8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Kosova e kushtëzuar, s’ka KiE pa ia regjistruar 24 hektarët Manastirit të Deçanit

- Advertisement -

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës s’do të jetë i lehtë, pavarësisht se muajin e kaluar u bë një hap në atë rrugë. Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit do të jetë kusht i rëndësishëm në këtë synim. Përveç kësaj, do të duhet implementimi i marrëveshjeve të dialogut, përfshirë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

- Advertisement -

Para një muaji Kosova mori lajmin e mirë për synimin e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Komiteti i Ministrave votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës.

Vendimi erdhi pasi ndërkombëtarët vlerësuan se u arrit një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo për rrugën drejt normalizimit. Marrëveshja shërbeu si dëshmi se procesi i anëtarësimit përfundimtar të Kosovës në KiE është i lidhur me dialogun. Dhe procesi lëvizi vetëm një vit pas aplikimit.

- Advertisement -

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Bashkimit Europian para dy ditësh i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë plotësisht dhe me urgjencë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

QUINT-i e tha qartë se ky është një kusht për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe europiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadorëve më 20 maj.

- Advertisement -

Kontesti gjyqësor se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati 16 vjet. Më pas, më 20 maj 2016 Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk u zbatua, me vlerësimin se ajo tokë u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Në prill, përveç që u bë një hap në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, u përmbyll edhe procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët.

Fillimisht, më 18 prill Parlamenti Europian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i përmbyllur procedurat vendimmarrëse në këtë proces. Të nesërmen në Strasburg u nënshkrua akti ligjor i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave. Ndërsa më 25 prill, vendimi për liberalizimin e vizave u botua në Gazetën Zyrtare të BE-së, duke e përmbyllur kështu të gjithë procesin.

Nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë rrugës, Asambleja Parlamentare e KiE do të duhet ta diskutojë dhe votojë në një takim të radhës në qershor ose tetor një raport të cilin do ta përgatisë vetë.

Ndërlidhjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare me zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, e kishte konfirmuar me këtë rast edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i Këshillit të Europës për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap. Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin është vendimtar për të ecur përpara!”, pati shkruar Rohde në Twitter.

BE-ja e ka parashikuar mundësinë që Kosova dhe Serbia t’i injorojnë pikat që s’iu pëlqejnë në marrëveshjen e fundit të dakorduar më 28 shkurt në Bruksel dhe më pas në aneksin e zbatimit për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq u morën vesh më 18 mars në Ohër.

Për këtë shkak, një pikë aty parashikon pasojat për moszbatimin. Një nga pikat e marrëveshjes nënkupton se zbatimi i saj do t’u kërkohet të dyja vendeve në çdo hap që ato do ta hedhin drejt integrimit në BE. Ndonëse fjala “sanksione” mungon, në marrëveshje përfshihet porosia e qartë se mosimplementimi do të ketë pasoja për proceset integruese të të dyja vendeve dhe për ndihmën financiare të Bashkimit Europian.

Një nga pikat më të vështira për t’u zbatuar, për Kosovën është ajo që kërkon një nivel vetëmenaxhimi për serbët – themelimin e Asociacionit. Në Bruksel konsiderojnë se kjo çështje është bërë më konkrete. Kjo temë është vënë disa herë në tryezë në takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, përfshirë takimin e fundit më 2 maj në Bruksel, ku ekipi menaxhues e paraqiti një draft të statutit të kësaj bashkësie komunash.

Kurti ka një ide të veten për këtë, bazuar në modelin kroat. Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës që ta përpilojë vetë një draft të statutit të Asociacionit. /express

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -