13.1 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Policisë së Kosovës “iu humb durimi”, vjen me një ultimatum për Qeverinë

- Advertisement -

Sindikatës së Policisë së Kosovës i ka humbur durimi. Ajo po e paralajmëron Qeverinë e Kosovës për protesta të përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre për ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

- Advertisement -

Sindikata e policisë po kërkon vazhdimisht nga ekzekutivi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Kërkesat e tyre duket të kenë hasur në vesh të shurdhër, pasi që nga muaji shkurt zyrtarët policorë nuk i morën shtesat për rrezikshmëri që u takojnë me Ligjin e pagave që aktualisht është në Kushtetuese.

- Advertisement -

Përkitazi me këtë, sindikata sërish me ultimatum, paralajmëron protesta nëse edhe në muajin muaj qeveria nuk e realizon premtimin për ekzekutimin e pagesës së rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri në një intervistë për KP deklaron se është mundësia e fundit që qeveria të reagojë në lidhje me shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar.

Nëse nuk realizohen edhe këtë muaj këto shtesa, Zeqiri thekson se protestat nuk do të jenë njëditore, por të përditshme, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

- Advertisement -

Nga mosplotësimi i kushteve për Policinë e Kosovës, Zeqiri thotë se numër i madh i pjesëtarëve kanë filluar të japin dorëheqje, me ç’rast thotë se ky fenomen duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

Zeqiri: Në rast edhe këtë muaj nuk do të ndodhë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri, do të marrim masa

“Në rast se edhe këtë muaj nuk do të ndodhë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri dhe shtesave të tjera për pjesën e stafit civil, atëherë si sindikatë do të veprojmë sipas kërkesave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, çfarëdo që kërkojnë ata e që ne do ta vlerësojmë se është rrugë ligjore do të veprojmë, qoftë edhe protestë nëse kërkojnë do të bëjmë… Nëse vërtetë nuk marrim përgjigje prej tyre dhe nëse vërtetë vazhdohet kështu me këto kushte në Policinë e Kosovës, mund të themi se është lutja fundit (për Qeverinë që të veprojë)… Dhe në rast se detyrohemi të organizojmë protestë, nuk do të jetë njëditore, por do të vazhdojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave që i kemi adresuar si sindikatë. Andaj, kërkoj nga qeveria që të mos na detyrojë që të veprojmë me veprime sindikale, qoftë edhe me protestë, përndryshe veprimet sindikale nuk do të ndalen… Nëse detyrohemi të organizojmë protestë, protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave”, thotë Zeqiri.

Ai shprehet se nuk është dëshirë e sindikatës dhe e policisë që të ndërmarrë veprime sindikale, porse janë te detyruar nëse edhe këtë herë qeveria nuk vepron.

Zeqiri thotë se dukuri shqetësuese është dorëheqja vullnetare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga kushtet jo të mira për të ushtruar detyrën.

Zeqiri: Po humbim pjesëtarë profesionistë që kanë kryer punë vite të tëra në Policinë e Kosovës.

“Është shqetësuese dukuria tjetër që nga shprehjet e pakënaqësive rreth këtyre kushteve që po na mungojnë në Policinë e Kosovës. Në mënyrë individuale pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar të japin dorëheqje vullnetare nga policia, e që për neve kjo është shumë e dhimbshme, sepse po humbim pjesëtar profesionist që kanë kryer punë vite të tëra në Policinë e Kosovës dhe gjithë atë profesionalizëm e kanë arritur me shpenzime të buxhetit të shtetit të Kosovës, e sot të detyrohen për shkak të kushteve të japin dorëheqje. Ne si institucion i sigurisë do të dëmtohemi shumë. Andaj, ky duhet të jetë një alarm për Qeverinë e Kosovës që ta ruajnë institucionin e sigurisë së Kosovës. Kjo bëhet që t’i plotësojmë kushtet dhe të përmirësojmë mirëqenien në Policinë e Kosovës, ndryshe neve po shkatërrohemi gradualisht”, thotë Zeqiri.

Zeqiri konsideron se mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për tre muaj, ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Zeqiri: Kalimi i tre muajve pa ekzekutimin e shtesës së rrezikshmërisë ka krijuar një mosbesim të madh

“Jo vetëm ne si sindikatë, por zhgënjimi është shumë i madh te të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur me fillimin e implementimit me Ligjin e ri te pagave, që nga muaji shkurt, shtesa e rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës nuk është ekzekutuar. Në secilin muaj, edhe në këtë kanë premtuar me disa komunikata mediatike, ministria se kjo do të bëhet në muajt në vijim, pa e përcaktuar se në cilin muaj do të bëhet ekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë. Dhe kjo zvarritje, apo kalimi i tre muajve pa ekzekutimin e shtesës së rrezikshmërisë ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës, se do të bëhet apo jo”, thekson Zeqiri.

Mes tjerash, Zeqiri për KPrendit edhe kërkesat tjera të tyre drejtuar qeverisë, e njëra ndër to është sigurimi shëndetësor.

Ai thekson se deri më tani janë 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës zyrtare.

Zeqiri: 22 zyrtarë policorë kanë humbur jetën në detyrë, dhe ende nuk ka sigurim shëndetësor

“Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani kemi 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës zyrtare, kemi qindra të tjerë të lënduar e që kanë mbetur me aftësi të përhershme të kufizuar me invaliditet. Po ashtu kemi me qindra të tjerë që kanë fituar sëmundje, këto janë mjaftueshëm statistika për të vlerësuar se duhet paguar ose jo shtesat e rrezikshmërisë. Dhe kjo mospagesa e shtesave të rrezikshmërisë krahasuar me pagat, që paga bazë ka pas një rritje me ligjin e ri, do të thotë kemi jo një rritje të pagës të një numër i madh, kemi të disa zbritje te pagës. Ne vazhdimisht jemi deklaruar dhe kemi bërë kërkesa drejtuar qeverisë edhe për sigurimin shëndetësor të cilin nuk e kemi, nuk kemi ligj të pensionimit, nuk na paguhet shujta, mungesë e infrastrukturës dhe e mjeteve logjistike, duke filluar nga uniforma e të tjerat dhe të gjitha këto janë grumbulluar dhe tanimë policia ka arritur në atë nivelin e demotivimit për punë, sepse po ndihet e diskriminuar dhe e nënçmuar me këtë që po ndodhë”, thotë mes tjerash Zeqiri.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -