9.4 C
Pristina
E martë, 6 Dhjetor, 2022
- Advertisement -

Konjufca: Qeveria i ka kthyer përgjigje Francës dhe Gjermanisë, e pranojmë planin

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës i ka kthyer përgjigje Francës dhe Gjermanisë për planin franko-gjerman, për të cilin tha se është plan i mirë për t’i zgjidhur çështjet deri në njohjen e plotë.

Konjufca në Rubikon ka thënë se pavarësisht rezervave që kanë, Qeveria konsideron se ky është një plan bazë për t’i zgjidhur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -

“Po tashmë i kemi dërguar mendimet, Qeveria dhe kryeministri Kurti i ka dërguar mendimet rreth këtij plani. Të gjitha ato rezervat që i kemi, e kanë fjalinë e parë, paraprihet prej fjalisë me të cilën fillon, kjo e cila është që ky është një plan bazë, një plan i mirë për me i zgjidhë deri në njohjen e plotë, relacionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Mes tjerash, Konjufca e ka treguar edhe një pjesë të këtij plani, ku thotë se shkruan që relacionet mes dy vendeve do të organizohen sipas një artikulli të Kombeve të Bashkuara, që është e drejta e barabartë mes shteteve, si dhe e drejta e vetëvendosjes së palëve.

“Relacionet mes Kosovës dhe Serbisë do të organizohen sipas një artikulli 2, të kapitullit 2, të Kombeve të Bashkuara, që është e drejta e barabartë e shteteve, shkruan aty, sovraniteti dhe respektimi i sovranitetit reciprok si dhe e drejta e vetëvendosjes së palëve, të të dy palëve, me ia respektu të drejtën e vetëvendosjes”, tha ai.

- Advertisement -

Mes tjerash, ai bëri edhe një krahasim me planin e Ahtisaarit, për të cilin tha se “ka qenë më shumë për Kosovën”, ndërsa tjetri është “më shumë për Serbinë”.

“Nuk është se pajtohemi 100 për qind me atë plan, i kemi vërejtjet tona. Nëse ai është fruti, e ka një bërthamë. E bërthama është me e pranu sovranitetin e ndërsjelltë Kosova me Serbinë. Është një plan, baza e të cilit, bërthama e të cilit është e shëndoshë. Nëse mund me ia bo një krahasim, plani i Ahtisaarit ka qenë më shumë për Kosovën, sepse e ka krejt rregullimin, ky është më shumë për Serbinë. Qiky tjetri”, ka deklaruar ai tutje.

Çfarë thanë BE-ja, Franca e Gjermania për planin?
Kancelari Scholz në një konferencë për media pas përmbylljet së samitit të Procesit të Berlnit, konfirmoi se ekziston një propozim i ri për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

- Advertisement -

“Padyshim që duhet të ndodhë një lloj pajtimi mes Kosovës e Serbisë. E vërtetë, kemi propozuar diçka, por duhet durim dhe shpresojmë se do ta shohim së shpejti rezultatin për këtë çështje”, ka thënë ai.

Ndërkohë, të premten e kaluar shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell bëri të ditur se kanë marrë përgjigje nga Kosova dhe Serbia për këtë plan.

“Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Ne jemi duke i studiuar ato. Dhe mendoj se ky është një rast i mirë që duhet shfrytëzuar për t’i bërë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit – le të themi – më normale, sepse, në mënyrë që të dy të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, ky normalizim i marrëdhënieve është shume e rendesishme”, tha ai.

Franca është e vetmja që po refuzon ende që të flasë për këtë plan që mund t’i hapë rrugë një marrëveshje mes dy vendeve.

“Cili është qëndrimi i Francës për gjendjen aktuale të procesit? Gjermania po i bën presion të veçantë Serbisë. A do të bëjë të njëjtën gjë edhe Franca? Cilat janë pikat kyçe të propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e ngërçit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?”, këto ishin disa prej pyetjeve që iu drejtuan së fundi diplomacisë franceze.

“Ofrojmë mbështetje të palëkundur”, ky ishte theksi i përgjigjes së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Frances.

Në një përgjigje të publikuar së fundi në faqen zyrtare së fundi, ku janë pyetur për pikat kryesore të këtij plani, pala franceze nuk ka pranuar ta japë shumë detaje.

“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Catherine Colonna ka marrë pjesë në Samitin e djeshëm të Procesit të Berlinit, i cili riafirmoi anëtarësimin e gjashtë vendeve ballkanike në familjen evropiane në një kohë kur Rusia – përmes sulmit të saj ndaj Ukrainës – po shkel parimet themelore të Kartës së OKB-së, duke vënë në pikëpyetje arkitekturën tonë të sigurisë kolektive dhe duke rikthyer luftën në kontinentin tonë. Në këtë takim, ministrja përsëriti angazhimin shumë të fortë të Francës – veçanërisht gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të këtij viti – për të forcuar perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin e ardhshëm evropian duke ofruar mbështetje të palëkundur për përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, është thënë nga MPJ-ja franceze në një përgjigje të publikuar në faqen e tyre.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -