-4.6 C
Pristina
18 Janar, 2021 - 18:27

“Mocioni i LDK-së kundër Qeverisë Kurtit ka zgjidhur shumë dilema” – profesori tregon se kush do të jetë befasia e zgjedhjeve

Zgjedhjet e jashtëzakonshme i kanë dhënë një kahje krejtësisht ndryshe zhvillimeve të fundit politike. Tani subjektet politike kanë filluar të mobilizohen dhe fokusin kryesor e kanë te zgjedhjet.

- Advertisement -

Hyrjet dhe largimet nga partitë politike veçse kanë filluar, përmes aderimeve të reja, ato po tentojnë të forcohen dhe të kenë rritje elektorale të votuesve. Largimi i Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë njëra ndër temat kyqe të kohëve të fundit.

Kësisoj me këto ndryshime të brendshme të subjekteve politike, pritet të ndodhin shumë befasi.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, gjatë një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se zgjedhjet e parakohshme pritet të jenë tejet interesante.

Ai tha se si asnjëherë më parë fituesi i këtyre zgjedhjeve dihet ende pa votuar qytetarët.

Prof. Sulejman Mehazi

“Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë do jenë shumë interesante për qytetarët e Kosovës, si asnjëherë më parë, ende pa mos votuar dihet se kush do fitojë e kush do humb, mocioni i LDK-së kundër qeverisë së Kurtit për hirë të Agim Veliut ju ka zgjidhur shumë dilema qytetarëve se për kë do votojnë”, deklaroi Mehazi.

Mehazi u shpreh se largimi i Vjosa Osmanit dhe largimi nga Qeveria e Kurtit janë veprime të cilat e kanë zbehur fuqinë elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Veprimet e fundit politike të LDK-së sikur kanë zbehur përkrahjen e qytetarëve përballë LVV-së të Albin Kurtit. Largimi i LDK-së nga qeveria e Kurtit, pastaj përjashtimi i Vjosa Osmanit ka dobësuar shumë LDK-në sa që gjatë këtyre zgjedhjeve të reja do jetë fuqi e tretë”, theksoi Mehazi.

Profesori tha se duke u bazuar në atë që po shihet, Lëvizja Vetëvendosje do të dal subjekti i parë në këto zgjedhje. Ndërsa, sipas tij befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të jetë Vjosa Osmani me sloganin e saj “Guxo”.

“Sipas asaj që shihet, vërehet, e duket se konkurruesja numër një gjatë këtyre zgjedhjeve në Kosovë do jetë LVV–ja e cila pa konkurencë do jetë ajo që duhej të bënte qeverinë me Grupin “Guxo” të Vjosa Osmanit. Befasi gjatë këtyre zgjedhjeve do jetë Vjosa Osmani me “Guxo’, kurse dështimi më i madh që nga ekzistenca gjatë këtyre zgjedhjeve do jetë LDK-ja e Isa Mustafës”, përfundoi Mehazi.

Të fundit

Të tjera nga rubrika