9C
Pristina
5 Mars, 2021 - 01:23

Rakiç: Kurti e Osmani erdhën me simbole të UÇK’së në veri të armatosur deri në dhëmbë

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sollën dje në veri të Mitrovicës persona të armatosur deri në dhëmbë dhe te disa prej tyre mund të shiheshin edhe simbole të UÇK-së.

Rakiq këto deklarata i ka bërë në televizionin serb TV Prva. Ai ka thënë se justifikimi i tyre se erdhën në atë pjesë për fushatë nuk qëndron.

“Ata në Mitrovicë të Veriut sollën njerëz të armatosur deri në dhëmbë, ku te disa prej tyre ishin të dukshme shenja të UÇK-së. Justifikimi i tyre se erdhën për shkak të fushatës nuk qëndron, sepse fushata ende nuk ka filluar”, ka thënë Rakiq.

Rakiq ka thënë se nuk kishte konflikte fizike dhe gjithçka kaloi vetëm me fyerje verbale.

Ai është shprehur optimist para zgjedhjeve të ardhshme.

“Ne presim që fushata të kalojë paqësisht, ne presim paqe në këto pjesë. Presim gjithashtu që edhe pala tjetër të sillet në këtë mënyrë. Ne duam të qëndrojmë në këto hapësira. Është me rëndësi që të mos ketë provokime të tilla”, ka thënë Rakiq.

Osmani e Kurti janë fyer dje gjatë vizitës në veri. Ata kanë vizituar minierën e Trepçës në veri.

Kryetari i partisë SDS, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se vizita e djeshme e Kurtit e Osmanit është rezultat i marrëveshjes së Brukselit të firmosur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vizita e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në veri të Mitrovicës është fryt i marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Marrëveshja mundësoi krijimin e zyrës së prokurorit, gjykatave, si dhe integrimin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Po ashtu duhet të përmendet marrëveshja e arritur në Bruksel, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pajtuar që veri të përfshihet në sistemin ligjor të Kosovës dhe me kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Sipas kësaj, tash është e qartë për të gjithë se kush ka miratuar që politikanët shqiptarë të parakalojnë rehat dhe lirshëm në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Petkoviqit.

Të fundit

Të tjera nga rubrika