16.9 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

Nga kush do të nis Vettingu – tregon ministrja Haxhiu

Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sapo është kthyer nga seanca plenare e Venecias, në të cilën janë votuar koncept opinionet edhe për këtë çështje.

“Në draft-opinionin, që së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas. Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, niveleve të larta, pra duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive themelore. Për të vazhduar më pas me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshillat tashmë të verifikuar”.

Haxhiu tha se do të ketë Vetting dhe atë të plotë, “siç duhet” dhe duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë.

“Mungesa e besimit, korrupsioni gjyqësor, stërzgjatja e gjykimeve, mungesa e efikasitetit të mekanizmave disiplinor, nepotizmi dhe së fundi edhe problemet me përzgjedhjen e procesit të kryeprokurorit të shtetit, njëjtë si në gjetjet tona edhe në ato ndërkombëtare, janë konstatuar gjithashtu nga Komisioni i Venecias që e justifikojnë këtë ndërmarrje të rëndësishme reformuese”.

Ministrja tha se do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me Këshillin Gjyqësor edhe atë Prokurorial, që këto reforma sa më shpejt të jetësohen.

Të fundit
Lajme të lidhura