23.2 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

NATO duhet të dërgojë trupa në Ukrainë: Një leksion nga vitet 1938-1939

Udhëheqësit perëndimorë duken të vendosur të shmangin Iuftën direkte kundër Rusisë. Në fakt ata nuk po e shmangin një konfrontim të drejtpërdrejtë, por vetëm sa po e shtyjnë atë. Kur NATO-s do t’i duhet më në fund të Iuftojë ndaj Rusisë, do ta bëjë këtë në kushte shumë më pak të favorshme.

Ndërsa mendojnë se po e parandalojnë luftën bërthamore, udhëheqësit tanë po e bëjnë atë më të mundshme. Nëse historia rimon, siç tha dikur shkrimtari i famshëm amerikan Mark Twain, atëherë ne po jetojmë në një rimë të saktë me shtatorin e vitit 1939.

Po aq sa shembulli letrar i cituar shpesh nga Makbethi, “Një mundim i dyfishtë dhe telashe/Zjarri djeg dhe kazani vlon”. Dhe “kazani global” po vlon sërish, siç ndodhi kur Hitleri pushtoi Poloninë, dhe demokracitë po qëndrojnë edhe njëherë mënjanë, duke shpresuar se do të shpëtojnë në një farë mënyre nga pasojat.

Pushtimi i Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin, u parapri nga disa konflikte lokale, të cilat përkojnë me veprimet e Hitlerit para pushtimit të Polonisë. Lufta e Putinit kundër Gjeorgjisë, ndërhyrja në Siri dhe aneksimi i Krimesë ngjason me ndërhyrjen e Hitlerit në Luftën Civile Spanjolle, Anschluss-in (bashkimin apo më saktë aneksimin e Austrisë në Rajhun Gjerman më 13 mars 1938) dhe shpërbërjen e Çekosllovakisë.

Lufta kundër Ukrainës hapi një faqe të re, dhe e çoi në një nivel tjetër aventurizmin ushtarak të Rusisë, ashtu siç bëri sulmi i Hitlerit ndaj Polonisë. Tani, Perëndimi e kupton këtë, ashtu siç Britania dhe Franca e kuptuan në vitin 1939.

Londra dhe Parisi ishin të përkushtuara të mbronin integritetin territorial të Polonisë, ndaj i shpallën luftë Gjermanisë në vitin 1939. Sot, anëtarët e NATO-s dhe vende të tjera demokratike i kanë dhënë Ukrainës mbështetje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, por nuk i kanë shpallur luftë Rusisë.

Sepse siç është shprehur presidenti amerikan Joe Biden, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe liderë të tjerë, ata nuk kanë asnjë detyrim që ta mbrojnë Ukrainën, dhe mbi të gjitha është e rëndësishme të mos përballen me Rusinë, një fuqi bërthamore.

- Advertisement -

Por pas shpalljes së luftës në vitin 1939, Britania dhe Franca bënë pak për ta ndihmuar Poloninë. Ata bënë sikur u angazhuan në frontin perëndimor, në atë që u bë e njohur si Lufta e Rreme. Jo vetëm që nuk luftuan, por ia dorëzuan Norvegjinë Hitlerit në prillin e
vitit 1940.

Çfarëdo që prisnin, vlen të përsëritet se në majin e vitit 1940, britanikët dhe francezët
u detyruan të luftonin. Parisi kapitulloi dhe forcat britanike shmangën thuajse për shkak asgjësimin e plotë, një rezultat që nuk mund të ishte edhe më i keq nëse ata do të kishin sulmuar Gjermaninë në vjeshtën e vitit 1939, ndërsa trupat e saj ishin të zëna me
asgjësimin e Polonisë.

Në fakt është më keq. Sot pretendohet se edhe nëse Britania dhe Franca do të kishin dalë në mbrojtje të Çekosllovakisë në vitin 1938, në vend se të përpiqeshin ta qetësonin Hitlerin, i njëjti skenar do të kishte ndodhur një vit më parë. Por kjo është e gabuar.

- Advertisement -

Çekosllovakia ishte e mbrojtshme. Ajo kishte një bazë të fuqishme industriale, dhe ishte
një nga eksportuesit kryesorë të armëve. Ajo kishte vërtet një ushtri të vogël, por teknologjikisht të avancuar, ndërsa territori i saj mbrohej nga vargmalet malore, dhe nuk ishte kryesisht i sheshtë si Polonia.
EdheWehrmacht-i gjerman nuk ishte aq i fuqishëm në vitin 1938 sa u bë një vit më vonë, pjesërisht edhe falë armëve, industrisë çekosllovake dhe gati 3 milionë gjermanëve nga rajoni i Sudeteve. Për më tepër, tradhtia ndaj Çekosllovakisë, ishte një faktor që e nxiti Stalinin të nënshkruante Paktin Molotov-Ribbentrop, dhe e inkurajoi atë të pushtonte pjesë të Evropës Lindore dhe Veriore.

