Profesori Blerim Latifi thotë se në Kosovë ka një “obsesion medial” në raport me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar për raportimet e mediave rreth presidentit serb.
“Kam përshtypjen se as në Serbi nuk janë më shumë të informuar mbi agjendën e Vuçiqit, se ne në Kosovë. Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?”, thotë tutje ai.
Mes tjerash, profesor Latifi ka ngritur një çështje. Sipas tij, problemet e Kosovës janë “margjinalizuar” në çështjen e dialogut me Serbinë.
“Dhe kjo, në thelbin e saj, përbën simptomën kryesore të një katastrofe diplomatike, e cila krejt pa u hetuar na ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve: politika jonë e jashtme është errësu nga politika e dialogut”, shkroi tutje ai.
Postimi i plotë i Latifit:
Na zë gjumi duke parë e lexuar deklaratat e Vuçiqit në ballinat e portaleve tona. Dhe kur zgjohemi në mëngjes dhe i shikojmë ato, sërish aty e gjejmë surratin e tij. Edhe gjatë ditës, sa herë duam të lexojmë lajmet e reja, i njëjti surrat na del përpara. “Vuçiqi deklaroi…”. Vuçiqi ka thirrur takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë…”. “Në takimin me…Vuçiqi tha se…”. Janë të pafundëm titujt si këta.
Kam përshtypjen se as në Serbi nuk janë më shumë të informuar mbi agjendën e Vuçiqit, se ne në Kosovë.
Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?
Një hipotezë e imja : Sepse krejt problemet e shtetit të Kosovës janë margjinalizu nga çështja e dialogut me Serbinë. Dialogu është bërë alfa dhe omega e të menduarit tonë politik. Edhe fjalori politik na është reduktu në një grumbull frazash për dialogun.
Dhe kjo, në thelbin e saj, përbën simptomën kryesore të një katastrofe diplomatike, e cila krejt pa u hetuar na ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve: politika jonë e jashtme është errësu nga politika e dialogut.
Nëse kërkojmë njohje të reja, na e vënë përpara dialogun me Serbinë.
Nëse kërkojmë të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, përsëri na e tundin para syve dialogun me Serbinë.
Tash racistët e Bashkimit Evropian edhe liberalizimin e vizave po e trajtojnë si çështje të lidhur me dialogun, e ka shumë rrezik që edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund të bjerë viktimë e kësaj.
Prandaj, që të mos vazhdojmë të fundosemi edhe më shumë në devalvimin e pavarësisë së Kosovës, duhet të marrim një vendim : Ose marrëveshje finale brenda një kohe të afatizuar qartë, ose stop këtij formati të dialogut të pakufizuar në kohë.