Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur takimin me serbët nga Kosova në Rashkë të Serbisë.
Ai tha se zgjedhjet janë caktuar edhe pse Beogradi ka kërkuar që fillimisht të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione, raporton Danas, transmeton Gazeta Express.
“Nuk u shkon mendja të formojnë Asociacionin. Dhe pastaj ata thanë, kanë thënë prej javësh, se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të prisheshin. Ju lutem imagjinoni, është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë, a e dini se kush ka aplikuar për zgjedhje. Aplikoi Vetëvendosje, PDK në Mitrovicë. Pra partia e Thaçit dhe e Kurtit. Dhe tani, në bazë të 4% të tyre, sa prej tyre jetojnë në veri të Mitrovicës, jo në thelb, por në dukje, do ta sigurojnë që Kurti të jetë kryetar i Mitrovicës”.
Ai tha se njësoj do të jetë edhe në Leposaviq, ku formalisht janë 2%, si dhe në Zubin Potok, ku po ashtu janë rreth dy për qind.
Vuçiq ka thënë se e di që serbët kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje që të gjithë njerëzit të jenë të bashkuar dhe të gjithë të sillen ashtu siç është marrë vendimi sot.
Vuçiq pretendoi se politika ne tyre “duhet të jetë një politikë paqeje dhe një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me shqiptarët”.
“Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut. Dhe ndoshta është më mirë t’i mbani gjërat të qarta dhe të mos mashtroni më askënd. Është vendi më demokratik dhe vrasin njerëz për tenxhere dhe tepsi”, propagandoi Vuçiq, duke aluduar në incidentin në Zveçan me qytetarin serb, për të cilin tha se “u qëllua sepse mbante tenxhere dhe tepsi nga Serbia me qëllim që t’i shiste në treg në Kosovë”.