Kanë mbetur edhe 6 ditë nga dita kur qytetarët e të gjitha komuniteteve do t’ drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e katër komunave të veriut të vendit, të cilat banohen me shumicë serbe.
Por refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ka krijuar tensione të shumta në veri, ku javët e fundit ka pasur djegie të veturave dhe provokime në drejtim të Policisë së Kosovës.
E për krejt këto, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë për gazetën “Bota sot” se këto zgjedhje duhet të shtyhen për një datë tjetër dhe mos të mbahen me datën 23 prill ashtu siç është planifikuar.
Sipas Shales, Kosova mund ta humb sovranitetin e saj në pjesën veriore, për shkak të ndërhyrjes ë bashkësisë ndërkombëtare.
“Mbajtja e zgjedhjeve tani në këtë fazë mund të paraqitet situata kaotike në aspektin e sigurisë, ku do të humbte Kosova sovranitetin e saj si rezultat i ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare në mes”, shprehet Shala.
Shala tregon edhe cili mund të jetë skenari serb që mund të nis në veri të Kosovës.
“Strukturat paralele të sigurisë së Serbisë mund të paraqesin një skenar e cila mund të prodhojë bllokim rrugëve, djegie të veturave përgjatë rrugëve dhe kështu lëvizje e strukturave të sigurisë së Kosovës do t’ju pamundësonte”, thekson Shala.
“Mos mbajtja në anën tjetër është tregues marrëveshja e Ohrit është si fluska e borës së parvjetit me zero impakt në teren dhe Serbia pastaj mund të prodhojë një situatë ku serbët do të shpalleshin një formë të vetëqeverisjes me shije të rënd substanciale”, deklaron Drizan Shala.
Por a po shkon veri drejt një kaosi total?
“Veriu që nga 2021 ka dalur nga duart e institucioneve politike të Kosovës dhe vetëm falë strukturave të sigurisë se vendit ende kjo pjesë po mbahet nën juridiksionit të RKS”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Kujtojmë se këto zgjedhje ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por që ishin shtyrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë.