Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave përballen me persona të cilët tentojnë të ofrojnë ryshfet, në mënyrë që të shpëtojnë nga gjoba e procedura tjera të verifikimit. Kështu dyshohet se veproi edhe një shtetas i Serbisë, i cili u arrestua dje në Gjilan..
Burimet e medias kanë bërë me dije se i dyshuari është Velibor Joviq, 45-vjeçar.
Joviq i cili po drejtonte kamionin e tij, është ndalur për kontroll nga një njësi policore dhe gjatë dorëzimit të dokumenteve, dyshohet se u ka ofruar policëve 20 euro. Sipas të dyshuarit, këtë po e bënte në mënyrë që të shpëtojë nga vonesa e kontrollit dhe t’i qerasë për kafe zyrtarët policorë.
Mirëpo kjo i doli dardhë me bisht të dyshuarit, pasi ai përfundoi në pranga dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhënie e ryshfetit’.