17.7 C
Pristina
Wednesday, August 10, 2022

Pasi që nënshkroi fshehurazi ujdinë me Kishën Serbe, Abazovic kërcënoi ministrin: Ngutu pasi nëse s’bie koka ime, do të bie e jotja

Kryeministri malazias Dritan Abazovic ka dalë sfidues e agresiv në mbledhjen e qeverisë dhe në opinion pas kundërshtisë së madhe për nënshkrimin gati klandestin të marrëveshjes themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Malit të Zi pati debat të ashpër mes anëtarëve të koalicionit qeverisës që janë përpIasur për marrëveshjen me kishën serbe, të cilën kryeministri Abazovic e nënshkroi sot me Patriarkun serb Porfirije që erdhi me aeroplan shtetëror serb i pa lajmëruar dhe u largua pas një ore qëndrimi në Podgoricë.

Në media ishte spekuluar se ujdia do nënshkruhej me 3 gusht, që Abazovic e kishte mohuar dhe e kishte quajtur dezinformatë këtë lajm.

Në mbledhje ai vazhdoi me qëndrimet e tij antagoniste duke kërcënuar ministrin e mbrojtjes së Rasko Konjic derisa po debatonte me ministrin e punëve të jashtme Ranko Krivokapic.

“Një porosi. I thoni kolegut që mungon sot- atij që ka thënë se para se të bëjë diçka që tashmë e ka bërë një zyrtarë me pozitë të lartë në sektorin e sigurisë, se do të bien shumë koka, që të ngutet.

Pasi, nëse nuk bien koka, do të përgjigjen para ligjit.

Ja dërgoni këtë porosi. Le të vazhdojë ai të financojë propagandën tuaj, kuptoni, s’ka asnjë problem.

Mirëpo pasi që këtë porosi e dërgoi para se të bien kokat, sa m, sa më përket mua, kur dihet se unë jam caku kryesor, le të ngutet.

Nëse kjo ndodh kjo, atëherë me siguri do të ndodhë e kundërta, e do të përfundojë aty ku e ka vendin” tha Abazovic.

Ministri malazias Konjic e kishte dëgjuar porosinë pasi ajo po transmetohej drejtpërdrejtë në publik ku tha se këto akuza janë serioze dhe shqetësuese duke i kërkuar Prokurorisë Speciale të Malit të Zi të flasë me kryeministrin Abazovic për të shpjeguar çështjen.

Ai vuri në dyshim kredibilitetin e Abazovic dhe si provë e vlerësoi rastin e ‘dezinformatës’ për nënshkrimin e marrëveshjes me 3 gusht ku u zu ngushtë kryeministri me akuzën ndaj mediave malaziase.

Në po atë mbledhje të qeverisë kryediplomati malazias Krivokapic e kishte kontestuar legalitetin e nënshkrimit të marrëveshjes nga Abazovic, duke thënë se ai ka kompetencën për ta ratifikuar po aq sa ka gjyshja e tij.

“Kjo marrëveshje që e sollën në Mal të Zi është qendisur në Beograd. Për këtë arsye nuk mundëm t’ia ndryshonim asnjë presje as pikë” tha Krivokapic dhe shtoi duke paralajmëruar zgjedhjet e reja e rënien e kësaj qeverie kur tha “se për shkak të saj kanë humbur muaj që Mali i Zi do t’i kalojë në fushatë zgjedhore”.

Të fundit
Lajme të lidhura