5 C
Pristina
22 Janar, 2021 - 20:22

Reeker: Nëse Serbia vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe Kinën, nuk ka hyrje në BE

Se erërat do të vazhdojnë të fryjnë nëpërmes Atlantikut kah Serbia në mënyrë që të lëkundin marrëdhëniet që Beogradi po ndërton me Moskën dhe Pekinin, konfirmoi të mërkurën Philip Reeker, kreu i Byrosë për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin e Shtetit, shkruajnë mediet serbe.

Me vërejtjen se ai nuk mund të spekulojë se çfarë do të bëjë administrata e Biden-it dhe me mesazhin se angazhimi amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor dhe partneriteti me Serbinë është konsistent nga një administratë në tjetrën, Reeker ka deklaruar troç:

“Ne vazhdojmë të parandalojmë ndikimin rus dhe kinez në Serbi, dhe kjo përfshin përkujtimin e vazhdueshëm për udhëheqjen serbe se asnjë nga këto marrëdhënie nuk ndihmon në arritjen e qëllimit strategjik të Serbisë për të hyrë në Bashkimin Evropian, por në të vërtetë ndikojnë në të kundërtën”.

Ai ka shtuar se Rusia po përdor një fushatë dezinformimi në Serbi në mënyrë që të largojë publikun nga simpatitë që ajo kultivon ndaj idealeve dhe qëllimeve Perëndimore, dhe gjithashtu po minon institucionet demokratike. Nga ana tjetër, Kina po përdor investime, të cilat zakonisht nuk janë transparente, as projekte me cilësi të lartë, në mënyrë që të trasojë rrugën e saj për në Serbi.

Që kur BE mori përsipër ndërmjetësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ai proces po zhvillohet nën vëzhgimin e këtij diplomati amerikan. Reeker u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në disa raste – në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut në shkurt, vitin e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB në New York … Politikanët serbë e njohin atë që nga fundi i viteve të 1990-ta, kur ai ishte zëdhënës i Christopher Hill-it, të dërguarit special të SHBA për Kosovën dhe ka punuar në Departamentin e Shtetit gjatë kohës së Sekretarëve të Shtetit Madeleine Albright, Colin Powell dhe Hillary Clinton.

Lidhur me vlerësimet e fundit të Reeker, kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiq thotë se ato janë – shuma paushalle:

“Edhe në ato vende të cilat ai përmend, thuhet se ndikimi i SHBA-së është malinj. Dhe ne jemi në një pozitë të tillë që duhet të jetojmë nën ndikimin e të gjithëve”.

Të fundit

Të tjera nga rubrika