17.8 C
Pristina
E martë, 15 Tetor, 2024

Pse Rusia kërkon arrestimin e së paku tre policëve të Kosovës?

- Advertisement -

Katër qytetarë nga Kosova, së paku tre prej tyre zyrtarë policorë, janë në kërkim nga Rusia.

- Advertisement -

Radio Evropa e Lirë siguroi dokumente që dëshmojnë se Rusia i konsideron tre zyrtarët policorë si të dyshuar për veprat “arrestim i paligjshëm” dhe “kidnapim”, të cilat në Rusi janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Kërkesa për arrestimin e tyre i është dërguar edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL.

- Advertisement -

Rusia pretendon se këta policë ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin” e Mikhail Krasnoshchenkovit në vitin 2019.

Krasnoshchenkov, me shtetësi ruse, ishte i punësuar atëkohë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Ai ishte udhëheqës i ekipit në Zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok – komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

- Advertisement -

Kush janë policët që kërkohen?

Sipas raportimeve të mediave kosovare në ditët e para të muajit mars, në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë dy policë të njësive elitare të Policisë së Kosovës: Besart Ahmeti dhe Alban Jetullahu.

Por, Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, të përpiluar nga Ministria e Brendshme e Rusisë, ku figuron edhe emri i Faruk Gashit, për të cilin REL-i kuptoi se është, po ashtu, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në listë gjendet edhe shtetasi tjetër kosovar B.H. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it. Megjithatë, REL-i nuk arriti të konfirmojë nëse ai është pjesëtar i Policisë së Kosovës, ose nëse ka kërkesë zyrtare në INTERPOL për arrestimin e tij.

Në listën e shtetit rus, ashtu si edhe në dokumentet e INTERPOL-it, ata përshkruhen si shtetas të Serbisë, meqë Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Bazuar në raportin e INTERPOL-it për rastin e Besart Ahmetit, në të cilin REL-i kishte qasje, Krasnoshchenkov është urdhëruar përmes telefonit nga eprori i tij – më 28 maj, 2019, rreth orës 08:30 – që të shkonte në pjesën jugore të Mitrovicës për të monitoruar situatën e krijuar pas informacioneve se “kishin ardhur njerëz të armatosur” dhe pas humbjes së kontakteve me një punonjës tjetër të UNMIK-ut.

“Rrugës nga Zubin Potoku për në Mitrovicë, makina që ka vozitur Krasnoshchenkov, është sulmuar nga njerëzit, përfshirë Ahmetin, edhe pse Krasnoshchenkov ka treguar dokumentin identifikues. Ata e kanë nxjerrë Krasnoshchenkovin me dhunë nga makina, e kanë rrahur dhunshëm, e kanë lidhur dhe e kanë çuar në një ndërtesë në Mitrovicë, ku e kanë mbajtur kundër vullnetit të tij deri në orën 14:00, kur UNMIK-u ka protestuar kundër kidnapimit të zyrtarit të tij”, thuhet në raportin e INTERPOL-it.

REL-i u përpoq të fliste me këta pjesëtarë të policisë, por ata thanë se leja për të folur duhet të merret nga organet e policisë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, policia nuk dha leje.

Ngjashëm as Qeveria e Kosovës nuk komentoi për këtë çështje, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një prononcim për gazetarët më 4 mars tha:

“E dimë, kemi informata zyrtare për këtë çështje. Nuk është brengë as e imja, as e Besartit [Ahmeti]”.

Çfarë ndodhi më 2019 dhe kush është Mikhail Krasnoshchenkov?

Mikhail Krasnoshchenkov u ndalua nga Policia e Kosovës, në rrugën nga Zubin Potoku në drejtim të Mitrovicës së Veriut, gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Aksioni u zhvillua më 28 maj të vitit 2019.

Krasnoshchenkov më pas u lirua, ngase kishte imunitet diplomatik si pjesëtar i UNMIK-ut, por Qeveria e Kosovës e shpalli person të padëshiruar, përkatësisht “non-grata”, dhe e dëboi nga Kosova.

“Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit”, tha atëkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Më vonë, Krasnoshchenkov mori trajtim mjekësor në Beograd, pas pretendimeve se ishte maltretuar nga pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Në kohën e këtij incidenti, UNMIK-u reagoi duke kërkuar lirimin e tij.

UNMIK-u, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka pasur ndonjë hetim apo konkluzion të vetin në lidhje me arrestimin e Krasnoshchenkovit.

Radio Evropa e Lirë provoi të binte në kontakt edhe me vetë Krasnoshchenkovin në lidhje me këtë çështje, por pa sukses.

Çfarë do thotë kërkesa për arrestim përmes INTERPOL-it?

Shtetet anëtare në INTERPOL mund të dërgojnë kërkesa për arrestimin e shtetasve të huaj të dyshuar për vepra të ndryshme.

Kjo kërkesë quhet “red notice” apo njoftim i kuq.

Ky njoftim i alarmon policitë e vendeve tjera për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë, qoftë edhe pas shumë vitesh.

Njoftimi i kuq publikohet nga INTERPOL-i me kërkesë të një vendi anëtar.

INTERPOL-i, në faqen e tij zyrtare, shpjegon se “vendet anëtare i zbatojnë ligjet e tyre për të vendosur nëse do të arrestojnë një person”.

Javed Ali, ligjërues i çështjeve të sigurisë në Universitetin e Miçiganit, thotë për Radion Evropa e Lirë se dikush që ka njoftim të kuq në INTERPOL, ka rrezik të arrestohet dhe ekstradohet.

“Nëse udhëtoni në një vend që respekton sistemin e INTERPOL-it apo është anëtar i INTERPOL-it, teorikisht mund të ekstradoheni te shteti që i ka ngritur akuzat. Nuk është automatike”, thotë ai.

Ali beson se pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, më 2022, Rusia “po tenton ta politizojë procesin e njoftimit të kuq”.

Megjithatë, ai mendon se në situatën aktuale “gjasat që të kërkuarit të arrestohen dhe të dërgohen në Rusi, janë shumë të ulëta”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, në shtator të vitit 2023 ishin më shumë se 10.000 persona në listën e të kërkuarve nga INTERPOL-i, me kërkesë të Rusisë. Megjithatë, bazuar në të njëjtin raportim, vendet e Bashkimit Evropian refuzuan të ekstradojnë rreth 100 veta më 2022 dhe 2023.

Vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e Rusisë njoftoi se ka kufizuar autoritetin e INTERPOL-it. Vendimi, në fakt, nisi të zbatohej në mars të atij viti, por u bë publik në gusht.

Në bazë të tij, INTERPOL-it i lejohet të kryejë operacione në Rusi vetëm kur ato miratohen nga kjo ministri.

Ligjvënësit rusë i cilësuan veprimet e kësaj organizate si “jomiqësore” dhe ngritën shqetësime për “spiunazh”, përmes qasjes në bazat e të dhënave ruse.

INTERPOL-i, që operon në 195 vende të botës, fokusohet në trajtimin e krimit global, terrorizmit, krimit të organizuar dhe atij financiar.

Rusia iu bashkua atij në vitin 1990.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -