22 C
Pristina
Tuesday, August 9, 2022

Naftëtarët sfidojnë qeverinë, nuk i zbresin çmimet e derivateve

Përkundër që Ministria e Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sot vendimin me të cilin ka përcaktuar tavanin maksimal të çmimeve për karburante për 24 orët e ardhshme, naftëtarët ende nuk janë duke përfillur këtë vendim për t’i ulur çmimet.

KosovaPress ka publikuar disa fotografi nga disa pika të derivateve, në të cilat shihet se ende çmimi i dizelit për litër është 1.91 euro, ndërkaq qytetarët po ashtu për benzinë po paguajnë ende 1.89 euro.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar vendimin të hënën para orës 10:00 për 24 orët e ardhshme çmimin maksimal të lejuar të produktit, dizel është 1.85 euro centë për litër, derisa çmimi maksimal i lejuar i produktit benzinë është: 1.74 euro centë për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i lejuar i produktit gaz është: 0.78 euro centë për litër.

Rreth tri javë më parë kur qeveria paralajmëroi vendosjen e një marzhe të fitimit për tregtarët e naftës, Shoqata e Naftëtarëve paralajmëronte mbylljen e të gjitha pikave të tyre të derivateve.

Në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës pas mbledhjes që ishte mbajtur më 9 qershor, përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve kishin thënë se janë kundër vendimeve arbitrare të qeverisë në tregun e naftës.

Naftëtarët kishin thënë se e përkrahnin vetëm uljen e akcizës dhe TVSH-së në produktet e naftës, dy masa të cilat janë vendosur në vendet e rajonit.

Të fundit
Lajme të lidhura