Mediat serbe: Kosovës iu kërkua të mos e çojë FSK’në në Veri, Mehaj tha se po koordinohet me KFOR’in

    EULEX-i dhe UNMIK-u do ta marrin rolin e policëve serbë të dorëhequr në veri të Vendit. Kështu po raportojnë mediat serbe, të cilat thonë se Kosova ka marrë një paralajmërim serioz nga Perëndimi të mos dërgojë pjesëtarë të forcave të sigurisë në veri për t’i zëvendësuar policët që dhanë dorëheqje.

    “Novosti” shkruan se “është vlerësuar” se prania e shqiptarëve në vendet e lëna bosh nga serbët në veri “jo vetëm që do të ishte praktikisht e pamundur, por edhe do të ishte e vështirë pa konflikte serioze”.

    -Advertisement-

    Por këtë mëngjes, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se FSK-ja ofron siguri për të gjithë dhe se institucionet e Kosovës po koordinohen me KFOR-in.

    “FSK-ja është për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dënojmë veprimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë! Kosova dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari dhe veprimet tona janë në kordinim me policinë tonë dhe KFOR-in”, ka shkruar Mehaj.