26.9 C
Pristina
E hënë, 9 Shtator, 2024

Lirohet Nasim Haradinaj

- Advertisement -

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, është liruar nga burgi në Gjykatën Speciale. Në një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, theksohet se me vendimin e kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova, është modifikuar dënimi për Haradinajn.

- Advertisement -

“Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.” – shkruhet në vendim.

Në vendim përmendet edhe raporti i dorëzuar mbi sjelljet e Haradinajt në objektin e paraburgimit.

- Advertisement -

“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj. Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit.” – vazhdon tutje njoftimi.

Tutje, në vendimin e lëshuar pak më parë, përmendet se veprat penale për të cilat u dënua Haradinaj ishin “padyshim të rënda”.

“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.” – shkruhet në vendim.

- Advertisement -

“Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.” – shkruhet aty.

Ndryshe sot u mbajtë një seancë në shkallën e Apelit në Gjykatën Speciale për rastin e Salih Mustafës, i njohur gjatë luftës së fundit si komandant “Cali”. Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ia ulur 4 vjet nga dënimi i shkallës së parë, duke e dënuar Mustafën me 22 vjet burg.

Të gjitha ankesat e Mustafës janë refuzuar, përveç faktit se trupi gjykues, sipas Apelit, ka tejkaluar kompetencat në lartësinë e dënimit.

“Paneli i Apelit rrjedhimisht e gjykon të përshtatshme që dënimet individuale t’i ulë në dënime si vijon:

8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja Pichard.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -