17.7 C
Pristina
Wednesday, August 10, 2022

Kurti i kundërpërgjigjet Edi Ramës, “e themelon” Ballkonin e Hapur, i bën anëtarë diasporën

Një natë vere, me mbështetësit e tij më të flaktë, në ballkonin e Kryeministrisë, Albin Kurti e konsideroi moment të mirë për ta gjuajtur një shtizë kah Shqipëria, në drejtim të homologut të tij në Tiranë, Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndoshta kënaqen e qeshin shumë kur takohen – siç tha ky i fundit në vizitën e fundit në Prishtinë – por nga larg jo rrallë herë ia drejtojnë shigjetat njëri-tjetrit.

Kur erdhi në Kosovë në qershor për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Rama tha se njerëzit do të habiteshin po t’i shinin se si qeshin me Kurtin kur takohen.

Rama thoshte se e auto-ironia që e përdorin të dy, i bashkon ata.

Por, homologu i tij në Prishtinë, Kurti, të martën mbrëma nga ballkoni i Kryeministrisë u tall me të për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Në një ndejë me mërgimtarë, kryeministri i Kosovës shpalli iniciativën e “Ballkonit të Hapur”.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur””, citohet të ketë thënë Kurti.

Albin Kurti në ballkonin e Kryeministrisë, 2 gusht 2022

PërpIasjet e para publike mes Ramës dhe Kurtit nisën pikërisht me Mini-Schengenin apo Ballkanin e Hapur, siç u quajt më vonë. Kjo nismë u kundërshtua që në fill nga Kurti, e Rama shprehu jo pak neveri çdoherë kur nga Kosova i thuhej se kjo s’ishte në interesin e vendit.

Ndeja e organizuar në ballkonin e Kryeministrisë, 3 gusht 2022

Deklaratat e Ramës ku bën thirrje për pajtim dhe që “të mos mbesim peng të së kaluarës” janë bërë të zakonshme kohët e fundit. Ato me siguri se s’i kanë pëlqyer aspak Kurtit, i cili e thekson kudo që mundet se Serbia nuk është distancuar nga e kaluara dhe se për çfarë krimesh në Ballkan është përgjegjëse ajo.

Secili nga ta argumenton se tjetri e ka gabim çdoherë kur gazetarët i pyesin për çështjet për të cilat nuk pajtohen.

“Me Albinin e kemi një marrëdhënie që është e kahershme dhe do të jetë e tillë gjithmonë. Juve ju duket si shaka, por kjo është e vërteta. Ne jemi njëkohësisht njerëz me bindje të forta dhe sa herë të shikosh njerëz me bindje të forta që kanë dakordësi për çdo gjë, do të thotë se atyre o u janë dobësuar bindjet, o s’i kanë pasur ndonjëherë të forta”, kishte thënë Rama në Prishtinë, në konferencën e përbashkët me Kurtin.

“Po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve dhe të auto-ironisë që na bashkon reciprokisht, mbase do habiteni e pastaj do të thoni ‘jo mor vëlla ky s’qenka vëllai i Vuçiqit, ky qenka vëllai i Albinit’. Kështu që më lëni të rri vëllai i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”, kishte shtuar kryeministri shqiptar.

Albin Kurti dhe Edi Rama, 20 qershor 2022

Gjuajtjet me deklarata mes të dyve nuk janë gjë e panjohur.

Vitin e kaluar, Rama u bë edhe kundërshtar politik i Kurtit, kur ky i fundit vendosi që me partinë e tij të merrte pjesë në zgjedhje atje. Shkoi edhe vetë për t’i bindur shqiptarët se sa e dobët e e korruptuar ishte qeverisja e Ramës. Vetëvendosjen e tij e paraqiste si shpëtimin për njerëzit që në shumicë e kishin votuar Ramën për kryeministër. Fushata përfshiu edhe udhëtimin e ministrave të Kosovës drejt Tiranës, për t’i mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes.

Në Prishtinë, ku erdhi në shtator të vitit të kaluar, Rama e lëshoi një thumb për Kurtin.

Në fund të një bashkëbisedimi që e pati me studentë të Universitetit të Prishtinës, i pyetur se përse s’ka në kabinetin “Rama 3”, ministra nga Kosova, Rama u shpreh se këtë mandat do të bëhej vetë kosovar duke nënkuptuar marrjen e nënshtetësisë. Por “nuk do të vij të bëj fushatë për vota këtu. Mos të ketë frikë asnjeri. As nuk do të vij të votoj këtu” tha më tej.

Të fundit
Lajme të lidhura