17.8 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022

Kurti i kërkon ambasadores së Luksemburgut të mos e takojë opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadorja e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, që gjatë këtyre ditëve mos të takojë opozitën në Kosovë.

Ai këtë e ka bërë si kërkesë pasi siç ka thënë ai janë pritje të rritjes së pagës minimale.

“E di që Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian. Jemi në prag të rritjes së pagës minimale në Kosovë. Prandaj, në ditët dhe javët në vijim, ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në pritjen e organizuar për Ditëlindjen Zyrtare të Dukës së Madh, Ditën Kombëtare të Luksemburgut.

Sipas komunikatës së Qeverisë Kurti ka falënderuar këtë shtet veçanërisht për kontributin e dhënë në zhvillimin e Kosovës, mbështetjen për udhëtim pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbështetjen për perspektivën tonë për integrim evropian.

Kryeministri ritheksoi vullnetin e qeverisë për të forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm me Luksemburgun.

“Ne mbetemi të përkushtuar dhe po punojmë vazhdimisht së bashku për të mbajtur të forta lidhjet tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë, tha ai.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

- Advertisement -

E nderuara zonja Gomes, e ngarkuar me punë e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca,
Të nderuar anëtarë të kabinetit dhe deputetë të Kuvendit,
Të nderuar shkëlqesi, partnerë dhe miq,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur dhe i nderuar që jam këtu sonte dhe i bashkohem festimeve për Ditëlindjen Zyrtare të Dukës së Madh, Ditës Kombëtare.

Luksemburgu është një shembull i diversitetit dhe mirëqenies. Shtëpia e një numri të madh kulturash dhe popullsie tepër të larmishme, që u bë shtëpia e shqiptarëve nga Kosova, të cilët kërkonin strehim nga lufta e viteve 1998-1999.

- Advertisement -

Nuk do ta harrojmë kurrë guximin e Luksemburgut për të vepruar në mbrojtje të së drejtës sonë për jetë dhe liri.

Luksemburgu ishte gjithashtu një nga të parët që mbështeti pavarësinë e shtetit tonë. Dhe gjatë këtyre dekadave, u kthye në partnerin dhe mikun tonë afatgjatë.

Nuk është çudi që Luksemburgu është një nga shtetet anëtare themeluese të Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OECD-së.

Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar vazhdimisht nga shteti i Luksemburgut. Sidomos për kontributin në zhvillimin e Kosovës, mbështetjen për udhëtim pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe perspektivën tonë për integrim evropian.

Të dashur miq,

Në vitet ’90 qytetarët e Kosovës masivisht mësonin të flisnin gjuhën gjermane. Ata që u larguan në Gjermani për shkak të represionit, por edhe ata që vazhduan të jetonin nën okupim, falë RTL. Për Radio Televizionin e Luksemburgut, në Kosovë tridhjetë vjet më parë, lirisht mund të themi se ishte në togfjalëshin “Big in Japan”. Mund të vë bast se në vitet ’90 më shumë njerëz në Kosovë sesa në Luksemburg e shikonin RTL. Megjithatë, RTL nuk ishte e vetmja gjë “Big in Japan” në Kosovë.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për një fshat të vogël në Luksemburg, të quajtur Shengen. Shengen – supozohet të shqiptohet me një psherëtimë të brendshme. Përsëri, mund të vë bast se ky fshat në Luksemburg është shumë më i famshëm në Kosovë sesa në Luksemburg.

Ritheksoj vullnetin e qeverisë sonë për të forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm.

Vetëm dje në mbledhjen e kabinetit tonë miratuam dy iniciativa për Marrëveshjen Bilaterale të Bashkëpunimit Zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Ne mbetemi të përkushtuar dhe po punojmë vazhdimisht së bashku për të mbajtur të forta lidhjet tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë.
E dashur zonja Gomes,

E di që Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian.
Jemi në prag të rritjes së pagës minimale në Kosovë. Prandaj, në ditët dhe javët në vijim, ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time.

Faleminderit shumë!

Urime për Ditën Kombëtare dhe gëzuar!

Të fundit
Lajme të lidhura