Ndoshta një qëndrimi i fortë ndaj Hitlerit në vitin 1938, nuk do ta kishte parandaluar Luftën e Dytë Botërore, por me siguri do të kishte parandaluar pushtimet e mëdha të Hitlerit në Evropë në vitet 1939-1940. Lufta do të ishte më pak e zgjatur dhe më pak e përgjakshme, dhe sigurisht do të kishte më pak viktima mes hebrenjve, polakëve dhe civilëve të tjerë. Është e lehtë të përqendrohesh në dështimet e ushtrisë ruse dhe të humbasësh panoramën e madhe. Edhe diskutimet pafundme mbi Lend-Lease amerikan (Aktin e Huazimit), dhe dërgesave të tjera të ndryshme të armëve në Ukrainë, i shërbejnë errësimit të realitetit. Thelbi është se Rusia zotëron burimet dhe ka vendosmërinë e duhur për të vazhduar luftën në Ukrainë, dhe për ta shkatërruar infrastrukturën e saj.

Kjo qasje do të vazhdojë, edhe nëse ukrainasit arrijnë të çlirojnë të gjitha territoret e pushtuara. Siç e pranoi kohët e fundit Arsen Avakov, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, deri në dimër pjesa më e madhe e Ukrainës nuk do të ketë energji elektrike, gaz dhe ngrohje.

Humbjet në mesin e forcave ushtarake dhe civilëve do të vazhdojnë të rriten. Refugjatët, të cilët kohët e fundit janë rikthyer më shumë në shtëpitë e tyre, do të largohen sërish. Ndërkaq në Evropën Perëndimore, ka nisur të ndihen lodhja dhe bezdisja nga refugjatët.

Për më tepër, po përkeqësohet situata ekonomike globale dhe ndikimi i luftës në furnizimin me ushqime dhe tregjet e energjisë po bëhet një problem madhor. Udhëheqësit politikë do të jenë shumë shpejt të zënë me problemet e brendshme dhe do të dëshirojnë të distancohen në maksimum nga çështja e Ukrainës.

Por Ukraina – ose më saktë Rusia – është aty si një problem madhor. Lufta ka sjellë një ndryshim në Rusi. Mbështetja për Putinin është rritur, dhe ka zënë rrënjë mentaliteti i rrethimit. Tani rusët besojnë se po luftojnë ndaj gjithë NATO-s. Tani Federata Ruse, ashtu si Gjermania naziste në vitin 1939, qëndron në mbështetje të Putinit.
Udhëheqësit ukrainas thonë se po luftojnë jo vetëm për mbijetesën e tyre kombëtare, por edhe për demokracinë. Nëse bie Ukraina, Putini do të shtjerë në dorë burimet e saj, dhe
do të kontrollojë një pjesë të madhe të tregut global të grurit. Për më tepër, kontrolli mbi territorin e Ukrainës do ta zhvendosë edhe njëherë Rusinë në zemër të Evropës.
Putin do të lëvizë pranë Republikës së Moldavisë Pridnestroviane (PMR) dhe më pas drejt Republikës së Moldavisë, dhe më pas do të fillojë të bëjë në Baltik të njëjtën gjë si në Donbas. Kjo është ajo që kanë përsëritur propaganduesit rusë gjatë 3 muajve të fundit.
Dhe këto duhen të merren parasysh, ashtu siç do të ishte e dobishme që njerëzit në fillim
të viteve 1930 t’i kishin kushtuar më shumë vëmendje librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit.
Do të vijë koha kur NATO do të duhet të luftojë ndaj Rusisë. Sot ajo ka ende shansin për ta bërë këtë në kushte të favorshme, siç mund të kishin bërë Britania dhe Franca kur Hitleri kërcënoi Çekosllovakinë. Alternativa për NATO-n, ashtu siç ishte për Britaninë dhe Francën në atë kohë, është të presë dhe shpresojë që Putin të jetë i kënaqur me Ukrainën, dhe më pas të zhvillojë një luftë më të gjatë, më të përgjakshme kundër një Rusie më të fortë dhe më të guximshme, e cila ashtu si Hitleri pas sukseseve të tij të hershme, do të pushtojë më shumë vende aleate. Ironikisht, përpjekja për të shmangur një luftë bërthamore sot, do të rrisë shumë gjasat për një luftë të tillë më vonë. /abcnews.al

Shënim:I lindur në BRSS, Alexei Bayer jeton në SHBA që nga viti 1975. Ka punuar si ekonomist për 35 vjet në “Standard and Poor’s” dhe në “The Economist Intelligence Unit”.

Të fundit
Lajme të lidhura