13.1 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Konsistenca e Haradinajt për planin franko-gjerman, që sipas tij siguron njohjen

- Advertisement -

Ramush Haradinaj, edhe pse udhëheq partinë opozitare, AAK’në, mbrëmë i ka dalë në mbështetje arritjes së marrëveshjes në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit. Një prej politikanëve senior të Kosovës, ka muaj që kishte proklamuar se marrëveshja e propozuar nga europianët dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është opsioni më i mirë në këtë moment për vendin.

- Advertisement -

Ramush Haradinaj muaj më parë në emisionin “Pressing” kishte shpjeguar si askush më parë në detaje draftin franko-gjerman, nën pas neni. Në atë kohë, Qeveria e Albin Kurtit ende kishte qëndrime të turbullta për marrëveshjen. Në atë emision, por edhe në shumë të tjerë pastaj, Kryetari i AAK’së argumentonte se marrëveshja ishte e mirë për Kosovën.

Këtë qëndrim ai e mbajti edhe mbrëmë, kur Kurti e Vuçiq, sipas ndërmjetësit Borell, u pajtuar me planin europian.

- Advertisement -

“Realisht, me këtë plan, Serbia e njeh Kosovën”, kishte thënë Haradinaj, në tetor të vitit të kaluar.

“Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtet ndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin”, tha Haradinaj përmes një postimi në rrjete sociale të martën.

“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral. Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin”.

- Advertisement -

Mbështetja e Haradinajt për planin franko-gjerman, u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij për të thënë se kreu i AAK’së po afrohet me Qeverinë Kurti. Kjo është mohuar vazhdimisht nga zyrtarët e AAK’së, ndërkohë që vetë Haradinaj ka qenë ndoshta Lideri opozitar më i ashpër në akuza ndaj kreut të Qeverisë aktuale.

I ashpër ishte edhe të martën.

“Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses”, tha Haradinaj.

Në dallim prej Haradinajt, liderët tjerë opozitarë kanë mbajtur qëndrim refuzues ndaj planit, sidomos javët e fundit. Duke e akuzuar Qeverinë se e ka degraduar procesin, meqenëse marrëveshja nuk e ka “njohjen në qendër” – siç thoshte dikur Kurti.

Ndryshe, Ramush Haradinaj, edhe pse në Opozitë, i ka dhënë mbështetje dialogut në momentet kyçe gjatë dekadës së fundit. Madje, duke dërguar edhe njerëzit e tij në dialog, siç kishte bërë me Blerim Shalën pas vitit 2011, atëherë Nënkryetar i Parë i AAK’së.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -