjësi askush

- Advertisement -

Ishte viti 2007 dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kryeministri Hashim Thaçi po përgatitej të vinte në pushtet. Në “kampionin e tenderëve”, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që realizon mbi 30 % te vlerës së krejt prokurimeve që kryhen në Kosovë, zyrës së prokurimit i printe kushëriri i kryeministrit, Nijazi Thaçi.

- Advertisement -

Investimet publike, para nga buxheti i Kosovës të alokuara në formë të subvencioneve, të bëra në këtë korporatë që nga paslufta kalojnë vlerën mbi 500 milionë euro. Kurse vetëm me anë të tenderëve të mëdhenj prej vitit 2007, që ka hulumtuar “Preportr”, janë shpërblyer 200 kompani me tenderë që së bashku peshojnë afro 550 milionë euro. Ndikimi politik në KEK është i pashmangshëm në pjesën më të madhe të investimeve duke qenë se kompanitë që kanë dështuar investimet milionëshe të kësaj korporate nuk janë penguar të vazhdojnë biznesin me këtë kompani publike. Në prokurimet publike ka pasur shpërblime të kompanive e familjeve të caktuara në tenderët që së bashku kapin shumën mbi 240 milionë euro. Raporte të ndryshme auditimi tregojnë se KEK është e mbushur me skandale. Ato janë të faktuara edhe nga hetuesit e Komisionit Evropian, por të heshtura nga drejtësia.

PDK-ja që kur erdhi në pushtet është e ndërlidhur ngushtë me tenderët milionësh të KEK-ut, në njërën anë nëpërmjet kushëririt të kryeministrit, Njazi Thaçi që udhëhoqi zyrën e prokurimit të KEK-ut, dhe nëpërmjet ish-drejtorit të Agjencionit të Prokurimit Publik (APP), Ilir Rama, më vonë i punësuar në KEK, dhe nga ana tjetër nëpërmjet kompanive të familjes Zhugolli nga Podujeva.

- Advertisement -

Familja Zhugolli ka përfituar nga KEK-u, vetëm nga viti 2007, rreth 170 milionë euro nga tenderët e mëdhenj, shumë kjo e marrë së bashku me gjithë konzorciume, kompani të regjistruara në Kosovë e me përfaqësitë e saj ndërkombëtare. Përderisa familja Shoshi, nga Banja e Pejës që me krejt kompanitë e saj, me tenderë të fituar me kompani të veçanta e me konzorciume, ka marrë hise në tenderë të KEK-ut në vlerë afro 70 milionë euro.

Familja Zhugolli ka edhe një lidhje tjetër me partinë në pushtet. Bejtush Zhugolli, që ka në pronësi kompaninë “Pejton” dhe “I & A sh.p.k”, për fushatën elektorale të partisë së Kryeministrit Thaçi në vitin 2009 dha zyrtarisht 900 euro.

Bejtush Zhugolli, financuesi i PDK-së, del të jetë edhe më i fuqishëm se vëllezërit e tij kur bëhet fjalë për tenderët e KEK-ut, që deri vonë udhëhiqeshin nga kushëriri i Kryeministrit Hashim Thaçi, Njaziu.

- Advertisement -

As mos përmbushja e kontratave të fituara me kompaninë “I & A sh.p.k” nuk e ndalon Bejtush Zhugollin që të marrë nga KEK tenderë. Ai nga kjo korporatë, vetëm në vitin 2010-2011 ka përfituar tenderë në vlerë prej 4.1 milionë eurosh së bashku me konzorciume, por, megjithëse në vitin 2010 u penalizua për mos përmbushje të dy kontratave, në vitin 2011 është shpërblyer edhe me tri kontrata të tjera, vlera e të cilave është mbi 1.5 milionë euro.

Dy familjet prijëtare në tenderë në KEK, Zhugolli e Shoshi bashkohen te tenderi i vitit 2008 prej mbi 70 milionë eurosh për ndërrimin e shiritave transportues të thëngjillit nga Sibovci, investim për të cilin ish- ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala pati thënë se ky projekt është një nga projektet më të mëdha në dy dekadat e fundit, por që dështoi një natë para natës së vitit të ri 2010. Në këtë tender, në një pjesë si konzorcium me “Eco Trade” të familjes Zhugolli është hisedar edhe kompania “IMK 14 Oktobar” nga Serbia, kurse pjesa tjetër, prej mbi 22 milionë eurosh është fituar nga “Intering’ e familjes Shoshi me “Magdeburger ForderantagenUnd Baurnaschinen GmbH”. KEK-u ka vazhduar të shpërblej këto kompani, të familjes Shoshi e Zhugolli pa problem edhe pas dështimit të investimit në fjalë .

