17.1 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

Ministri turk: Falë Vuçiqit kemi rritur investimet në Serbi

Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Turqisë, Nikola Selakoviq dhe Mevlut Çavusoglu, theksuan dje pas takimit në Beograd se liderët e dy vendeve janë të vendosur të punojnë në përmirësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe ekonomike.

Shefi i diplomacisë serbe tha se takimi i sotëm ishte edhe një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet e gjithanshme miqësore, të cilave vulën dhe vrullin më të madh i jep marrëdhënia personale mes dy presidentëve Aleksandar Vuçiq dhe Rexhep Tajip Erdogan.

“Serbia i kushton rëndësi të veçantë përmirësimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh”, tha Selakoviq, duke shprehur kënaqësinë që marrëdhëniet aktuale janë në kulmin në raport me traditën 142 vjeçare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Turqisë.

Sipas tij, gjatë takimit janë shkëmbyer mendime për bashkëpunimin ekonomik, vazhdimin e projekteve, investimet në fushën e energjetikës, bashkëpunimin kulturor, por edhe për temat rajonale për të cilat Serbia dhe Turqia kanë interes. Gjithashtu diskutuam për situatën në botë dhe rajon, bashkëpunimin në rajon që Turqia njeh dhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Diskutuam edhe situatën në BeH dhe afirmuam qëndrimin tonë konsistent për respektimin e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, por edhe respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Për Serbinë të vetmet zgjidhje të pranueshme janë ato që vijnë përmes dialogut, me pëlqimin e të tre popujve në BeH”, tha shefi i diplomacisë serbe. Duke thënë se është biseduar edhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Selakoviq ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e saj në vazhdimin e dialogut.

Cavusoglu tha se bashkëpunimi ekonomik mes Turqisë dhe Serbisë, falë presidentit Vuçiq, po bëhet gjithnjë e më i madh.

- Advertisement -

“Ne vumë synimin për shkëmbim tregtar prej pesë miliardë dollarësh, folëm edhe për vizitën e ardhshme të Erdoganit në Beograd. Ne jemi duke ndërmarrë hapa të sigurt drejt arritjes së një bashkëpunimi më të mirë me Serbinë. Falë mbështetjes së Aleksandër Vuçiqit, ne kemi rritur investimet e biznesmenëve turq në Serbi”, tha Çavusoglu.

Të fundit
Lajme të lidhura