Edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu, i ka reaguar ashpër ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, i cili mbrëmë në një emision televiziv ka deklaruar se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
Spahiu e ka quajtur “enverist të qelbur” ministrin Aliu, duke e akuzuar atë për shkelje të betimit dhe akt tradhtie ndaj atdheut, përcjell Bota sot.
Ai ka kërkuar reagimin e presidentes, kryeministrit, ambasadorit amerikan dhe prokurorëve, që t’I bëjnë aktakuzë për betim të rremë.
“Prandaj ky ministër që gati 3 vjet e ka ndalë ndërtimin e rrugëve në Kosovë, sepse don që Kosova si “projekt i përkohshëm” të dështojë sa më parë. Merr rrogë nga ata që paguajnë taksa për Kosovën, dhe për më tepër si ministër ka bërë betim të rremë se do të punojë për Kosovën.
A ka kryeministër ky vend? A ka presidente ky vend? A ka prokurorë ky vend që t’i bëjnë aktakuzën për shkelje të betimit me këtë deklaratë si akt tradhtie ndaj atdheut?
Po për çka një zyrtar i lartë betohet pos që të ndiqet penalisht nëse bënë deklarata si kjo? Po nëse e do Shqipërinë shko more në Shqipëri, kush po të ndalon, apo nuk shkon dot se atje ka hajna më të mëdhenj se ti, e do që Kosovën me ia dhanë dhuratë Edi Ramës që Edi Rama me ia kthy pastaj Vuçiqit?
O ambasador Hovenier, a për këtë kanë luftuar ushtarët amerikanë që një enverist i qelbur ta shpallë të përkohshme ambasadën tënde në Prishtinë. Po ku e ke atë listën e zezë të hamamit?”, ka shkruar Spahiu në një postim në Facebook.
Ministri Aliu, ka thënë se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
“Unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”.
Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, ka thënë Aliu.