Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë janë duke hetuar shpërndarjen e fletushkave përmes së cilave po bëhet thirrje për rezistencë dhe thirrje për sulm ndaj policëve të Kosovës dhe administratës komunale, shkruan Insajderi.
Fletushkat janë shpërndarë të hënën gjatë dhe pas protestës që u bë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për Dinarin.
Fletushkat mbajnë mbishkrimin e organizatës së re “Mbrojtja popullore”.
Tashmë, Policia është aktivizuar dhe ka nisur hetimet. Zëvendës Drejtori për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani ka konfirmuar për Insajderin nisjen e këtyre hetimeve.
Sipas tij, pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Speciale është hap rasti “Thirrje për Rezistencë dhe Nxitje e Urrejtjes”.
“Dyshojmë se dje gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërnda dhe ne kemi has në to më vonë. Pas konsultimit me Prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hap rasti thirrje për rezistence dhe nxitje e urrejtjes. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, ka thënë ai.
Mbrëmë Lista Serbe u ka bërë thirrje banorëve serbë që të mos provokohen nga këto fletushka dhe të ‘jenë të qetë./Insajderi