Është interesante se edhe “Eco trade”, por edhe “Intering”, si përfitueset më të mëdha nga KEK-u, kanë një pikë të përbashkët. Ka raste kur për shembull “Intering” e familjes Shoshi futet në konzorcium me kompani të huaja përfaqësuese e të cilave është “Eco trade”. “ThyssenKrupp Fördertechnik”, sipas faqes zyrtare, përfaqësohet nga “Eco trade” e Zhugollëve, por ka fituar tenderë me “Intering” të Shoshëve, në rastin e Rehabilitimit të Bllokut A4 në vlerë prej 8.7 milionë eurosh në vitin 2006. Rehabilitimi i një blloku të Kosova A në vitin 2006 ka dështuar vetëm rreth dhjetë ditë pasi që ish-ministri i energjisë Et’hem Çeku dhe ish-ministri i drejtësisë Januz Salihaj e kishin inauguruar këtë investim. Asnjëherë nuk është bërë e ditur nëse investimi që dështoi për dhjetë ditë ishte ai i bërë nga “Intering”, për shkak se KEK-u nuk ka ose nuk jep të dhëna për tenderët para vitit 2007. Sido që të jetë përshkrimet e dhëna nga mediat në qershor të vitit 2007 dhe atyre të gjetura nga “Preportr” tregojnë se gjatë kësaj periudhe ky ishte investimi i vetëm i kësaj shkalle në rehabilitimin e blloqeve të Termocentralit “Kosova A”. As për këtë dështim nuk ka dhënë askush llogari.

Në një tender tjetër të vitit 2008, partneri i kompanisë Intering, pronë e familjes Shoshi nga Banja e Pejës, “Turbo Care” nga Polonia, i shiti KEK-ut një transformator në shumën prej 3.7 milionë eurosh. Ky transformator u dogj për më pak se 3 orë punë. Ishte blerë i përdorur edhe pse një ofertë e një kompanie bullgare ia kishte ofruar KEK-ut një transformator të ri me të njëjtat karakteristika për rreth 800 mijë euro. Ky grup interesi ka vazhduar të marrë tenderë në KEK edhe përtej këtij dështimi skandaloz dhe deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë nismë ligjore për ta rikuperuar këtë dëm. KEK-u, në përgjigjet e dhëna për “Preportr” në pyetjen nëse ekziston një nismë ligjore kundër kompanisë vetëm konfirmon se ka iniciuar një nismë të tillë, por nuk ka ofruar asnjë dokument që vërteton paraqitjen e kësaj nisme kundër kompanisë që ia dogji 3,7 milionë euro. Çuditërisht, kjo kontratë nuk është gjetur as te njoftimet publike në faqen zyrtare te komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Në korporatë pretendonin se për shkak të dëmit që i ka shkaktuar korporatës “ Turbo Care”, nga një gjykatë e arbitrazhit, ishe ngritur rast automatikisht kundër kësaj kompanie. Fillimisht, deklarimi i zyrtares për media, Eglantina Hoxha, ka qenë se pasi ka dështuar ky transformator, KEK-u do të blejë një tjetër si ky nga kompania Konçar, kurse ndaj “Turbo Care” do të ndërmerren masa. Kjo nuk ndodhi asnjëherë, por përkundrazi “Turbo Care”, bashkë me partnerin e saj, kompaninë e Shoshëve “Intering” u shpërblye edhe më tutje me tenderë nga KEK, siç është rasti i tenderit te riparimi kapital i turbinës së avullit dhe gjeneratorit elektik në Bllokun A3, me afro 3 milionë euro. Në të njëjtin tender, në Llotin e dytë partneri i TurboCare, Intering, merr afro 9 milionë euro për riparimin kapital të kaldajës .

