Është folur gjerë e gjatë për potencialin e radikalizmit mysliman në Kosovë. Madje, vitin e kaluar u rrah një hoxhë, për të cilin rast u arrestuan tre vëllezër, ndërsa këtë vit u sulmua fizikisht gazetari Valon Syla, nga tre persona, të cilët deklaruan se “nuk e njohin asnjë gjykim, pos të Allahut”. Por, së fundmi, ka pasur edhe dy shpërthime të jotolerancës nga komuniteti mysliman i shqiptarëve.
Njëri shpërthim lidhet me urimin e Krishtlindjeve, ndërsa shpërthimi numër dy lidhet me një ngjarje tragjike të vdekjes së hershme të një gazetari. Më saktë, nga myslimanët në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, ku një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë është shqiptare. Për çka bëhet fjalë?
Le të fillojmë nga rasti i javës së kaluar, ku përfshihet Bashkësia Islame e Kosovës. Faqja zyrtare e BIK-ut e publikoi më 24 dhjetor një urim të myftiut Naim Tërnava për Krishtlindjet. Përmbajtja e urimit të përvitshëm të myftiut Tërnava ishte thellësisht njerëzore, duke uruar “shëndet, mbarësi e lumturi”.
“Me nderim e respekt të posaçëm, në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë, më lejoni që t’ju drejtohem me mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi.” – shkruhej në urimin e myftiut Tërnava për ipeshkvin Dodë Gjergji.
Por kjo frymë e përbashkimit dhe tolerancës u pengoi shumë personave. Përmes “emoji”-ve, qindra persona u shprehen të nervozuar me këtë urim të myftiut Tërnava. Postimin e BIK-ut e shpërndan dhjetra persona, duke e shpallur myftiun si “qafir”, pra “pabesimtar”.
Një ngjarje tjetër, kësaj radhe tragjike, ishte shkaktari i “shpërthimit” të myslimanëve shqiptarë në Facebook. Gjatë ditës u njoftua se Arton Turkaj, gazetar, në moshë të re ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër. Ndonëse një ngjarje tragjike, pra humbja e jetës, myslimanët shqiptarë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, nuk e kursyen Turkajn as për së vdekuri.
Dhjetra komentues, shumica prej tyre pretendueshëm besimtarë të devotshëm, vërshuan në profilin e Turkajt për të komentuar. Më specifikisht, ata i komentuan Turkajt në një status ironik në lidhje me Krishtlindjet.
“Urime krishtilindjet jau boft allahu kabull” – kishte shkruar Turkaj në profilin e tij për së gjalli.
Ndonëse Turkaj më nuk është në këtë botë, shumë persona kanë zgjedhur t’i komentojnë atij në këtë status. Shumica dërmuese e komenteve nuk respektonin aspak korrektësinë humane me një të vdekur. Një person me emrin Liridon Mazreku u lut keq për shpirtin e Turkajt.
“Zahmet shpirti t’paqt!” – shkroi ai, një lutje aspak njerëzore.
Por lutjet për dënim nuk përfunduan me kaq, pasi Jasir Ubejdullah u lut që “mallkimi i Allahut” të jetë mbi Turkajn.
“Mallkimi i Allahut qoft mbi ty qe u talle me Fe dhe me ne fund te erdh perfundimi i keq.” – shkroi ai.
“Allahu të shkrumoftë në xhehenem o derkuc…” – ishte komenti i Sinan Ramukës.
Ndërsa Avdulla Tahiri mori rolin e “zëdhënësit” të Zotit, duke ia caktuar Turkajt vendin në ferr.
“Vizën expres për xhenem. Ni drejtimshme. Tlumt” – shkroi Tahiri, duke e vendosur edhe një “emoji” tallëse në fund të komentit.
Ndërsa Muhedin Zekiri ishte edhe më i ashpër, duke shkruar “A paska cof a hajde inshaalla tpjekin si kinxh”./Nacionale