14.4 C
Pristina
Tuesday, September 27, 2022
- Advertisement -

Njeriu të cilit i frikësohet Putini

Në një mëngjes të ftohtë nëntori, familja e Alexei Navalny-t, udhëheqës i opozitës ruse, u nis rrugës për ta vizituar atë në Repartin Penal numër 2. Udhëtimi me veturë nga Moska mori rreth dy orë, ndonëse disa pjesë të tij e krijuan ndjesinë e udhëtimit prapa në kohë. Duke dalë nga autostrada nga kryeqyteti rus me teknologji të lartë, rrugët u bënë të prishura. Blloqet e banesave u lëshuan rrugë shtëpizave të drunjta dhe zonjat e moshuara u shfaqën anash rrugës në pallto të rënda, duke shitur perime të bahçeve të tyre.
Para portave të burgut, bashkëshortja dhe prindërit e Navalny-t bartën disa qese me ushqim në dhomën e pritjes, ku një telefon antik ua mundësoi që rojat t’i njoftojnë për vizitën e tyre. Së shpejti, i burgosuri u nxor për t’i takuar ata. Ai dukej thatanik, me kokë të rruar, me një buzëqeshje të kufizuar nga një kapelë e dhënë nga burgu. Dhjetë muaj kishin kaluar nga burgosja e Navalny-t dhe më shumë se një vit nga koha kur ai gati ishte helmuar për vdekje me një armë kimike. Efektet e saj nuk po shfaqeshin më në sistemin nervor; duart nuk i dridheshin më. “Ai dukej mirë. I pandryshuar”, më tha më vonë bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya.

- Advertisement -

Kishte qenë vendim i Navalny-t për të qenë aty. Jo saktësisht në atë burg, me rojat e qeta dhe dritaret e mbështjella me letër, për ta krijuar përshtypjen, thotë Navalny, sikur je duke jetuar në një kuti këpucësh. Megjithatë, ai e bëri zgjedhjen për t’u kthyer në Rusi, plotësisht i vetëdijshëm për atë se çfarë do t’i bënte me gjasë shteti. Nga ekzili i vet i përkohshëm, ai vendosi gati saktësisht para një viti që të dorëzohej në ndalimin e regjimit që qëndronte i akuzuar se është përpjekur ta vrasë. Helmimi kishte dështuar që ta vriste Navalny-n. Madje as nuk e kishte ndryshuar vërtet.

Nga qoshet e barakave të tij, ai ende udhëheq një rrjet të disidentëve të përkushtuar për rrëzimin e Presidentit Vladimir Putin. Udhëheqësit më të lartë të këtij rrjeti janë të arratisur të ligjit rus, ndonëse, për mua, disa nuk ishin vështirë për t’u gjetur përderisa po e raportoja këtë rrëfim. Disa më takuan përderisa ishin duke grumbulluar fonde në Nju Jork ose duke lobuar në Uashington. Të tjerët ma treguan studion televizive, që e kishin ndërtuar në Evropën Lindore, pak jashtë kufijve të Rusisë, për të transmetuar sinjale për miliona ndjekës brenda saj.

Përmes tyre, fillova të pranoja një varg letrash të shkruara me dorë nga Reparti Penal numër 2. “Të lutem, jo shumë pyetje”, më tha Navalny në letrën e parë, në tetor të vitit të kaluar. “Këtu nuk ka kohë për të shkruar dhe procesi i marrjes së këtyre fletëve është dërrmues”, shkruhej në letër. Këtë nuk e kupton nga vëllimi i përgjigjeve të tij pasuese, rreth 25 faqe me vija, të mbushura me dorëshkrim të ngutshëm rus. Letra e parë erdhi me një fytyrë të buzëqeshur të vizatuar, sikur disidenti ende po shtonte “emoji” në blogun që e kishte nisur karrierën e tij politike.

- Advertisement -

Komunikimi ynë, që zgjati deri në mesin e janarit, përkoi me një kohë tensionesh në Evropë. Jo shumë kohë pasi familja e vizitoi Navalny-n, Putini e filloi grumbullimin e trupave afër kufirit perëndimor rus, të mjaftueshëm për ta nisur pushtimin e Ukrainës. Administrata e Bidenit u përpoq që t’i minimizonte rusët, duke rezultuar në një mosmarrëveshje të zhytur në ringjalljen e Luftës së Ftohtë. Emisarët e dy superfuqive bërthamore botërore kaluan javë duke shkëmbyer kërcënime e kërkesa. Spektakli e bëri Navalny-n që të mblidhej. “Përsëri e përsëri, Perëndimi bie në kurthat elementare të Putinit. Thjesht ma merret fryma, kur e shoh Putinin duke e tërhequr udhëheqësinë amerikane përsëri e përsëri”, më shkroi ai në një letër që arriti më 14 janar.

Në bisedimet e saj me Putinin, strategjia e ShBA-së ka qenë që t’i ofrohet Rusisë një “rrugëdalje diplomatike” përderisa gjithashtu duke bërë të qartë se pushtimi i Ukrainës do të përballej me “kosto të ashpra e dërrmuese”, më tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare si reagim ndaj kritikave të Navalny-t, duke shtuar se ShBA-ja vlerëson se burgosja e tij ka qenë “e motivuar politikisht dhe padrejtësi e madhe”.

Ajo nga e cila frikësohet vërtet Putini është ajo që lëvizja e Navalny-t kërkon – një ndryshim pushteti në Rusi, të pasuar nga shkarimi i klanit të korruptuar të oligarkëve e spiunëve. Nuk është NATO-ja ajo që e mban Putinin zgjuar natën; është hapësira për pakënaqësi demokratike që NATO-ja e krijon përgjatë kufirit të tij. Sipas Navalny-t, kjo frikë i udhëheq të gjitha konfliktet që Rusia i zhvillon me Perëndimin. “Për t’i fuqizuar elitat dhe vendin, Putini vazhdimisht ka nevojë për të gjitha këto masa ekstreme, të gjitha këto luftëra – të vërteta, virtuale, hibride ose thjesht ballafaqime në prag të luftës, siç po i shohim tash”, shkruan Navalny.

- Advertisement -

Në vend se të thërrasë bisedime ose të ofrojë koncesione, Navalny dëshiron që ShBA-ja t’i bëjë presion Kremlinit nga jashtë përderisa Navalny dhe përkrahësit e tij i bëjnë presion nga brenda. Ai beson se ky kombinim do t’i ndajë elitat përreth Putinit, duke çuar tek ajo që ndjekësve të Navalny-t u pëlqen ta quajnë “Rusia e bukur e së ardhmes”, ajo që është e lirë, demokratike, në paqe me fqinjët e saj dhe me Perëndimin.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -