0.6C
Pristina
28 Janar, 2021 - 12:52

Osmani i thotë KQZ-së të mos ankohet, Daka kërkon mundësi për t’u përgatitur më mirë për zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani nuk do ankesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat ajo do t’i shpallë sapo të publikohet aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Osmani më 22 dhe 23 dhjetor i takoi ndaras përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar lidhur me datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Për ditën e zgjedhjeve, ajo nuk ka diskutuar me KQZ-në, ndërsa kryetarja e organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Express se Osmani do të duhej të konsultohet edhe me ta.

Valdete Daka shpreson që Vjosa Osmani ta ketë parasysh kërkesën e KQZ-së dhe ta shfrytëzojë afatin maksimal kushtetues për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Po tash natyrisht që edhe KQZ-ja duhet të konsultohet për afatet dhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne e dimë që është në diskrecion të ushtrueses së detyrës së presidentes që t’i shpallë zgjedhjet. Me siguri që ajo do t’i kete parasysh te gjtiha kërkesat, si të partive politike, ashtu edhe kërkesën e KQZ-së”, tha Daka.

Shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, tha të hënën se do ta bëjë “në momentin që vjen aktgjykimi” sepse, siç tha, “shumica dërmuese e partive gjatë konsultimeve që i kishim kanë shprehur gatishmëri që në zgjedhje të shkohet sa më shpejt”.

Osmani me një deklaratë i çoi mesazh KQZ-së t’i organizojë zgjedhjet shpejt, ashtu siç kishte bërë në të kaluarën dhe të mos ankohet. Ajo shtoi se në vend se të shpreh shqetësime, KQZ-ja duhet të punojë.

“Proceset e ndryshme që ekzistojnë brenda KQZ-së, që zakonisht mund të ketë ankesa që zgjasin shumë, janë të tilla, mirëpo nuk besoj që duhet të dëgjojmë ankesa. Nuk është hera e parë që KQZ-ja organizon zgjedhje brenda 40 ditësh, ka ndodhur edhe më herët. Ashtu siç i kanë bërë përgatitjet në të kaluarën dhe kanë dalë publikisht kanë folur me konfidencë të plotë që të gjitha përgatitjet do të bëhen dhe qytetarët do ta kenë mundësinë të votojnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese, unë pres dhe kërkoj që KQZ-ja… Unë nuk besoj që duhet ta dëgjojmë KQZ-në tani duke shprehur shqetësime, por duhet ta shohim KQZ-në duke punuar dhe duke i bërë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve tanë por edhe atyre që jetojnë në mërgatë sa më shpejt që të jetë e mundur t’u ofrohet mundësia e votimit”, tha Osmani në “Kallxo.com”.

Në anën tjetër, Daka është shprehur se “në çfarëdo date që e caktojnë, ne do t’i organizojmë zgjedhjet”, por ka shtuar se do të ishte më mirë t’u lihet më shumë kohë, duke kërkuar një mundësi që organizimi të bëhet sa më mirë.

“Normalisht se sa më shumë kohë që kemi, aq më shumë kemi mundësi t’i përgatisim zgjedhjet më mirë dhe t’ju japim hapësirë të gjithë qytetarëve të votojnë. Ne kemi obligim kushtetues t’i organizojmë zgjedhjet, mirëpo sa më shumë kohë që na lihet, është më mirë. Ne vetëm po kërkojmë që të na jepet një mundësi që sa më mirë t’i organizojmë zgjedhjet dhe ta kemi komoditetin e kohës”, tha Daka pë Express.

Osmani tha se “në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka orar pune, punohet 24 orë”. Ndërkaq Daka, tha se ata gjithsesi do të punojnë jashtë orarit.

“Jashtë orarit gjithsesi do të punojmë. Për ne më orari nuk do të jetë deri në orën 16:00”, tha ajo.

Kryetarja e KQZ-së tha se ende nuk është alokuar buxheti i nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve dhe shtoi se “as nuk e dimë se kur do të alokohet”.

“Pa u alokuar buxheti ne nuk kemi mundësi të bëjmë asnjë veprim”, tha Daka.

Qytetarët e Kosovës do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti e gjysmë, pasi kështu ka urdhëruar më 21 dhjetor Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi. Kjo gjykatë ka gjetur parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor.

Çështja ishte ngritur për shqyrtim në Kushteuese nga një grup deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sfidoi legjitimitetin e mandatit të Etem Arifit, deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim. Arifi u dënua për mashtrim me 15 muaj burgim në gusht të vitit të kaluar, për t’u zgjedhur si deputet një muaj e gjysmë më vonë.

Gjykata e shpalli të paligjshëm mandatin e Arifit dhe kësisoj, e vlerësoi si kundërkushtetuese formimin e Qeverisë, për zgjedhjen e së cilës vota e Arifit ishte determinuese.

Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre nga Presidenti, pozitë që përkohësisht po ushtrohet nga Vjosa Osmani. Ajo mund ta ushtrojë këtë funksion deri në më 5 maj, kur sipas kushtetutës, i përfundon ky mandat. Deri në maj, përveç që duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të certifikohen ato, të konsituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe presidenti.

Të fundit

Të tjera nga rubrika