Tenderët e familjeve Zhugolli e Shoshi

Kurse familja e Kryeministrit Thaçi është e lidhur me tenderin për shitjen e thëngjillit. “OVE Group”, pronë e Visar Banijcës nga Maqedonia ishte kompania, ankesa e të cilës e anuloi tenderin për shitjen e thëngjillit të shpallur sivjet, që ende ka mbetur në procedurë, i anuluar së fundi për mungesë ofertuesish të përgjegjshëm. Në këtë kompani, kur mbante emrin “BOXON”, aksionar ishte edhe Milaim Cakiqi, biznesmen nga Drenasi që figuron të jetë aksionar në disa biznese me vëllain e vogël të Kryeministrit Thaçi, Blerimin. Cakiqi, sipas raportimit të gazetës JNK, aktualisht kanë një kompleks të përbashkët ndërtesash të ndërtuar nga “Iliria Buliding”.

Visar Banjica është edhe person kontaktues edhe në kompaninë tjetër nga Tetova, “Polog”, kompani e cila ka fituar ne KEK, 2 tenderë ne vitin 2009 në vlerë 140,240 euro.

Një tjetër familje e rëndësishme në PDK është përfituese në KEK. Familja e deputetit Shaip Muja nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish.

Për hetuesit e Komisionit Evropian (OLAF) Fadil Ismajli, tash kryeshef i KOSTT-it është në konflikt të interesit për tenderët publik milionësh të fituar të kompanisë “Komtel”, ku ai ishte bashkëthemelues me Vegim Gashin. I fundit ishte kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, parti kjo e ish-presidentit e multi-milionerit kosovar, Behgjet Pacolli.

Hetuesit e OLAF-it nuk kanë lënë “rehat” as ish-biznesmenë, tash deputetë të opozitës kosovare. Sipas raportit të hetuesve në fjalë, dhënia me koncesion e Hidrocentralin e Kozhner (Lumbardhi) kishte shkuar me keqpërdorime. Atë e mori me koncesion kompania “Triangle”, që edhe në deklarimin e pasurisë për vitin 2012, deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi shkruan se i mban ende 25 % të aksioneve. Vetë Krasniqi publikisht kishte deklaruar se në Kosovë asnjë punë nuk kryhet pa dhënë ryshfet.

Korporata edhe para ardhjes së PDK-së në pushtet kishte qenë vend i mirë për t’u keqpërdorur fondet prej dhjetëra milionësh, edhe pse korporata deri në vitin 2010 ishte audituar nga Auditori Gjeneral vetëm një herë, dhe atë në vitin 2005.

“Kurdisja” e tenderëve njëburimor

Sipas raporteve të punës së Agjencionit të Prokurimit Publik (APP), i ndryshuar tash në Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), KEK-u pos në prokurimet në përgjithësi, është korporata që është kampion edhe në tenderët njëburimor. Kjo metodë e dhënies së tenderëve njëburimor, është kritikuar në vazhdimësi nga Raporti i Progresit si metodë që çon te tenderë me rrezikshmëri për favorizim.

Në kohën kur në KEK, Zyra e prokurimit udhëhiqej nga Njazi Thaçi, në APP drejtor ishte emëruar Ilir Rama, që qëndroi në këtë detyrë deri në korrik të vitit 2010.

Me të lëshuar punën në APP, pasi qëndroi mbi një vit e gjysmë si ushtrues detyre, në kundërshtim të plotë me ligjin që lejonte atë kohë mbajtjen e pozitës me ushtrues detyre vetëm deri në gjashtë muaj, Ilir Rama u punësua në KEK si zyrtar për prokurim.

Bazuar në të dhënat e KRPP-së nga viti 2007 deri më 2011, Rama i kishte lejuar KEK-ut 26 tenderë një burimor, për dallim që në kohën kur ky nuk ishte drejtor në APP, KEK-ut i ishin lejuar vetëm 6 tenderë të tillë. Rama ka qëndruar në krye të APP-së për një vit e gjysmë (2008-korrik 2010). Tash, kur legjislacioni i ri në fuqi i lejon institucionit që të procedojë tender njëburimor pa leje të APP-së, KEK-u vetëm deri tash, në vitin 2012, ka realizuar 15 tenderë njëburimor./Preportr

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -