17.8 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022

Ministrja Gërvalla pas takimit me Çavusoglu njofton është nënshkruar një marrëveshje

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur në konferencë për media pas takimit që pati me kryediplomatin turk, Mevlut Cavusoglu ku ka njoftuar edhe për një marrëveshje të nënshkruar sot mes ministrit të jashtëm turk dhe ministrit të Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu.

Marrëveshja që u nënshkrua ka të bëjë me rritjen e frekuencës së fluturimeve mes Kosovës dhe Turqisë.

Fillimisht, Gërvalla ka folur për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë e gjithashtu qasjen e të dy vendeve karshi agresionit rus në Ukrainë dhe qasjen e Kosovës ndaj Rusisë e Serbisë.

“Përgjatë dekadave të fundit, Turqia i ka qëndruar përkrah Kosovës në momentet e saj të vështira dhe vendimtare dhe për këtë do të mbetemi mirënjohës. Kosova e ka të qartë përcaktimin e qartë për integrimin në të gjitha strukturat euroatlantike. Si anëtare e NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë, Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese dhe është aktive edhe në Ballkan si ndërmjetësuese neutrale. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Rusinë por edhe Serbinë i shohim si faktor destabilizues për rajonin dhe shpresojmë që përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së, NATO-s por edhe Turqisë, që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnje e Hercegovinë dhe me ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.”, tha Gërvalla.

Më tutje, Gërvalla tha se është kënaqësi të presësh Cavusoglun në Kosovë pasi ai e njeh mirë historinë e gjenocidit në Kosovë, ndërsa ka falënderuar për mbështetjen në fusha të ndryshme të Turqisë ndaj Kosovës siç është ajo e arsimit e shëndetësisë.

“Është kënaqësi të presësh një homolog, një mik vërtetë të mirë të Kosovës që e njeh mirë historinë e gjenocidit në Kosovë dhe i cili në të gjitha lëvizjet e tij në rajon nuk e harron përvojën e gjenocidit në Kosovë. Me ministrin Cavusoglu biseduam edhe rreth angazhimit të Turqisë në mbështetjen në fushën e arsimit dhe dëshirojmë ta zgjërojmë këtë bashkëpunim dhe i shpreha mirënjohjen qeverisë turke për ndihmën në fushën e shëndetësisë për ndihmën pa pagesë për pacientët nga Kosova. Jemi mirënjohës për bashkëpunim të ngushtë në menaxhimin e COVID-19. Shpreha gjithashtu interesimin në thellimin e bashkëpunimit, krijimin e mundësive për më shumë investime direkte turke në Kosovë.”, tha Gërvalla.

Ajo përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar dhe i tha kryediplomatit turk se është i mirëpritur në Kosovë.

- Advertisement -

“Është për t’u përshëndetur marrëveshja e nënshkruar sot nga dy ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve mes Kosovës dhe Turqisë. I dashur Mevlut, për mua është kënaqësi e veçantë që pas bisedave të shumta në Turqi dhe në forume të ndryshme, më në fund u takuam dhe biseduam gjerë e gjatë edhe këtu në Prishtinë. E di që keni ardhur në Kosovë me shumë dëshirë, në një vend që të mirëpret ardhjen tënde.”, tha Gërvalla.

E krejt në fund të fjalës së saj, Gërvalla u përkujdes që kryediplomati turk t’ia kuptojë së paku disa fjalë direkte. Ajo nuk zgjodhi as shqipen e as turqishten, madje as gjermanishten që e di mirë, por anglishtën që t’i thotë se “skena është e juaja”, diplomatit turk.

“And now, the floor is yours, dear Mevlut”, iu drejtua Gërvalla.

Të fundit
Lajme të lidhura