Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka dërguar notë proteste në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë, ku ka “dënuar fuqishëm” një deklaratë të kryediplomatit kroat, Gordan Grliq Radman rreth “dy-anësisë” së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në “qëndrimin në dy karrige” mes Perëndimit dhe Rusisë.
Vuçiqi “duhet të vendos në cilën karrigë të ulet”, ka thënë Radman, teksa ka shtuar se “Vuçiqi mund të jetë Trabant dhe satelit i Rusisë, por ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor nuk do të lejohet”.
Daçiq ka shpërthyer ndaj Radmanit duke e quajtur “urrejtës të saerbëve dhe Serbisë” duke i drejtuar Radmanit se “askush nuk ka të drejtë, e aq më pak Kroacia, që t’i jep mësime Serbisë”.
“Serbia është një vend që udhëheq një politikë të jashtme sovrane dhe të pavarur, e cila është ekskluzivisht në interes të qytetarëve tanë dhe popullit tonë. Serbia dhe Vuçiqi nuk janë trabantë të askujt. Ministri kroat nuk ka marrë mësimet e historisë, kështu që ai harron, ose do të doja të harrohet, se Kroacia ishte mbështetësi më besnik i Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë naziste, me shtetin e pavarur të Kroacisë, i cili luftoi edhe pas vetëvrasjes së Hitlerit, deri më 15 maj, gjashtë ditë pas kapitullimit të Gjermanisë”, tha Daçiq, siç e citoi “Danas”.
“Ishin si trabantë, nazistë më të mëdhenj se nazistët. Ne jemi shërbëtorë vetëm të Serbisë dhe qytetarëve tanë”, ka thënë Ivica Daçiq.