5.8 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

“Pas Ukrainës, do të merrem me Kosovën”/ Eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Putinit me këtë paralajmërim

- Advertisement -

Njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se lufta në Ukrainë e ka shqetësuar opinionin rusofil, pasi ky vend i doli “arrë e fortë” Rusisë së Vladimir Putinit.

- Advertisement -

Ai ka thënë se tani presidenti rus po përballet me shqetësimë të mëdha të popullatës ruse.

“Situata luftarake mes Rusisë dhe Ukrainës që tani po zgjat mbi një vit, tani e ka shqetësuar mbarë opinionin rusofil, të cilët kanë menduar se për një javë apo pas më së shumti një muaj, do t’ia arrijnë qëllimit për okupimin e Ukrainës.

- Advertisement -

Por, meqë tani Ukraina iu ka dalë “arrë e fortë”, shqetësimet e popullatës ruse janë shumë të larta, sepse tani në vendet e Rusisë inflacioni është në maksimum dhe jeta atje për tani është e pakuptimtë, me shumë probleme dhe skamje-varfëri”, është shprehur Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ai ka parashikuar që lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë se shpejti, por ka theksuar se Putini do të përballet me probleme të mëdha në Rusi. Sipas tij, familjarët e ushtarëve të vrarë rusë do të kërkojnë llogari nga Putini, për vdekjen e tyre.

- Advertisement -

“Sipas të gjitha gjasave lufta atje nuk ka për të mbaruar shpejt, prandaj tani Putini është duke u ballafaquar me probleme të shumta, sepse tani qytetarët janë të vetëdijësuar dhe bëjnë pyetje se kujt iu desh kjo luftë dhe çfarë të mira iu solli? Dihet se kur s’kishte luftë, ajo popullatë nuk ishte ballafaquar me skamje marramendëse dhe inflacion si tani, por kësaj kur i shtohet çështja e ushtarëve të vrarë me qindra-mijëra dhe dëmeve të shkaktuara që po dëshmohen tani me skamje e inflacion. Shumë nga popullata që iu kanë vrarë fëmijët e tyre në ato beteja, do të kërkojnë llogari prej Putinit dhe stafit të tij, e sidomos kur dihet që Ukraina si shtet gjithnjë ka qenë si vëlla i Rusisë.”

Tërnava ka përmendur edhe presionet e opozitës ndaj liderit rus, duke treguar edhe shkakun se pse Rusia nuk do ta gëzojë më epitetin e “fuqisë botërore”.

“Putini tani është duke u përballur me presione të mëdha, si nga qytetarët e tij dhe opozita si kundërshtare e tij, gjithashtu edhe shtetet mike që ka llogaritur në to se do t’i gjenden pranë, sepse për këtë luftë Putini ka vendosur vetëm me stafin e tij të ngushtë, dhe tani është e kuptueshme se me kalimin e kohës, Ukraina po i reziston shumë, sepse e gjithë bota demokratike është në përkrahjen e saj dhe po e ndihmon me armatim të përsosur, sa që ndoshta ky do të jetë shkaku që Rusia sikur që është llogaritur fuqi botërore në të kaluarën, nuk do ta gëzojë atë epitet më, dhe të gjitha gjasat janë se Ukraina, pranë dëmeve që i ka përjetuar do të ngadhënjejë në këtë luftë.

Nëse ndodhë kjo tani, dihet se çfarë e pret në të ardhmen Putinin nga vetë stafi i tij dhe opozita në atë shtet, sepse rusët kanë përvojë të dhimbshme në të kaluarën, kur ia kanë huqur me luftëra si në këtë rast Putini”, ka vlerësuar më tej eksperti.

Duke i parë këto rrethana, sipas Tërnavës, presidenti rus po zhvillon luftë speciale kundër shteteve tjera, në mesin e të cilave edhe ndaj Kosovës.

“Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë do të merret me situatën në Kosovë, prandaj duhet ta pyesim veten se çfarë mund të pritet nga një veprim i tillë”. Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach.

E sipas ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Kosovës, qëllimi i Putinit me këtë paralajmërim, është që të tërheq pranë vetes Serbinë, e cila tani “është e dëshpëruar” me disfaTën që po e pëson Rusia në Ukrainë.

“Duke i ditur këto rrethana të luftës së pasukesesshme, tani Putini po zhvillon luftë speciale sikur në rastin konkret që është deklaruar “pas Ukrainës, do të merrem me Kosovën”. Këto luftëra speciale përdoren për qëllim që opinioni, i cili ishte pro Rusisë, tani është i dëshëpruar me Rusinë. Bëhet fjalë për Serbinë, që ky shtet ende është duke i qëndruar pranë Rusisë, por tani është i dëshpëruar dhe sillet ashtu që ka gjasa se do t’i bashkangjitet botës demokratike kur po e vëren disfatën që po e përjeton Rusia. Tani është e kuptueshme se me këtë që e përmend se “do të merret me çështjen e Kosovës”, Putini do që t’ia arrijë qëllimit që Serbia prapë t’i qëndrojë pranë Rusisë, por tani koha po ikë dhe qartë tani po vërehet se gjasat për ta fituar këtë luftë i ka Ukraina”, ka theksuar më tej eksperti i sigurisë për gazetën “Bota sot”.

Ai e ka vlerësuar si “nën kontroll” situatën e sigurisë në Kosovë, pasi këtë e garanton edhe KFOR-i.

Tërnava ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë njohjen reciproke, duke shfrytëzuar përkrahjen e madhe ndërkombëtare.

“Ajo e thënë e Putinit, i takon luftës speciale që përdoret në këto situata. Situata e sigurisë në Kosovë tani është nën kontrollë.

Mos të harrojmë se sigurinë e kufijve të Kosovës e garanton KFOR-i, si pjesë përbërëse e NATO-së, dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve mes Serbisë dhe Kosovës tani po punohet të arrihet njohja reciproke, ose përmes planit franko-gjerman, ashtu siç është planifikuar që Serbia mos ta pengojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt institucioneve ndërkombëtare sikur që janë OKB, BE, NATO, INTERPOL etj.

Për këtë shkak, nëse arrihet ky sukses, dy shtetet do të kenë përfitimet e tyre me investime të mëdha që parashihet të ndodhin në dy shtetet. Prandaj, këtë situatë duhet ta shfrytëzojnë dy shtetet në fjalë, e kur pranë tyre po qëndrojnë shtete të forta të botës, si Amerika, Anglia dhe shtet tjera të BE-së, që edhe e kanë përgatitur këtë plan për pajtim të mundshëm”.

Sipas tij, varianti “merre ose leje”, “na jep të kuptojmë se ai shtet, i cili pajtohet me këtë plan, do ta ketë përkrahjen e madhe me investime. Në të kundërtën, do të vendosen sanksione ndaj shtetit, që nuk e pranon këtë plan”.

“Këtë e kanë të qartë të dyja shtetet dhe është koha që njëherë e përgjithmonë të vjen te pajtimi Kosovë-Serbi”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -