Nga Petrit Hasanaj
Kushtet për turizmin dimëror në Brezovicë janë larg asaj të pranueshmes. Do të thotë nuk janë as ato elementare, për shembull nuk ka mirëmbajtje të teleferikëve, nuk ka parking, nuk ka auto-ambulancë, policia është e padukshme.
Investimet në Brezovicë janë të mangëta, pothuajse fare nuk bëhen nga niveli qendror, nga institucionet e shtetit. Në malet e Kosovës jo që nuk investohet në to, por janë kthyer prapa në zhvillimin e turizmit dimëror.
Fatkeqësisht, ky prapakthim vërehet në aspektin e degradimit të ofertës për zhvillimin e turizmit dimëror, sidomos qendra e skijimit të Brezovicës dhe mungesës së skajshme të interesimit të institucioneve shtetërore për të tërhequr investimet e sektorit privat, apo privatizimin e Brezovicës.
Investitorët privat apo privatizimi, do të sillte investitorë seriozë, e më pas dhe tërheqjen e investimeve nga diaspora. Ne kemi male të larta deri në 2500 metra, të cilat kanë ende borë për disiplina të rralla, e që mund të shfrytëzohet snow-boardi dhe sportet tjera.
Në investime duhet të parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, të pajisura me teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë, për të qenë konkurrent në rajon.
Industria e turizmit është lëmi që gjithnjë e më shumë ndikon me përqindje në buxhetin e shtetit, kështu, edhe Kosova do të mund t’i hynte garës në mënyrë që të tërheqim sa më shumë turistë, qoftë nga rajoni apo edhe nga vendet e ndryshme të Evropës dhe të Botës.
Prandaj, mungesa e investimeve në qendrën turistike Brezovica dobëson turizmin dimëror dhe dashamirët e skijimit nuk pritët të anulojnë pasionin e tyre por do të shpenzojnë në qendrat më të afërta që ofrojnë kushte për skijim dhe sportet dimërore.