-8.4 C
Pristina
18 Janar, 2021 - 20:26

Kurti në takim me përfaqësuesin e BE-së kërkon zgjedhje të reja në Kosovë

- Advertisement -

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti u takua me Shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog ku biseduan rreth zgjedhjes së presidentit të ri.Në një postim në facebook nga Vetëvendosje thuhet se Kurti theksoi se presidenti i ri duhet të zgjedhet pas zgjedhjeve të reja.

Kjo sipas tyre sepse Qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi është bërë jofunksional.

Në këtë takim u fol edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku Vetëvendosja thotë se duhet një fillim i ri që procesi të ketë kredibilitet.

Ky është postimi i plotë:

Sot, kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, z. Liburn Aliu, dhe deputetja, znj. Fitore Pacolli, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, dhe këshilltaren politike, znj. Blerta Bejtullahu.

Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Kurti theksoi se është tejët e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor.

Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet.

Ambassador Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.Kryetari Kurti bëri të ditur se agjenda evropiane e shtetit tonë është e rëndësishme për zhvillim dhe avancim të shtetit të Kosovës.

Tani kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19 dhe ndikimi që ajo po ka në ekonomi, më së shumti kemi nevojë për politika zhvillimore dhe mbështetëse për qytetarët dhe bizneset në vend.

Ndërsa, për dialogun Kosovë-Serbi është i domosdoshëm një fillim i ri që procesi të ketë kredibilitet. E për këtë, duhet të ndodh demokratizimi dhe evropianizimi i dialogut, zëvendësimi i qasjes transaksionale me atë transformuese dhe transatlantike.Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.

Të fundit

Të tjera nga rubrika