fbpx
-0.9 C
Pristina
E premte, 27 Janar, 2023

Kosova sfidohet nga qarkullimi i dinarit, Mehmeti flet për rritjen ekonomike deri në 4%

Duhet Lexuar

Kosova sfidohet nga qarkullimi i dinarit, Mehmeti flet për rritjen ekonomike deri në 4%
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti bën të ditur se parashikimet e BQK-së për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike të jetë rreth 4 për qind. Ai shton po ashtu se për vitin që sapo kemi hyrë parashohin ulje të inflacionit (zbritje të çmimeve) në 6 për qind, normë kjo e cila siç thekson ai, do t’i kontribuojë rritjes ekonomike.

Sfidë për vendin mbetet qarkullimi i valutës serbe, dinarit në disa komuna të Kosovës me shumicë serbe. Ndërsa, e mira për vendin, vazhdon të mbetet rritja e vazhdueshme e të hyrave nga diaspora, remitancat të cilat kanë arrit rreth 1 miliard euro vetëm për dhjetë muaj të vitit 2022.

- Advertisement -

Në një intervistë për KosovaPress, guvernatori Mehmeti ka konfirmuar se i ka hyrë garës për të vazhduar drejtimin e BQK-në edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.

“Parashikimet tona janë se do të kemi një rritje ekonomike 3-4 për qind (për vitin 2022). Ndërsa, viti i ardhshëm (2023) siç po shihet edhe në nivel global si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, do të jetë sfidues. Mirëpo, ne si BQK parashikojmë që nga gjysma e dytë e vitit të 2023 do të kemi një konsolidim të plotë në nivel të Kosovës e global, që më pastaj kjo do të ndikojë që parashikimet tona për vitin e ardhshëm të kemi një rritje përafërsisht rreth 4 për qind të rritjes ekonomike në Kosovë. Kjo mund të konsiderohet si një rritje e ekonomike e konsoliduar e që më pastaj do të ndikohet prej shumë faktorëve. Po ashtu parashihet që të kemi një ulje të inflacionit në vitin e ardhshëm. Parashikimet tona janë që kjo normë e inflacionit do të ulet deri në 6 për qind. Dhe kjo ulje do të ndikonte pozitivisht në aftësinë paguese të qytetarëve, duke ndikuar po ashtu edhe në rritjen e konsumuese si kategori kryesore, e cila do të ndikojë në rritjen ekonomike”, thekson Mehmeti.

Guvernatori thotë se 5.5 për qind kanë shënuar rritje remitancat në periudhën janar-tetor. Derisa investimet e huaja direkte kanë arritur në 567 milionë euro, ku dominojnë investimet në patundshmëri.

“Deri në tetor ishin 1.48 miliard euro shpenzimet jorezidente që kryesisht te këto shpenzimet realizohen nga paratë e diasporës në Kosovë. Po ashtu kemi edhe rritje të remitancave, kanë arritur rreth 1 miliard euro, gjithashtu edhe investimet e huaja direkte kanë arritur prej 395 milionë euro në 567 milionë euro, kjo është një rritje e konsiderueshme, që edhe kjo realizohet kryesisht prej diasporës. Meqenëse jemi tek investimet e huaja direkte, mbi 67% të investimeve të huaja janë në patundshmëri, e që realizohen nga diaspora”, thotë ai.

- Advertisement -

Këtë vit shënojmë 15-vjetorin e shtetësisë por valuta e Serbisë, dinari, është duke qarkulluar si mjet pagese në vendbanimet serbe, në të gjithë territorin e Kosovës, veçanërisht në katër komunat veriore. KosovaPress mëson se ka qarkullim të dinarit për pagesa dhe madje në “Exchange”.

Për këtë, guvernatori Mehmeti thekson se për çdo rast e njoftojnë policinë për ta luftuar këtë dukuri antikushtetuese.

“Ne kemi pasur raste dhe informata kur kanë operuar edhe bankat komerciale në mënyrë ilegale, të cilat kanë bërë qarkullim të dinarit. Ajo çka na takon neve si BQK, që me ligj është autoritet për rregullimin e të gjithë institucioneve financiare, duke filluar prej licencimit, mbikëqyrjes, rregullimit e kështu me radhë. Derisa kemi pranuar informatat e tilla për funksionimin e tyre, puna jonë si BQK ka qenë që të njoftojmë Policinë e Kosovës. Dhe ne kemi pasur raste kur i kemi njoftuar policinë deri tri herë. Ka pasur edhe raste kur janë marrë edhe veprime sikur rasti në Graçanicë, pastaj edhe veprime të tjera. Kështu që kemi vepruar së bashku me Policinë e Kosovës sa herë që është kërkuar. Mirëpo, plani operativ ndërtohet prej Policisë së Kosovës. Puna jonë që sa herë të hasim në raste të tilla, ta njoftojmë Policinë e Kosovës që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Këtë vit (2022) nuk kemi pasur raste që i kemi raportuar tek policia, por vitet e mëhershme po”, thotë ai.

- Advertisement -

Vendi dhe bota u prek nga ngritjet e çmimeve, kështu edhe bankat komerciale rritën çmimet e normave të interesit në Kosovë. Këtë shtrenjtim, e arsyeton guvernatori Mehmeti.

“Norma e interesit për kredi vazhdon të mbetet e njëjtë, 6.2% është rritja e normës së interesit, ndërsa në tetorin e vitit të kaluar ka qenë 6%. Për shkak të inflacionit të lartë, Banka Qendrore Evropiane për herë të tretë ka rritur normat e interesit. Përkundër kësaj sektori bankar në Kosovë vazhdon ta mbajë nivelin e njëjtë të normave të interesit në kredi. Kostoja në përgjithësi është rritur si rezultat i rritjes së normave të interesit që ka bërë Banka Qendrore Evropiane, mirëpo në bazë të planeve të bankave nuk kemi parë që kanë planifikuar ndonjë rritje të normës së interesit për kundër që në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, por edhe në Amerikë ka rritje të kësaj norme. Ndërkaq, tek ne nuk planifikohet rritje e normës së interesit edhe në vitin e ardhshëm”, thotë ai.

Guvernatori Mehmeti ka bën të ditur se është në garë edhe për një mandat 5-vjeçar në BQK, për çka tregon arsyen.

“Procesi është i hapur, mundësia e konkurrimit është për secilin individ, i cili i plotëson kushtet e parapara. Duke i pasur parasysh rezultatet, kemi arritur që të ruajmë një sistem financiar në kohën më të vështirë, që ka qenë pandemia. Kemi arritur që të japim kontributin tonë në rimëkëmbjen ekonomike në vend. Tash së fundmi arbitrazhi ndërkombëtar e vërtetoi që vendimet që ne i kemi marrë si BQK janë të ligjshme… Duke i pasur parasysh të gjitha këto, mendoj që po, do t’i hymë garës edhe një mandat tjetër për guvernator të BQK”, thekson Mehmeti.

Garën për guvernator e ka bërë publike ditë më parë edhe Emanuel Bajra i cili jeton në Londër.

Ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës një muaj më parë ka hapur konkurs për plotësimin e pozitës së guvernatorit/es të BQK-së, pasi guvernatorit aktual, Fehmi Mehmetit, i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm. Afati i fundit për aplikim në këtë konkurs ka qenë data 16 dhjetor 2022.

- Advertisement -

Të fundit

Djegia e Kuranit në Suedi u financua nga një gazetar që ka lidhje me mediat e Rusisë

Incidenti i djegies së Kuranit në Stokholm, që kërcënon përpjekjen e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, u financua...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -